Politikë

Voton Meta, Ruçi dhe Kryemadhi! Basha pa bashkëshorten pasi ajo ka lënë shtetësinë shqiptare! Kryeministri Rama nga Surreli: Jemi një familje e madhe në të njëjtin atdhe

25 Prill 2021, 06:44| Përditesimi: 25 Prill 2021, 20:15

  • Share

Shqiptarët votuan sot, ndërsa të parët që kanë shkuar drejt kutive të votimit kanë qenë politikanët. Vetëm 1 minutë pas hapjes zyrtare të procesit, e para që hodhi votën ishte kryetarja e lëvizjes socialiste për Integrim Monika Kryemadhi e cila votoi në njësinë 5 në Tiranë, nga ku shprehu bindjen për fitore.

Pasi Kryemadhi la qendrën e votimit, fill pas saj kutive iu drejtua bashkëshorti i saj Presidenti Ilir Meta, i cili teksa hodhi votën ftoi shqiptarët të votojnë të lirë.

I pyetur në lidhje me axhendën e tij sot, Presidenti Meta tha se Presidenti ka një axhendë që mbivendoset në çdo sekondë.

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi votoi rreth orës 8:00, në Qendrën e Votimit pranë Liceut Artistik në Tiranë.

Kryedemokrati Lulzim Basha votoi në njësinë numër 8 në Tiranë i vetëm dhe i pashoqëruar nga bashkëshortja e tij Aurela Basha, pasi kjo e fundit ka shtetësi holandeze dhe nuk ka të drejtë të shprehë me votë vullnetin e saj.

Kryeministri Edi Rama i shoqërua nga bashkëshortja Linda, votoi rreth orës 10:30 në qendrën e tij të votimit në fshatin Surrel në Tiranë nga ku tha se sot të gjithë shqiptarët janë një familje e madhe që jetojnë në të njëjtin atdhe.

Votën në kuti e hodhi edhe kryebashkiaku i Tiranës Veliaj i cili  u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë, sepse vota është më e fortë se zhurma dhe plumbat.

E shoqëruar nga djali dhe bashkëshorti, kryetarja e partisë Lëvizja për ndryshim Jozefina Topalli votoi në Shkodër.

Në zgjedhjet për parlamentin e Shqipërisë për herë të parë merr pjesë në votime kryeministri i Kosovës. Kreu i Vetëvendosjes Albin Kurti votoi në zonën e ish bllokut në Tiranë, ndërkohë që 3 kandidatët e kësaj partie kandidojnë si të pavarur.

Votën e tij në kutinë e votimit e hodhi edhe ish kryeministri dhe lideri historik i PS-së, Fatos Nano.

Ora 17:12
Voton kreu i SPAK, Arben Kraja, i shoqëruar nga bashkëshortja

 

Kreu i SPAK, Arben Kraja së bashku me të shoqen kanë shkuar për të votuar. Qendra e tyre e votimit ka qenë e vendosur në poliklinikën e specialisteve nr. 3 në Tiranë.

Ora 15:23
Çomo publikon foto me bashkëshortin edhe vajzën: Ne votuam

Kandidatja e Partisë Socialiste në Tiranë, Najada Çomo ka votuar së bashku me familjen e saj.

Lajmin e ka bërë me dije përmes publikimit të një fotoje me bashkëshortin dhe vajzën e saj duke pirë kafe, në rrjetin social Facebook, ku edhe ka shkruar “Ne votuam”.

Çomo ka theksuar se kjo është hera e parë që të tre konsumojnë një kafe pas 412 ditësh.

Ora 13:49
Voton ministrja Kushi: Sa më shumë të marrin pjesë në këtë proces, aq më shumë i afrohet rezultati vullnetit të vërtetë të sovranit

Ministrja e Arsimit, Evis Kushi ka votuar e shoqëruar nga bashkëshorti i saj.

Pasi ka ushtruar të drejtën e votës, ajo i ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në proces për të votuar për partinë që do të na qeverisë gjatë 4 vitet e ardhshme.  

“Pas një periudhe të gjatë, të mbushur me ditë të vrenjtura ditë me shi, sot kemi një ditë të bukur me diell, e cila na fton të gjithëve të shkojmë drejt kutive të votimit të paqtë, të qetë, dhe të votojmë për qeverinë që do të kemi, për partinë që do të na qeverisë në 4 vitet e ardhshme. Është shumë e rëndësishme sot që sa më shumë qytetarë të shkojnë drejt kutive të votimit. Sa më shumë të marrin pjesë në këtë proces, aq më shumë i afrohet rezultati vullnetit të vërtetë të sovranit” ,është shprehur ajo.

