‘Edhe unë si Bedrija!’ Gruaja nga Tropoja telefonon dhe rrëfen për Report Tv tmerrin e 25 viteve martesë: Burri e nipi i tij më rrahin, s’më lënë të punoj tokën! Apel për ndihmë

8 Janar, 12:16| Përditesimi: 8 Janar, 14:39

  • Share

Dhuna në familje është një plagë e thellë për shoqërinë shqiptare. ‘Turpi’ nuk lë shumë gra të ngrenë kokë dhe të shkëputen nga marrëdhënia toksike me bashkëshortin që në disa raste u ka marrë dhe jetën. E fundit ishte Bedrija, nëna e 4 fëmijëve e cila u vetëvra duke pirë fotoksinë më 2 janar 2024.

Rasti i Bedrijës nuk është i vetëm

“Unë kam përjetuar njësoj si Bedria” thotë një grua nga fshati Hoxhaj e Tropojës e cila telefonoi sot në emisonin “Shtypi i Ditës dhe ju" me gazetarin Andi Kapxhiu në Report Tv për të denoncuar dhunën dhe kërcënimet nga bashkëshorti e familja e tij.

Gruaja e divorcuar prej një viti nuk lejohet nga bashkëshorti e njerëzit e tij të punojë tokën, e vetmja mënyrë për të jetuar dhe ndihmuar dy fëmijët e saj studentë në Tiranë.

Ajo thotë se është dhunuar nga bashkëshorti dhe nipi i këtij të fundit. Pas denoncimit që ka bërë në policinë e Tropojës më 20 tetor 2023, në vend që të shoqëroheshin dhunuesit është mbajtur ajo për 6 orë në polici.

Gruaja tashmë është larguar nga fshati dhe është vendosur në Tropojë por kërkon ndihmë pasi ata nuk e lejojnë të punojë tokën me prodhimet e të cilës ajo mban veten dhe ndihmon fëmijët. E gjendur pa zgjidhje dhe pa ndihmë nga policia dhe pushteti lokal në Tropojë, përmes Report Tv gruaja kërkon ndihmë nga ministri të Brendshëm Taulant Balla apo instancat e tjera shtetërore në Tiranë.

Ne po e sjellim të plotë rrëfimin që gruaja dha për gazetarin Andi Kapxhiu sot në emisionin “Shtypi i ditës dhe ju”. Është zëri dhe i atyre grave shqiptare të cilat shpesh u takon të luftojnë vetëm me mish e me shpirt kundra të gjithëve dhe pa ndihmë. Një betejë që ka nga ato dhe që dorëzohen por ka dhe gra si kjo nga Tropoja që ngre zërin fort për veten dhe dy djemtë e saj.

Telefonata e zbardhur

Gruaja: Edhe unë kam përjetuar njësoj si Bedria” Jam një familje nga Tropoja. Kam probleme me bashkëshortin, kunatin e djalin e kunatit. Më 20 tetor (2023) më ka qëlluar djali i kunatit. Më ka mbajtur bashkëshorti e më ka rënë djali i kunatit. E kam denoncuar. Asnjë veprim nuk ka marrë policia e Tropojës, përkundrazi më ka marrë mua më ka çuar në polici.

Unë jam e rrezikuar nga tre familjarët e tij . I bëj thirrje shtetit, Taulant Ballës të bëjë drejtësi. Nuk guxoj të dal as nga shtëpia e të punoj. Të punoj tokën se nuk kam asnjë të ardhme tjetër në botë.

Report Tv (Andi Kapxhiu) A keni bërë denoncimin?
Gruaja:  E kam bërë. Më 20 tetor kam bërë denoncimin. Përkundrazi nuk e kanë thirru atë, por më kanë thirrur mua. Më kanë mbajtur brenda 6 orë mua, të tre që janë dhunuesit nuk janë mbajtur aty. Kam dëshmitarë në katundin tim. I bëj thirrje shtetit.

Report Tv: Nipi i burrit ju ka dhunuar? Ku?
Gruaja:
Në fshatin tem Hoxhaj,Tropojë e vjetër ku jetoj prej 25 vitesh jetoj aty e ha bukë. Ata nga inati se bëj punën unë më janë kthyer me gjithë bashkëshortin. Bashkëshorti më ka mbajtur ai më ka rënë.

Report Tv: Kur kanë nisur problemet?
Gruaja:
 25 vite i kam aty, nuk kam gjetur gjuhën e përbashkët me atë njeri por më fali Zoti dy fëmijë u detyrova të rrij në atë zhurmë.

Report Tv: Fëmijët ku i keni?
Gruaja:  Fëmijët janë në Tiranë, janë në shkollë të dy.

Report Tv: E dinë fëmijët që babai ushtron dhunë?
Gruaja:  E dinë e dinë, por shiko, na vjen keq, opinioni…pse u nda.. por kur më rrahën me gjithë njerëzit e familjes u detyrova ta bëj denoncimin. Ka një vit që kemi bërë divorcin por unë aty punoj tokën se aty ha bukë. Jam ankuar në bashki të më lënë një punë.

Report Tv: Keni bërë divorc?
Gruaja: Ka bërë ish bashkëshorti ka bërë kërkesën.  Jemi ndarë me letra. Por jam e dhunuar nga ai dhe familjarët e tij.

Report Tv: Pse jeton ende me familjen e bashkëshortit e njerëzve të tij, nuk ke ku të shkosh?
Gruaja:  Unë në dhomë timen, ai në dhomën e vet. Vijmë, dalim. Më është dashur të ha bukë. Ai nuk kontribuon asgjë as për mua as për fëmijët.

