Ministri i Jashtëm grek Nikos Kotzias është në momentin historik për vendin e tij të zgjidhjes së një problemi absurd, që ekziston mes dy vendeve tona. Jo më shumë sesa pak orë më parë, ai ka pranuar një keqkuptim shumëvjeçar duke pohuar kështu dhe qëndrimin e ri grek se: Ligji i Luftës është një skizofreni historike.
Shqipëria me gjithë hapat e saj miqësorë dhe shtrirjen e dorës së mirëkuptimit ka marrë gjithnjë në kthim neglizhencën dhe shtyrjen në kalenda të heqjes së Ligjit të Luftës. Edhe pse është afruar disa herë zgjidhja, autoritetet greke e kanë shtyrë, me këtë rast duke mbajtur një situatë pezulli, që i ka justifikuar shumë nga qëndrimet e saj politike dhe sidomos diplomatike.
Falë këtij “kushti” dhe “realiteti”, pala greke ka gjetur shumë justifikime në historinë për shqiptarët. Një e tillë ka justifikuar konfliktin e fund-viteve ’40, ngrirjen e marrëdhënieve për dekada të tëra, sulmin në kufi pas viteve ’90, vitin ’97 dhe shumë qëndrime të tjera. Anipse, nuk duhet harruar se ishte Greqia që hapi kufirin e saj për qindra-mijëra shqiptarë, të cilët u derdhën drejt saj për t’i shpëtuar varfërisë së skajshme të viteve ’90. Shqipëria ia ka shprehur mirënjohjen shpesh zyrtarisht, kurse qytetarët e saj në çdo aspekt të jetës, jo rrallë deri duke përfaqësuar interesat e Greqisë në fusha të ndryshme.
Është pikërisht kjo miqësi që e bëri Ligjin e Luftës më shumë sesa një absurditet, një skizofreni si e quajti Ministri i Jashtëm grek duke hapur pak a shumë dhe kapitullin e ri të marrëdhënieve tona, që do të thotë shumë për të ardhmen.
Ashtu si me të drejtë kishte parashikuar media greke, që posedon burime më të afërta, Greqia është tërhequr nga protokolli i Korfuzit, por më shumë nga të gjitha do të abrogojë në formën e kërkuar nga Tirana zyrtare Ligjin e Luftës të vitit 1940, një mundësi që do t’u japë leje shqiptarëve të kërkojnë dhe të rikthejnë pronat e tyre në Greqi. Fillimisht, flitet për rreth 1800 raste shqiptarësh të cilët kanë humbur pasurinë në vitin 1940, jo të përkatësisë çame, ndërkohë që me gjasë do të fillojë një bisedim i ri për ta.
Po ashtu, Greqia, lidhur me marrëveshjen detare,mund të shtrihet në 12 milje, duke përcaktuar “vijën e mesme” që e favorizon përkundrejt Turqisë. Në bisedimet e ardhshme pretendohet se duhet të zgjidhet përcaktimi i zonave “Joni 1” dhe “Joni 2” ku qeveria greke ka thirrur prej disa kohësh kompani të huaja për kërkim hidrokarburesh.
Për fat, gjithçka është futur në hulli, sepse orët e fundit u bë njohja e patentave të makinave, shpejt do fillojë rishqyrtimi i teksteve shkollore në Shqipëri, sa i përket shikimit të figurës së fqinjit.
Teknikisht, ka pasur para qeverisë greke gjithnjë dy mundësi ligjore për abrogimin e Ligjit të Luftës. E para kishte lidhje me faktin se dekreti ishte mbretëror, ndërsa tjetra ajo që e lidhte shpalljen e Ligjit me procedurën parlamentare. Greqia, falë “kompleksitetit” të problemit e ka shmangur, por shpesh është parë se ka qenë e interesuar për ta mbajtur pezull, një gjendje e cila nuk i përgjigjej marrëdhënieve tona, duke krijuar një patologji historike.
Dhe, jo befas, edhe skizofrenia historike e pati një zgjidhje dhe ajo ishte kthimi te arsyeja. Shqipëria, nga ana e saj, e bëri me lëshime të shumta dhe të dhimbshme, por edhe me përgjigje pa komplekse ndaj pretendimeve të shumëllojta greke. Erdhi koha, që realisht Greqia t’i përgjigjet si duhet historisë. Ministri Kotzias është në vendin dhe në kohën e duhur të tregojë përmasat e tij në karrierë, por edhe imazhin e ri të vendit të tij me fqinjët. Javanews
Po sigurimet e punes qe shqiptret kane punuar ne vendin fqinj kur do njihen zoti minister i famshem se nuk na duhen patentat se ata kush i mori i ka mare me kohe nuk priti 2018 ky eshte leshim koti..simbas meje
Përgjigju