Kushi tha më tej se është shumë i rëndësishëm një proces me standarde, një proces me zgjedhje të lira dhe të ndershme.

“Më shumë se sa rezultati, i rëndësishëm është procesi, të vendoset ajo që ka vullnet qytetari”, përfundon mesazhin e saj Kushi.

Ora 12:33
Voton kandidati i PD-AN, Mediu: Merrni fatin tuaj në dorë, vota e vetmja rrugë për të rikthyer Shqipërinë te shqiptarët

Kandidati i PD-AN, Fatmir Mediu votoi në njësinë numër 5 në Tiranë.

Mediu në një video të publikuar në rrjetin e tij social Facebook, theksoi se kjo është dita e shqiptareve dhe ata duhet të marin në dore fatin e tyre duke votuar dhe t’i kthyer Shqipërinë shqiptarëve.

“Kjo është dita juaj, dilni dhe votoni merrni fatin tuaj në dorën tuaj të gjithë të dalin të votojnë, e vetmja rrugë për të rikthyer Shqipërinë te shqiptarët.”, shprehet ai në një video.

Ora 12:05
Ish-Kryemininistri Fatos Nano voton bashkë me bashkëshorten, batuta me gazetarët: Erdha të nxis pjesëmarrjen (VIDEO)

Ish-kryeministri Fatos Nano dhe bashkëshortja e tij, Xhoana Nano, kanë ushtruar sot të drejtën e tyre për të votuar, ku hodhën votën e tyre në qendrën e votimit në Mullet.

Pasi votoi, Nano u ndal të jepte edhe një mesazh të shkurtër para mediave për fituesit dhe humbësit, ndërsa uroi që rezultati të dilte sa më shpejt.

"Unë besoj se duhet të jetë një ditë si të gjithë të tjerat, shpresoj që të mos jetë më e gjatë dhe të mos jetë më e gjatë ajo pritja se në fund një pjesë do gëzohet një do të mërzitet. Por jam i sigurt që ata që do gëzohen do gëzohen për të gjithë dhe uroj që ata që do mërziten të mërziten vetëm për veten dhe të mos i mbajë shumë", tha Nano.

I pyetur për pjesëmarrjen ai bëri një batutë ku tha: ' Pjesëmarrja ishte pak e ulët ndaj erdha vetë, që ta nxis'.

Ora 11:42
Voton kandidatja e LSI Mehmetaj: Koha po ngrohet, duket sikur është gati për të pritur ndryshimin e madh! I ftoj qytetarët të ndryshojnë fytyrën e vendit

Kandidatja e LSI, Kejdi Mehmetaj ka votuar sot nga Fieri ku edhe i ka bërë thirrje qytetarëve të marrin pjesë në proces.

Pas votimit ajo u shpreh se sot është një ditë e bukur dhe se edhe koha e ngrohtë duke sikur po pret ndryshimin. Ajo ftoi të gjithë shqiptarët të shkojnë në qendrat e votimit dhe të bëjnë zgjedhjen e duhur për t’i ndryshuar fytyrën Shqipërisë.

“Sot është një ditë shumë e bukur është një ditë me diell. Duket që edhe koha po ngrohet, është gati për të pritur ndryshimin e madh që po vjen. Ndaj dua t’i ftoj të gjithë qytetarët e Bashkisë së Fierit, të gjithë qarkut dhe gjithë Shqipërisë që të afrohen pranë qendrave të votimit të marrin pjesë në votime, të bëjnë zgjedhjen e tyre dhe të zgjedhin që ta ndryshojnë fytyrën e këtij vendi.”, u shpreh Kejdi Mehmetaj.

Ora 11:26
Ministrja Xhaçka voton: Pjesëmarrja në proces është kontributi më i madh që secili nga ne mund të japë për Shqipërinë

Ministrja e Jashtme, njëherësh kandidate për deputete e PS për qarkun e Korçës, Olta Xhaçka, ka votuar sot në orët e para të mëngjesit pranë qendrës së votimit në Selitë.

