Pas dy grupeve të mëdha të opozitës, Partisë Demokratike dhe demokratëve të Rithemelimit, që refuzuan Komisionin e Posaçëm anti-korrupsion, të ngritur të enjten në Kuvend me 74 votat e socialistëve, edhe aleatët e vegjël rreshtohen pro bojkotit të tij.
Kreu i LZHK, Dashamir Shehi e quajti teatër pa moral që para zgjedhjeve, kërkon t’i bëjë presion SPAK.
“Ne e kemi konsideruar një dokument pa vlerë që nuk lufton realisht korrupsionin, qeveria i ka mjetet e nevojshme për ta luftuar korrupsionin. S’ka si e lufton korrupsionin një komision i dominuar po nga kjo qeveri, me kryetar po këta të shumicës. Është një lloj teatri për t’i hedh hi sy popullit”, tha Shehi.
Edhe kolegëve të vet opozitarë, i kërkon të mos pranojnë dialog për t’u ulur në vendet e dedikuara për opozitën.
“Çfarëdo lloj veprimi nga grupe opozitare për të bërë pjesë e këtij triku politik parazgjedhor për ti bërë presion SPAK do lejë përshtypje të keqe para shqiptarëve”, u shpreh Shehi.
Në seancën e së enjtes, asnjë prej deputetëve të partive të vogla opozitare nuk votoi për ngritjen e Komisionit të Posaçëm Anti-Korrupsion, duke iu bashkuar bojkotit të grupit parlamentar të PD.
Këtë vendim on bllok, nuk e respektuan vetëm 6 deputetë, Ervin Salianji Lindita Metaliaj, Ilda Dhori, Elda Hoti, Agron Shehaj dhe Albana Vokshi.
Komisioni i Posaçëm anti-korrupsion do të ketë 11 anëtarë, me një afat fillestar 10 mujor, ndërsa drejtues pritet të jetë socialisti Fatmir Xhafaj. Objekti i komisionit, sipas projekt-vendimit do të jetë skanimi dhe reformimi i luftës ndaj korrupsionit dhe sundimi i ligjit në funksion të integrimit evropian të vendit.