Mesdheu po digjet nga vapa dhe flakët, teksa nuk mungojnë as viktimat.
Përveç Shqipërisë dhe pothuajse të gjithë Ballkanit, një prej zonave që po vuan fenomenin e zjarreve është edhe Gadishulli Iberik dhe veçanërisht Spanja, e cila po përjeton një ditë tjetër të vështirë sot, me zjarrfikësit që luftojnë me 14 fronte kryesore zjarri.
Kushtet janë të pafavorshme, me të nxehtin afrikan apo siç quhet ndryshe ‘ferri saharian’. Dhe bilanci deri tani është mëse tragjik, zjarret kanë vrarë tashmë 7 persona dhe kanë djegur më shumë se 1.5 milionë hektarë me tokë, pyje, bimësi e pemëtari.
Një valë e vazhdueshme nxehtësie gjatë 12 ditëve të fundit, e kombinuar me erëra jugore, është një shenjë jo e mirë për një ditë tjetër të vështirë për zjarrfikësit në një nga verat më të këqija të zjarreve në 20 vjet, tha Virginia Barcones, kreu i shërbimeve të emergjencës.
"Në pjesën perëndimore të vendit situata është jashtëzakonisht shqetësuese", theksoi ai, duke folur për transmetuesin RTVE.
Në Galicia, një front i madh zjarri ka çuar në mbylljen e autostradave dhe linjave të trenave në rajon.
Agjencia kombëtare meteorologjike AEMET ka lëshuar një paralajmërim ekstrem për rrezik zjarri për veriun dhe perëndimin e vendit, me temperatura që pritet të arrijnë deri në 40 gradë Celsius në bregdetin verior.
"Sot do të jetë një ditë tjetër shumë e vështirë, me një rrezik ekstrem për zjarre të reja", shkroi kryeministri Pedro Sanchez në X.
Zjarrfikësit po luftojnë për të shuar zjarret në të gjithë Evropën Jugore, me flakët e nxitura nga një valë e zgjatur e nxehtësisë që prek rajonin.
Avincis, ofruesi më i madh i shërbimeve ajrore emergjente në Spanjë dhe Evropë, njoftoi se ka regjistruar një rritje prej 50% krahasuar me vitin e kaluar në orët e fluturimit në operacionet e shuarjes së zjarreve në Spanjë dhe Portugali deri më tani këtë sezon.
Komente