Xhaçka i bëri thirrje të rinjve t'i drejtohen kutive të votimit në emër të së ardhmes.

"Sot është dita e qetësisë e maturisë, e qytetarisë dhe e bashkëjetesës demokratike.  
Pjesëmarrja në votim është kontributi më i madh që secili nga ne mund të japë për Shqipërinë ", u shpreh ministrja Xhaçka, e cila pas votimit u nis drejt Kolonjës.

Ora 11:08
Votoi ministrja Gjonaj: Sot dita që vendosni për komunitetin dhe të ardhmen e familjes tuaj

Ministrja e Drejtësisë dhe njëkohësisht kandidate e Partisë Socialiste, e deleguar tek Njësia7 në Tiranë ka votuar në orën 10:30 tek qendra e votimit pranë Akademisë së Arteve së bashku me bashkëshortin e saj. Në një komunikim të saj në rrjete sociale, Ministrja Etilda Gjonaj u shpreh se '100 vite pas zgjedhjeve të para të vitit 1921, Shqiptarët sot zgjedhin Kuvendin e katër viteve të ardhshme.

Këto zgjedhje janë të shumë të rëndësishme dhe është dita të vendosni për komunitetin tuaj dhe gjithçka që ka më shumë rëndësi për të ardhmen e familjes tuaj. Si votues, të gjithë jemi të barabartë në përcaktimin e së ardhmes sonë. Ndaj është tejet e rëndësishme të shkoni të votoni!', u shpreh ajo pasi votoi. 

Ora 10:55
E shoqëruar nga djali dhe bashkëshorti, voton Jozefina Topalli: Një votë proteste e ndëshkimi për të gjithë ata që kanë zhgënjyer, sot fillon një kapitull i ri (VIDEO)

Kryetarja e Lëvizjes për Ndryshim Jozefina Topalli sapo ka votuar në Shkodër e shoqëruar nga djali i saj Genar Topalli dhe bashkëshorti. Në fjalën e saj për mediet ajo ka thënë se sot është një ditë ku do të fillojë ndryshimi për të gjithë shqiptarët. Topalli apeloi për një votë ndëshkimi për të gjithë ata që sipas saj kanë zhgënjyer.

“Jam e sigurtë se ndryshimi  fillon te kutia e votimit dhe sot është një ditë ku do fillojë një kapitull i ri për shqiptarët. Një votë proteste një votë ndëshkimi për të gjithë ato që kanë zgënjyer dhe kanë tradhëtuar besimin dhe interesat e shqiptarëve. Që sot fillon një kapitull i ri”, tha Topalli.

Ora 10:43
Tabaku publikon foton me familjen: Bashkë me Saimirin votuam për Arbën, Irisin dhe Drenin

Kandidatja e Partisë Demokratike, Jorida Tabaku në Tiranë ka votuar sot e shoqëruar nga familja e saj.

Përmes një postimi në rrjetin saj social Facebok, Tabaku ka publikuar një foto së bashku me 2 vajzat e saj binjake, djalin e vogël dhe bashkëshortin.

“Bashkë me Saimirin votuam për Arbën, Irisin dhe Drenin!”, shkruan ajo duke ftuar qytetarët të votojnë për Partinë Demokratike.

Ora 10:36
Rama voton i shoqëruar nga bashkëshortja Linda: Demokracia sport pa spekaktorë, gjithkush duhet të gjuajë penalltinë e tij (VIDEO)

Kryeministri Rama ka sot rreth orës 10:30 në qendrën e tij të votimit në fshatin Surrel në Tiranë. Rama ka qenë i shoqëruar nga bashkëshortja e tij, Linda Rama.

"Sot është një ditë shumë e bukur! Sot është dita të mos ushqejmë asnjë ndjenjë negative ndaj askujt që me votën e vet shpreh një opinion tjetër. Të mos harrojmë se jemi një familje e madhe  në të njëjtin atdhe. Askush të mos harroj se demokracia është një sport pa spektator dhe të gjithë duhet të zbresin në fushë. Ndaj zbrisni në fushë dhe gjuani penalltinë tuaj", tha Rama.

Ora 10:17
Votojnë Manastirliu dhe Denaj: Kjo ditë shumë e rëndësishme, do të përcaktojë qeverinë e 4 viteve dhe drejtimin që do të marrë vendi në dekadat që do të vijnë (VIDEO)

Ministrja e Shëndetësisë , Ogerta Manastirliu e shoqëruar nga bashkëshorti ka votuar në shkollën 9-vjeçare “Jeronim Derada”.

