Edi Hila

Edi Hila, një rrëfim për artin e rilindur dhe censurën e viteve ‘70

24 Maj 2018, 08:05| Përditesimi: 24 Maj 2018, 08:10

  • Share

“Edi Hila, Piktori i Transformimit”, ekspozita e parë retrospektive e piktorit të njohur në Galerinë Kombëtare të Arteve me madhështinë që shfaqet merr një dritë të veçantë. Kjo edhe prej projekteve të përbashkëta me Muzeun e Artit Modern të Varshavës dhe Koleksionit Kontakt në Vjenë.

U paskëshin dashur të flisnin mediat ndërkombëtare për veprat e tij, e qenkej dashur të dëgjohej edhe zëri i kritikës botërore, që t’i hapeshin portat për një ekspozitë në Galerinë Kombëtare të vendit të vet një mjeshtri të pikturës si Edi Hila! Absurde kur e dëgjon. Kjo është ekspozita e parë retrospektive e Edi Hilës në këtë institucion.

Ekspozita vjen në Tiranë, pasi u çel në Muzeun e Artit Modern në Varshavë, Poloni, me titullin “Edi Hila Monograhpy” nën kurimin e Erzen Shkohollit, Kathrin Rhomberg dhe Joanna Mytkowska, ku u cilësua nga kritika si “piktori i transformimit”. Kuratorët e këtij muzeu janë befasuar dhe kanë studiuar procesin e veprave të Hilës, u shpreh Kathrin Rhomberg, e pranishme dje në një konferencë për mediat. Epiteti “Piktori i Transformimit” u vendos si titull edhe për ekspozitën e Tiranës, të kuruar sërish nga Erzen Shkololli, Joanna Mytkowska e Kathrin Rhomberg.

Me Edi Hilën bëjmë një udhëtim në ekspozitën e tij dhe kuptojmë se këto vepra ai i ka lidhur me problematikën e Shqipërisë së dikurshme, pa e humbur lidhjen me ndryshimet e sotme. Veprat më të hershme të piktorit Hila janë janë disa vizatime grafiti dhe punë të bëra me bojëra uji, të viteve ’70. Ai thotë se këto punime të vogla i mbante të palosura dhe të fshehura në fletoret e tij. Për të janë çaste që nuk i harron dhe ndjen keqardhje që s’ka pasur mundësi fotografimi, siç është grindja dhe rrahja me dy punëtoreve të pularisë ku e kishin internuar, skenë që i ka mbetur gjatë në mendje.

Ka një ironi therrëse në këtë pikturë, ku në emër të emancipimit komunist vajzat e reja i shpërgulën nga fshatrat, ku zotëronte zanati i bujkut dhe ashtu të padituar e naive i bënë pjesë të asaj që quhej klasë punëtore, që duhej të forcohej si shtyllë mbështetëse e Partisë, siç qe propaganda e kohës. Për Edi Hilën këto vizatime të vogla marrin një rëndësi të veçantë dhe mbartin ditarin e jetës së tij, por edhe të historisë së vendit. Janë përjetime të një përvoje të çuditshme, ku ai duhet të jetonte si një vëzhgues nga lart në këtë ngjarje.

Pozicioni i tij i paracaktuar me talentin nuk mund të ndryshonte dhe prandaj veprat s’e humbasin asnjëherë rëndësinë e tyre. Pikturat e Hilës në këtë ekspozitë kanë dramë, ironi, dhimbje, por mund të shihen qartë si dëshmi vizuale e një Shqipërie që qëndron në një gjendje të përhershme të tranzicionit.  Janë në këtë ekspozitë vepra të bëra në seri. Kjo është mënyra e Edi Hilës për të shprehur një ide, në një seri veprash; “Bulevardi”, “Penthouse”, seria e pikturave me tenda, e më gjerë.

