‘Lajmësi’ që shpesh ‘bërtet’ për shkeljet ligjore të bizneseve ndaj punëmarrësve, po përballet edhe vetë me disa prej tyre.
Fenomeni i ‘pagave me zarfe’, mos pagesa e sigurimeve apo mungesa e kontratës dhe sigurisë në punë janë probleme me të cilat po përballen edhe punonjësit e medias.
“Edhe pse AMA nuk ka kompetenca të drejtpërdrejtë ne kemi marrë sinjalizime për mungesë kontratash, informaliteti, vonesa në paga dhe mos pagesë të sigurimeve shoqërore etj. Kemi bërë një marrëveshje me inspektoratin e punës ku Kemi parashikuar bashkëpunim në evidentimin e problemeve”, tha Drejtoresha e AMA-s Armela Krasniqi.
Nga viti i shkuar deri në fund të muajit qershor 2025 Inspektoriati i Punës ka bërë 135 kontrolle në media në lidhje me informalitetin, ku 35% e tyre janë iniciuar nga ankesat e vetë punonjësit e medias.
“Në 2024 janë depozituar 19 ankesa për 5 subjekte mediatike. Në 6 muajt e parë të këtij viti janë bërë 16 ankesa për 6 media. Informaliteti gri prek median në vend. Nëndeklarimi i pagës, puna e papaguar e orëve shtesë, mungesa e kontratës”, tha kryeinspektori i Punës Eljo Muçaj.
Një nga fenomenet që ka zënë rrënjë në sipërmarrjen shqiptare e në media është dhënia e pagës një pjesë në dorë e tjetrën në bankë, duke ulur kështu deklarimin real të rrogës. Por edhe nëse punonjësi bën një ankesë, faktimi dhe ndëshkimi i pronarit të medias, jo gjithmonë është i mundur.
“Nëse nuk ka një evidencë të qartë që fakton pagën e nën deklaruar nuk mund ta ngarkojmë me penalizim punëdhënësin”, shprehet Muçaj.
Nëndeklarimi i pagës është shkelje që hetohet nga krimi ekonomik, por faktimi i tij është i komplikuar pasi kontrata e firmosur nga palët është korrekte, ndërkohë që faji nis nga një marrëveshje fjale e dakordësuar mes palëve.
“Paga në dorë është sfidë jo vetëm në media por shumë sektorë. Kjo situatë shkaktohet nga një marrëveshje fjalë punëdhënës-punëmarrës. Gjëja më e vështirë për t'u verifikuar dhe faktuar nga një proces inspektimi rutinor. Edhe kur vijnë denoncime, nëse nuk vijnë fakte nuk mund të realizohet 100%”, shprehet zëvendës drejtuesja e Inspektoriati të Punës.
Përtej këtyre shqetësimeve Inspektoriati i Punës evidenton një tjetër vështirësi në kryerjen e kontrolleve.
“Ka shtim të inspektimeve në bazë të ankesë. Inspektimet në media janë të komplikuara dhe të sofistikuar, për të garantuar transparencën dhe të mos interpretohet si cenim i lirisë së shprehjes”, tha Muçaj.
Po ashtu një problem i ngritur gjatë konferencës së Autoritetit të Mediave Audiovizive dhe Inspektoriati të Punës janë edhe largimet e padrejta nga puna apo mos-pagimi i orëve shtesë.
Për të luftuar informalitetin në media, AMA tha se do të ketë një fushatë sensibilizimi ku do të përfshihen edhe trajnime me punonjës të medias për të denoncuar abuzimet.
Komente