Pas votimit ajo u shpreh se sot është dita kur sovrani do të zgjedh jo vetëm qeverinë e 4 viteve por edhe drejtimin që do të marri vendin gjatë dekadave të fundit.

“Sot është dita kur duhet të dëgjohet fort zëri i qytetarëve. Sepse vota e tyre, nuk do të përcaktojë thjesht qeverinë e 4 viteve të ardhshme. Mbi të gjitha, vendimi që do të marrë sovrani sot në kutitë e votimit, do të përcaktojë drejtimin që do të marrë Shqipëria jonë në dekadat që do të vijnë. Jam e bindur se qytetarët shqiptarë do ta bëjnë me qetësi dhe mençuri zgjedhjen e të ardhmes së vendit ku duam të rrisim fëmijët tanë”, u shpreh Ministrja Ogerta Manastirliu

Edhe ministrja e Financave dhe e Ekonomisë Anila Denaj, njëkohësisht  kandidate për deputete në Qarkun e Vlorës, votoi sot në Qendrën e Votimi në shkollën “Kosova” në Tiranë, e shoqëruar edhe nga bashkëshorti i saj.

Pas votimit, ministrja Denaj deklaroi, se "kjo ditë është shumë e rëndësishme për të gjithë shqiptarët, për të shprehur mendimin e tyre, votën e tyre të lirë, për kë do ti qeverisë në 4 vitet e ardhshme. Votim të mbarë!"

Kujtojme se Ministrja Denaj  është kandidate me nr 4 në Qarkun e Vlorës, për Partinë Socialiste, që mbulon Sarandën, Delvinën, Konispolin dhe Finiqin.

Votuan ministrja e Shëndetësisë, Ogerta Manastirliu dhe ajo e Ekonomisë, Anlia Denaj.

Ora 10:15
Voton Sali Berisha: Po shkojmë drejt fitores (VIDEO)

Ish-kryeministri Sali Berisha i shoqëruar nga bashkëshortja ka votuar sot në shkollën “Kosova”. Në procesin e votimit pati një vështirësi në njohjen e shenjave të gishtave. Në deklaratën për medie ai përshëndeti me dy gishtat lart dhe u shpreh i bindur se opozita po shkon drejt fitores.

“Ftoj me këtë rast çdo qytetar të këtij vendi të fillosh ditën e sotme një fitore madhështore për Elbasanin. Të votojë për familjen fëmijët nipërit mbesat të votojnë për meigrantët që një regjim një regjim në largim i bllokoi u shpiku karantinën si një mjet politik për të mos lejuar votimin e tyre.

Të votojmë për të gjithë ata të cilët i thonë lirisë liri dhe Shqipërisë Shqipëri, rroftë fitorja. Deri tani votimi po ecën i sigurtë drejt fitores me gjithë grahmat përpjekjet e përpëlitjet anti ligjore të pamoral fitorja po bëhet çdo sekondë çdo minutë më e madhe më e biukur më e fuqishme”.

Ora 09:55
Veliaj voton së bashku me bashkëshorten: Vota është më e fortë se plumbat! Njerëzit duan qytetarinë, jo dhunën e sherrin

Kryetari i Bashkisë së Tiranës Erion Veliaj, i cili në këto zgjedhje drejtoi qarkun e Tiranës për Partinë Socialite, votoi së bashku me bashkëshorten e tij, Ajola Xoxa ne Parkun Olimpik.  Pas votimit, në një deklaratë për mediat, Veliaj u bëri thirrje qytetarëve që të votojnë, sepse vota është më e fortë se zhurma dhe plumbat. 

"Patëm shumë çudira, por them se çdo gjë është mirë që përfundon mirë. Kemi një shans historik që kjo të përfundojë mirë. Është një ditë e bukur, njerëzit kanë dalë masivisht. Kam besuar se shumica e njerëzve e do qytetarinë, nuk e do dhunën, nuk do sherrin, nuk do rrëmujën, do familjen, respekton qytetin e tij. Kemi mundësinë që sot ta përfundojmë mirë historinë zgjedhjeve. Unë dhe Ajola jemi shumë të lumtur që shohim familje të kapur prej duarsh, burra e gra që po votojnë si të ishte një ditë vere. Edhe ne do ta trajtojmë si një ditë feste, si me qenë dita e verës. Abraham Lincoln e thoshte shumë bukur ‘Vota është më e fortë se plumbat, vota është më e fortë se dhuna, vota është më e fortë se zhurma’", u shpreh Veliaj.