Interesante janë punimet e Edi Hilës të fokusuara në urbanizmin e Tiranës, ku ai ngërthen detajet që flasin për identitetin e saj. Kjo është seria më e fundit e pikturave të Edi Hilës, të cilat thotë se i bëri për ekspozitën “Documenta 14” në Greqi me titullin “Tendë mbi çatinë e makinës”.

“Në pikturat e tij Hila eksploron fenomene të rëndësishme të jetës dhe të historsië globale”, është shprehur kuratorja  dje Kathrin Rhomberg.  Në hyrje të kësaj eskpozitë është edhe vepra e famshme “Mbledhja e pemëve”, një nga pikturat më të bukura të Edi Hilës, realizuar nga artisti në vitin 1970. Ah, ky shpërthim talenti e entuziasmi artistik bëri që Hila të dënohej me punë në një pulari nga regjimi komunist. “Mbledhja e pemëve” është pjesë e fondit të GKA-së dhe është ekspozuar edhe në Varshavë. Erzen Shkololli, drejtori i Galerisë Kombëtare është shprehur se “në këtë ekspozitë prezantohet një punë shumëvjeçare e retrospektivës së Edi Hilës dhe e gjitha kjo bëhet për kontributin e tij në artin shqiptar”.

Shkololli foli edhe për ekspozitën “Dokumeta 14” të Edi Hilës që u çel në Athinë, dhe ekspozitën e muajit mars që u çel në Varshavw. “Ekspozimi i Edi Hilës pati një interes shumë të madh të galerive botërore dhe muzeve, dhe u deshën këto dokumentime që të kuptohej rëndësia e veprës së tij edhe në Shqipëri”, tha Shkololli. Dhe më pas vetë kuratorja Kathrin Rhomberg do të tregonte se si është njohur me punët e Edi Hilës. Ajo ka rrëfyer se ka ardhur në Shqipëri që nga viti 1998 dhe që në atë kohë është njohur me artin e tij.

Ndërsa eskperiencën e ekspozitës në Varshavës e rrëfen me shumë entuziazëm. “Ndihem e privilegjuar që vijë në Tiranë për këtë ekspozitë të Edi Hilës. E quaj privilegj, sepse Edi Hila është një artist shqiptar që i përket historisë së artit europian. Ai është një artist, vepra e të cilit përfshihet në të gjitha temat globale. Te Hila dallohet forca e autenticitetit të vëzhgimit të përditshëm, si dhe universaliteti i parimit ekzistencial”, tha kuratorja Rhomberg. Kuratorët e ekspozitës e vlerësojnë pikturën e Edi Hilës nga detajet, të cilat ai i shfrytëzon për të përcjellë të vërtetën psikologjike të fenomenit të vëzhguar.

Intervista
Ndërsa kujton suksesin që pati në ekspozitën e Varshavës, Edi Hila shprehet:
-“Puna ime retrospektivë u ekspozua në Varshavë dhe atje ishte shumë më lehtë të prezantoja vetveten, sesa në Shqipëri. Këtu vihem në pozitë, se i kam të gjithë miqtë e mi. I gjithë aktiviteti është një kompleks emocional, dhe përgjegjësia për atë që prezatoj përmes pikturës për publikun shqiptar është shumë herë më e madhe. Kjo është retrospektivë që tregon në mënyrë të reduktuar një krijimtari që nuk është e lidhur vetëm me pikturën, por edhe me ndryshimet sociale dhe politike që ka pasur Shqipëria gjatë trancizionit. Gama dhe realiteti i veprës sime dhe mesazhi asaj që kërkoj është më e gjerë dhe nuk është vetëm çështje piktorike. Por sigurisht dhe për mënyrën sesi e kam kërkuar artin brenda vetes sime, asnjëherë nuk e kam shkëputur preokupimin për zanatin, profesionin. Problemet e jetës nuk janë shkëputur asnjëherë nga problemet e profesionit, sepse unë vetëm pikturoj, nuk mund të bëjë asnjë punë tjetër”

