Nga ceremonia e Lamtumirës së Kryepiskopit Janullatos

Opinion
Periferi

Edhe një ceremoni tregon… qytetërim! Çfarë na mësuan ortodoksët shqiptarë

31 Janar, 14:17| Përditesimi: 31 Janar, 15:02

  • Share

Nuk është mirë  që t’i vëmë përherë rëndësi zërave qaramanë, por është fakt që ndodh kështu: Injorojmë mijëra e mijëra fjalë të mira për çdo gjë dhe merremi me atë që del nga e natyrshmja, nga rrjedha logjike e vajtjes së punëve. Po kjo është një tjetër histori me ne.

Rikthehemi pak tek ceremonia mbresëlënëse e lamtumirës së Anastasit të Shqipërisë. Komuniteti ortodoks shqiptar tregoi që ka në bërthamën e tij pikërisht atë që deri më sot e kemi parë tjetërkund: Qytetarinë për t’u sjellë ceremonialë, respektues edhe në mort. Dhe duke e vëzhguar këtë, në gjithë ditët e homazheve deri në kulmimin e të enjtes, vazhdohet nga disa prej nesh të renditen të tjera fakte: Jo pse nuk u bë një ceremoni e tillë për Kadarenë, jo pse nuk nderohet Fan Noli, jo po si nuk u kujtua gjithë historia e kishës Orthodhokse në Shqipëri dhe martirët e saj... etj. etj.

Kush na pengoi të bënim një ceremoni të paharrueshme dhe fantastike për Kadarenë? Kush na pengon përditë të nderojmë Nolin, pikësëpari duke mishëruar kulturën, dijen, patriotizmin dhe përulësinë e tij. Kush na pengon të jemi ceremonialë, respektues e të mirësjellshëm me njëri-tjetrin dhe me figurat që kanë peshë dhe vlerë për kombin shqiptar? Ndoshta duhet punë, shumë punë, besim, respekt dhe përkushtim për të gjitha këto? Na pengojnë edhe disa gjëra që shumë prej nesh nuk i kanë dhe që komuniteti ortodoks, me siguri dhe falë shembullit të Hirësisë së tij, arritën t’i tregojnë. Dhe në vend që të ulim gurët (sepse çdo gjë ka kohën e vet nën këtë qiell) në vend që të mësojmë, vazhdojmë të qëllojmë, pa kuptuar se çdo gjë që bëjmë ose nuk bëjmë varet nga duart tona. Edhe një ceremoni mortore tregon shumë për ne, duke parë atë që bënë besimtarët ortodoksë, apo duke parë ceremoni të tjera që vende si Mbretëria e Madhe apo të tjera shtete europiane e më gjerë realizojnë. Një funeral i sukseshëm për një person të rëndësishëm, cilido qoftë, duhet të kombinojë bashkë respektin e traditës, vullnetin e familjes dhe pjesëmarrjen e drejtë të komunitetit ose të mbarë vendit. A jemi ne të gjithë të pajisur me:  

1.Respektimin e rregullave. Një ceremoni e gjatë nderimi kalon përmes rregullave strikte, të cilat duhet të pranohen pa bërë polemikë siç disa treguan se dinë t’i bëjnë dhe në një funeral. Duke nisur edhe nga ndonjë gazetar shqiptar që pretendonte të bënte Live direkt pranë kufomës së të ndjerit Janullatos, duke shkaktuar probleme për mbarëvajtjen e ceremonisë fetare.

2. Durimin.  Një ceremoni e gjatë fetare kërkon kohën e saj. Askush, pavarësisht peshës sociale, kontributeve, afërsisë apo familjaritetit, nuk mund të përshpejtojë apo vonojë atë që është programuar dhe është shkruar që kohë më parë. Besimtarë, qytetarë e të ftuar, me durim duhet të presin kohët e parashikuara në protokoll.

3. Përuljen. Një ceremoni nuk është vendi i duhur për “rebelim” apo “të tregoj unë ty se kush jam”. Një ceremoni fetare, nuk është altari për të treguar shkëlqimin e të tjerëve, edhe pse disa arrijnë të përfitojnë edhe në këtë rast. Një ceremoni fetare është altari i përuljes dhe “ego” duhet lënë jashtë saj.

4. Respektin. Pavarësisht mendimeve, bindjeve, prejardhjes, kur merr pjesë në një ceremoni fetare, formimet personale lihen jashtë, disa rrugë më tutje vendit kur shkohet për të nderuar.

5. Mirëkuptimin. Si kudo, ndodhin të papritura dhe të paparashikuara edhe në një organizim ceremonie perfekte, pasi asgjë nuk është me të vërtetë perfekte. Atëherë, duke lënë egon jashtë, duke u pajisur me durim, respekt dhe ndjenjën e përmbushjes së detyrave, pra me mirëkuptim, tejkalohet gjithçka.

Ende nuk e kemi të qartë të gjithë shqiptarët mbarë, se si ortodoksët realizuan një ceremoni aq perfekte, e cila do të mbahet mend gjatë. Me siguri që kjo është një nga punët e tjera “të fshehta” të Fortlumturisë së tij, i cili me durimin, përkushtimin dhe dashurinë e madhe të një besimtari, e kishte marrë si sfidë riparimin e indeve të besimit të shkatërruar dhe të kishave të rrënuara, sigurisht, por bashkë me to, rrjedhimisht edhe atë të qytetarisë. Besoj se të gjithë, të cilësdo fe, formim, krahinë apo origjinë, e kemi pasur dhe do ta kemi rastin të tregojmë se ç’dimë të bëjmë, jo vetëm të flasim.

a.m./ReportTv.al
Komento

Komente

  • mond: 31/01/2025 18:58

    Mos u mundoni kot te replikoni pas komentit por sikur Shqiperia te ishte 70-80% ortodokse punët e ketij vendi do shkonin shume me ndryshe. Per shembull mund te krahasoheshim me vendet skandinave dhe shume me lart se Greqia....

    Përgjigju
    • Ortodoksi: 01/02/2025 11:29

      Mire e tha moj mire e tha... po kujt ia tha? Marrin vesh patriotet qe rrine me duar futur ne mbathje para kompjuterit dhe shajne kot me kot apo ata islamistet qe e kane kthyer Shqiperine rurale si Lindje e Mesme?

  • Aleksander: 31/01/2025 17:23

    Perfekte!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si e vlerësoni gjendjen e sigurisë në vend?