 

Ora 09:48
Balla voton me djalin e vogël: Humbësi të pranojë rezultatin dhe të gjithë bashkë të ndërtojmë Shqipërinë (VIDEO)

Kryetari i grupit parlamentar të PS, Taulant Balla ka votuar në qendrën 2704 në Librazhd.

Balla ishte i shoqëruar nga bashkëshortja Iris Piemezi dhe djali i tij i vogël, me të cilin i është drejtuar edhe kutisë dhe kanë votuar së bashku.

Pas votimit, Balla ftoi të gjithë qytetarët me të drejtë vote të shprehin vullnetin e tyre të lirë përmes votës. Ai shtoi se humbësi i zgjedhjeve duhet të pranojë rezultatin dhe të bashkëpunojë për të ndërtuar Shqipërinë.

“Sot është një ditë shumë e rëndësishme për Shqipërinë jam shumë i sigurt që do të jetë një ditë e qetë. I bëjë thirrje të gjithë qytetarëve me të drejtë vote, në këtë ditë të bukur me diell të dalin të votojnë. Të votojnë për të ardhme e tyre në Shqipëri. Në mënyrë të veçantë qytetarëve të qarkut të Elbasanit shumë mirënjohje dhe punë të mëdha na presin.

Humbësi duhet domosdoshmërish të pranojë rezultatin dhe duhet të gjithë së bashku të ndërtojmë Shqipërinë”, u shpreh Taulant Balla.

Ora 09:16
Albin Kurti voton për herë të parë në Shqipëri: Bëni zgjedhjen më të mirë (VIDEO)

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka votuar  sot për zgjedhjet në Shqipëri. Kreu i Vetëvendosjes e ka hedhur votën në kopshtin nr.31, në zonën e ish-Bllokut në Tiranë. Në prononcimin për media, Kurti kishte një mesazh për të gjithë qytetarët shqiptarë, që të zgjedhin kandidatin më të mirë sipas vlerave dhe parimeve.

“Dita e zgjedhjeve është ditë e demokracisë, i ftoj qytetarët që të respektojnë Atdheun duke votuar dhe duke bërë zgjedhjen më të mirë sipas parimeve. Dita është e bukur, me diell, e diel dhe do jetë deri në mbrëmje.” u shpreh Kurti në një prononcim për mediat.

Ora 09:04
Gruaja e tij pa shtetësi shqiptare, Basha voton i vetëm: Dilni e votoni masivisht për të ardhmen! Sot është dita e Shqipërisë dhe demokracisë (VIDEO)

Kreu i PD Lulzim Basha ka votuar në njësinë numër 8 në Tiranë i vetëm dhe i pashoqëruar nga bashkëshorjtja e tij Aurela Basha, pasi kjo e fundit ka shtetësi holandeze dhe jo shqiptare e kësisoj nuk e ka të drjetën që të shprehë vullnetin e saj me votë në vendin tonë. Në dalje për mediet në mesazhin e tij Basha ka thënë sot është dita të dalin të gjithë të votojnë masivisht për të ardhmen e Shqipërisë.

“Sot është një ditë e mrekullueshme për vendin tonë, është  një ditë historike, është dita kur të gjithë ne kemi fuqinë në dorën tonë, të gjithë shqiptarët kanë fuqinë në dorën e tyre, të gjithë ju keni në dorë fuqinë tuaj, për fëmijët tuaj, për familjet tuaj, për vendin, për kombin. Sot është dita të dilni dhe të votoni masivisht. Të dilni dhe të bëni me votën tuaj, të mundur të ardhmen që dëshironi për familjen, për vendi tuaj dhe për veten tuaj. Sot është dita e Shqipërisë, është dita e demokracisë. Dilni masivisht dhe hidhni votën tuaj. Jam i lumtur që votën time e kam hedhur sot, në praninë e votuesve për herë të parë këtu në lagjen ku kam lindur dhe ku jam rritur dhe i bëj thirrje çdo djali dhe çdo vajze, çdo burri dhe çdo gruaje. Dilni masivisht dhe votoni! Kjo është dita juaj, është dita e demokracisë, është dita e Shqipërisë.  Faleminderit! Zoti e bekoftë Shqipërinë”, tha Basha.