Jemi përballë pikturës suaj (“Mbjellja e pemëve”) që ka qenë një nga më të përfolurat vitet e fundit, për shkak se u krijua në një kohë që kërkohej të ndiqej një metodë e caktuar e soc-realizmit. Jemi ende kurioz të dimë se cili ka qenë qëndrimi juaj  emeocional dhe mental, ndërkohë që ishit duke krijuar këtë vepër?
-“Mbjellja e pemëve”, kështu quhet tabloja, u krijua në vitin 1970, por përfundoi në vitin 1972. Siç  e dini pati një shpërthim të artistëve për të krijuar në mënyrë të pavaruar dhe personale. Në këtë kuptim ne çuam deri në fund iluzionin tonë për të bërë një art siç e mendonim. Doli dhe “Mbjellja e pemëve” si rezultat i kësaj fryme. Dhe unë e kam pikturuar lirshëm dhe nuk kanë kaluar më shumë se dy javë për t’u realizuar kjo pikturë. Kjo ka çliruar edhe atë entuziaszëm krijues, por ky entuziazëm nuk zgjati shumë. Më në fund dolën edhe studentët me kritikat e tyre se “po largohen artistët nga vlerat e artit kombëtar”, se “po shihen në piktura gjurmë të artit perëndimor”, etj. Për mua kjo është një pikturë optimiste. S’ke ç’i thua për optimizëm, por ky optimizëm nuk ishte sipas kërkesave të realizmit socialist. Me sa sa duket, optimizmi human nuk ishte deri në fund optimizëm revolucionar.

Patjetër kanë ndikuar edhe ata që nuk e kanë pëlqyer faktin që doli një artist i afirmuar, sepse kishte dhe artistë të popullit e me tituj të tjerë, dhe të gjitha këto ndikuan që kjo vepër pati fatin e keq që u censurua, por dhe fatin e mirë. Them patën edhe fatin e mirë, sepse u mbyllën në një dhomë të errët, ku çelësat i mbante Ministria e Arsimit, dhe për shkak sepse u harruan për 50 vjet në atë dhomë të errët, së bashku me pikturën e Edison Gjergos, “Epika e yjeve të mëngjesit”, të cilat u kritikuan së bashku, arritën të ruheshin mjaft mirë.

Çfarë ndodhi me drejtimin tuaj artistik, me stilin pas kësaj goditjeje që t’u bë pikërisht për thelbin tënd krijues?
-Ajo që ndodhi më pastaj ishte sigurisht rezultati i kritikave që u shoqëruan edhe me kritika të tjera në festivalin e  11-të, kur unë bëra edhe dekorin e këtij festivali. U kritikova se për herë të parë në Shqipëri, nuk u vu kazma dhe pushka. Dhe këto kritika vijuan edhe kur u bë një plenum i posaçëm i Partisë për të frenuar tendencat moderne në krijimtarinë artistike. Nga ana tjetër kjo periudhë ka qenë frymëzuese dhe nxitëse në lidhje me qëndrimin tim artistik, në afirmimin e eksperiencave të komunikimit dhe transmetimin e mesazhit krijues, jo vetëm në përmbajtje, por edhe në format artistike. Unë për të bërë një vepër mbështetem tek e vërteta jetësore, duke ruajtur lirinë e shprehjes artistike.

Janë disa tablo që i përkasin së njëjtës tematikë në këtë ekspozitë...!
-Unë e ndjej se jam në pozicionin e duhur pas një periudhe të gjatë pune. Për të kuptuar se çfarë mendoj unë, punoj me seri. Unë realizoj për një ide 7-8 tablo dhe gjej mundësi për ta shprehur atë ide në forma të ndryshme. Pastaj për të dalë në aspektin estetik, dua të dalë që në atë pikë që kur e nxjerr pikturën në publik, kushdo që e sheh, të kuptojë e të thotë se kjo është piktura ime.

