Mes përpjekjeve për të “shitur” para shqiptarëve marrëdhëniet me administratën Trump dhe pas kërkesave për të udhëtuar në SHBA, nga përtej oqeanit duket se Sali Berisha ka marrë një përgjigje, ndonëse të tërthortë. Media amerikane Fox News, e afërt me Donald Trump, ka shkruar një artikull ku flet për zgjedhjet, ish-këshilltarin e Trump Chris LaCivita, ku mes të tjerash përmendet edhe non grata e kreut të PD.
Në artikull theksohet se si ish-këshilltarët e fushatës së Trump po punojnë me Berishën, duke shpresuar që të ndryshojnë realitetin për udhëheqësin e PD, i cili përballet me udhëheqësin shumë të favorizuar të Partisë Socialiste dhe kryeministrin Edi Rama në zgjedhje.
Media amerikane vë theksin te fakti se nuk ka asnjë lëvizje që mund të tregojë heqje të sanksioneve ndaj Berishës. Fox News i është drejtuar edhe me një kërkesë Departamentit Amerikan të Shtetit për non gratën, ku një zëdhënës është përgjigjur se nuk kanë asnjë për të raportuar lidhur me këtë përcaktim.
“Deri më sot, duket se nuk ka ndonjë lëvizje për sanksionet kundër Berishës. Në prill, Departamenti i Shtetit nuk iu përgjigj pyetjeve të Fox News Digital nëse do të merrte në konsideratë heqjen e sanksioneve kundër Berishës dhe nëse sanksionet në fuqi penguan zgjedhjet e lira dhe të ndershme në Shqipëri. Një zëdhënës i tha Fox News Digital të enjten se "Departamenti nuk ka asgjë për të raportuar mbi këtë përcaktim në këtë kohë", thuhet në artikullin e Fox News.
Një ditë më parë Report TV publikoi kërkesat që tregonin se Berisha, nëpërmjet kontratës së lobimit 6 mln dollarëshe, i ishte drejtuar dy herë Sekretarit Amerikan të Shtetit Marco Rubio, me kërkesë për vizë në SHBA. Më herët Berisha e kishte mohuar një gjë të tillë.
Komente