Report Tv: Jetoni në të njëjtën banesë apo në shtëpitë afër në fshat
Gruaja:
Në një banesë kam jetuar me të gjithë bashkëshortin, e me kunatin. Por tani jo. 15 ditë para vitit të ri kam ikur e kam shkuar në qytet,  se nuk ia dola me ta.

Report Tv: Gjatë këtyre 15 ditëve ke pasur më probleme me ta?
Gruaja:
 Jo, jo, nuk kam pasur më problem. Jam afër familjarëve të mi por më duhet të dal në fshat se më duhet të ha bukë.

Report Tv: Je e kërcënuar?
Gruaja:
Jam e kërcënuar se nuk më lënë të punoj tokën. Ata nuk duan ta punojnë tokën por as mua nuk më lënë ta punoj. E kam shumë të domosdoshme se nuk kam ku të shkoj. Jam ankuar në Bashki për të gjetur një punë. Edhe me kazëm punoj mjafton të kem punë por nuk kam gjetur

Report Tv: Si kanë reaguar fëmijët pasi jeni divorcuar, a nuk ju kanë gjetur diçka tju ndihmojnë?
Gruaja:
 Nga opinioni fëmijët nuk janë marrë me njerëzit e burrit. I kanë thënë babait që të mos degradojë situatën, por nuk ka marrë vesh. Janë detyruar fëmijët të tërhiqen. Nuk i kam lënë të vijnë të rrihen me djalin e xhaxhait të vet. U kam thënë se nëse nuk merr masa shteti do i bie vetë. Të tre mua të më lënë të punoj tokën e të më lanë të qetë.

Report Tv: Në Prokurori më thanë a pajtohesh me bashkëshortin?
Gruaja:
Po mor i thashë, por burri refuzoi. Unë firma nuk nxjerr se dua të di për çfarë ndahem. Dua hisen e tokës dhe konakun që kam bërë, se unë diku duhet të banoj. Shtëpinë e vet ia lëshoj, të rrinë. Por tek stani që e kam bërë vetë dhe tokën që e kam punuar me krahët e mi e dua tokën. Nuk e kam hedhur firmë.

Jam shumë e dhunuar psikologjikisht e fizikisht. Më kanë rënë i kam rënë, nuk kam qëndruar duarkryq. Dua hisen e tokës. Ai ka shtëpinë e vet e nuk i hyj në shtëpi por tokën e dua. Sa të kem shëndetin e punoj, kur të mos e kem e lë.

Report Tv: I bëjmë thirrje institucioneve shtetërore që të reagojnë
Gruaja:
 Kam dëshirë të vini të shihni rrugëtimin tim, si e bëj tek toka vetë. Pa ndihmën e bashkëshortin. I gjithë rrethi i Tropojës më njohin. Mbjell kopshtin e vij e shes në treg. Jam ankuar disa herë tek bashkia por nuk më ka dhënë zgjidhje. Se diku do të ha bukë unë, fëmijët e mi duhen mbajtur. Ata punojnë po ku u del leku fëmijëve të mi, në Tiranë, me shtëpi me qira, duan të hanë, veshur pa ndihmën time. I ati nuk jep asnjë kontribut për ta. Djemtë i kam shumë shumë të mirë. Më kanë thënë që do të vijnë pas Vitit të Ri se ishin në punë.

Ora 13:10
Gruaja nga Tropoja telefonon në Report Tv: Burri e nipi më rrahën, policia e Tropojës nuk shoqëroi dhunuesit, mua më mbajti 6 orë në komisariat

1704712731_andikapxhiu.jpg

Një grua nga fshati Hoxhaj e Tropojës telefonoi sot në emisonin “Shtypi i Ditës dhe ju" me gazetarin Andi Kapxhiu në Report Tv për të denoncuar dhunën dhe kërcënimet nga bashkëshorti e familja e tij.

Ajo thotë se ka bërë denoncimin në polici e Tropojës për dhunën që ka ushtruar bashkëshorti i saj dhe nipi I tij por në  vend që të shoqëronte dhunuesit ka shoqëruar atë.

Gruaja:  Më 20 tetor (2023) më ka qëlluar djali i kunatit. Më ka mbajtur bashkëshorti e më ka rënë djali i kunatit. E kam denoncuar. Asnjë veprim nuk ka marrë policia e Tropojës, përkundrazi më ka marrë mua më ka çuar në polici. Përkundrazi nuk e kanë thirrur atë, por më kanë thirrur mua. Më kanë mbajtur brenda 6 orë mua, të tre që janë dhunuesit nuk janë mbajtur aty. Kam dëshmitarë në katundin tim. I bëj thirrje shtetit.

E gjendur pa zgjidhje dhe pa ndihmë nga policia dhe pushteti lokal në Tropojë, përmes Report Tv gruaja kërkon ndihmë nga ministri të Brendshëm Taulant Balla apo instancat e tjera shtetërore në Tiranë.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Iris: 08/01/2024 23:53

    Kulmi,mediat te bejne punen e organeve te rendit! Kjo eshte policia qe duam?! Nje pyetje kam: burri dhe te afermit e tij nuk e punojne token ,por dhe kete zonjen nuk e lene t'a punoje,me cfare jetojne?

    Përgjigju
  • Artur: 08/01/2024 12:55

    Duhet arrestuar urgjent gjithë komisariati që ka marr denoncimin

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?