Ora 08:08
Voton kreu i Kuvendit, Gramoz Ruçi: Sot fiton qytetaria e shqiptarëve, kush mundohet ta bëjë pis do të pendohet (VIDEO)

Kryetari i Kuvendit, Gramoz Ruçi ka votuar rreth orës 8:00, në Qendrën e Votimit pranë Liceut Artistik në Tiranë.

"Kjo ditë është e shenjtë për qytetarët shqiptarë sot. S'është dita e politikanëve por e shqiptarëve. Sot do të fitojë qytetaria e qytetarëve shqiptarë. Ne politikanët duhet të heshtim dhe të pranojmë verdiktin e qytetarëve.  Kushdo që do të mundohet që ta bëjë pis popullin shqiptarë do të pendohet. Nga nesër do të kemi një fitues dhe një humbës, fituesi duhet të administroje fitoren dhe humbësi ta pranojë atë pa panik dhe dhimbje", tha Ruçi.

 

Ora 07:15
Voton edhe Presidenti Ilir Meta: Për Kushtetutën, për Shqipërinë në Evropë! Të gjithë drejt kutive të votimit (VIDEO)

Presidenti i Republikës Ilir Meta ka votuar menjëherë pas kryetares së LSI, bashkëshortes së tij Monika Kryemadhi

"Për Kushtetutën, për Republikën, për demokracinë, për Shqipërinë në Evropë", tha Ilir Meta teksa hidhte fletën e votimit në kuti.

Duke folur për mediat jashtë qendrës së votimit Meta tha se kjo është një ditë e bekuar.

"Më në fund erdhi kjo ditë e bekuar, kjo ditë e mrekullueshme edhe zoti na ka ndihmuar sot që sovrani ti ketë kushtet sa më të mira për ta shprehur vullnetin e tij.  Barazim para ligjit na e garanton vetëm barazia para votës, çdo qytetar të votojë i lirë. Në këto zgjedhje ka mundësi të votojë për kandidatin më të mirë për alternativën që besojnë. I ftoj të votojnë të lirë. Te alternativa që besojnë të zgjedhin kandidatët më të ndershëm", tha Meta.

I pyetur në lidhje me axhendën e tij sot, Presidenti Meta tha se Presidenti ka një axhendë që mbivendoset në çdo sekondë

"Punën më të rëndësishme sapo e bëra.  Sot është një akt patritotik, mbrojtja e atdheut,  atdheu mbrohet me votë me sjellje të qytetaruar. Gjithë bota i ka sytë te Shqipëria, mbarëvajtja e këtij procesi do ta bindë që ne jemi një vend që meritojmë të shkojmë në BE. Votoni për kandidatët më të mirë që mendon se janë më të mirë që s'do tu binden kryetarë të tyre si kukulla", tha ai.

Ora 07:07
Që në 7:01 Monika Kryemadhi voton e para sapo hapen kutitë e votimit: Shqiptarët të votojnë të qetë (VIDEO)

Vetëm 1 minutë pas hapjes zyrtarisht të procesit të votimit, ka qenë kryetarja e Lëvizjes Socialiste për Integrim e cila ka votuar e para sot në qendrën e votimit te kopshti 31 në njësinë 5.

“Dua t’ju bëj thirrje sot të gjithë qytetarëve që t’ju drejtohen qendrave të votimit të qetë, të bindur, për atë që duan të realizojnë nëpërmjet votës së tyre. Vota e qytetarëve është një votë e shenjtë, është një votë që për hir të së vërtetës do t’i japë mundësinë dhe shansin të rinjve dhe të rejave, të gjithë qytetarëve, që nëpërmjet verdiktit të tyre të çojmë Shqipërinë më shumë se kurrë drejt Evropës. Unë ju uroj suksese të gjithë kandidatëve, sidomos kandidatëve të LSI-së, siç ndodh gjithmonë, kështu që jam e bindur që fitorja do të jetë e patjetërsueshme për LSI-në”, deklaroi Kryemadhi pasi votoi. 

K.T./I.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Miri: 25/04/2021 20:22

    Rama

    Përgjigju
  • mimi: 25/04/2021 07:27

    Edi Rama e meriton fitoren e trete

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?