Me mijëra biznese ende nuk kanë dorëzuar online në Qendrën kombëtare të Biznesit pasqyrat e tyre financiare për vitin 2024.
QKB rikujton bizneset se bilanci duhet të dorëzohet brenda datës 31 korrik, në të kundërt do të përballen me penalitetet që parashikon ligji "Për regjistrimin e biznesit” i ndryshuar.
“Dokumentacioni që duhet dorëzuar, kur mbajtja e këtyre dokumenteve është e detyrueshme, përfshin: pasqyrat financiare vjetore, raportin e ecurisë së veprimtarisë dhe raportin e auditimit”, thuhet në njoftimin e QKB-së.
Sipas të dhënave të siguruara nga Report TV deri më tani janë dorëzuar 26.500 bilance dhe 2000 të tjera janë ende në shqyrtim nga QKB. Detyrimin për të dorëzuar pasqyrat financiare për vitin 2024 e kanë rreth 35 mijë subjekte dhe të gjithë ata që nuk e dorëzojnë në afat gjobiten në vlerën 60 mijë lekë.
Vendosja e gjobës nga QKB nuk i çliron bizneset nga dorëzimi i bilancit, pasi krahas pagesës së penalitetit për mos respektim të detyrimit ligjor, subjekti i regjistruar në QKB duhet të dorëzojë edhe bilancin financiar.
Dorëzimi i tyre mund të behet online në e-albania, ku janë të sqaruar hapat që duhen ndjekur nga subjektet. Detyrimin për dorëzimin e bilancit, e kanë Shoqëritë tregtare (sh.p.k, sha), Organizatat jofitimprurëse, nëse ushtrojnë veprimtari ekonomike dhe Shoqëritë e huaja të regjistruara në Shqipëri.
Komente