Ja këtu kemi bulevardin e Tiranës...
-Ky është një subjekt tepër i njohur, që të gjithë e kemi konsumuar në rininë tonë në gjenerata të ndryshme, dhe ne ishim të rinj, vajza dhe djem që dilnim në këtë bulevard dhe e kishin harruar faktin që anash tij kishte edhe roje me automatik. Dhe përsëri bulevardi mbetet skena dhe platforma ku janë zhvilluar dhe zhvillohen të gjitha ngjarjet, me manifestime, me protesta. Është një monument i rrallë, dhe ne do të kuptojmë se Tirana ka një bulevard me një fizionomi të vetën dhe mënyra sesi do ta transmentojë këtë ndjesi, aspekti artistik të shtyn drejt racionalitetit. Në atë bulevard jemi përplasur me historië që ka prodhuar poltika gjatë viteve: parakalimet madhështore ushtarake, festat e komanduara nga diktatura komuniste, e të tjera demonstrime. Ky bulevard arriti ta zmadhojë imazhin e qytetit në nivelin e metropolit.

Hija e rëndë që transmetojnë fasadat e ndërtesave të kohës së fashizmit, si ajo e Kryeministrisë, ndërtesa e Komitetit Qendror të dikurshëm, Universiteti përballë, e të tjera, të krijojnë ndjesinë e misterit që e bën unikë këtë bulevard. Të gjitha këto ndjesi kanë qenë shtysat kryesore në punën time me këto tablo. Por këtu krijohet edhe një marrëdhënie me arkitekturën, ndaj gjatë pikturimit të tabllove unë jam orientuar kryesisht nga estetika racionale që të drejton te konceptimi formal i kësaj pikture. Shpesh ne harrojmë se temat që duhen trajtuar janë shumë pranë nesh, e ne vetë jemi pjesë e tyre, jemi të përfshirë dhe nuk e dallojmë shpesh atë të veçantë që e kemi brenda këtij kryeqyteti ku jetojmë.

Kështu ka ndodhur me bulevardin, në të cilin kemi kaluar rininë e jetën tonë. Aty jemi njohur e dashuruar, dhe kur kthehemi tek ky bulevard përjetimi i asaj që shohim si rreptësia e formave dhe volumeve, hapësira ndërmjet tyre, mendoj se do t’i shërbenin më mirë atmosferës së tendosur që ka shoqëruar gjatë viteve marrëdhënien e qytetarëve me të, dhe atë të shumë brezave që kanë përjetime me këtë bulevard. Kam dashur ta pikturojë bulevardin pikërisht nga ky këndvështrimi.

Kjo grua e moshuar që me stëmundim përpiqet të drejtojë pultin për të ndjekur televizorin....
-Është nëna ime. Eshtë në momentet e fundit të jetës. Ishte e sëmurë dhe në momentet e fundit ajo të vetmin lehtësim për për të ikur nga kjo botë kishte ekranin e televizorit. Është një portret shumë i dashur, pjesë e imja.

Interesante tendat.
-Emigracioni shqiptarëve është një temë që më ka prekur, në fakt ndihen pasojat gjithandej. Kjo është një temë që e trajtova edhe në Dokumemta 14 në Athinë, Tenda mbi çatinë e makinës tërhoqi vëmendjen kritikës, dhe pas kësaj erdhi edhe ekspozita e Varshavës. Atëhere ideja lindi fare thjesht, që nga ai momenti i blerjes së një tende që përdoret në turizmin e egër dhe ideja e montimit të saj mbi makinë ishin simbole shumë provokuese dhe domethënëse për mua, duke u nisur nga marrëdhënia e ngushtë që ka tenda me arkitekturën. Kjo punë erdhi si rezultat i përjetimeve të sinqerta të realitetit në të cilin jetoj.

Çadra është një zgjidhje e menjëherëshme për mbijetesë që mbart misterin e vet. Ajo të nxitë në ikje, në izolim. Garanton qetësi, por në të njetën kohë është një siluetë e lëvizshme dhe kërcënuese. Sigurisht e gjithë kjo u vendos në kontekstin e eskpozitës së Athinës dhe Athina vetë është një nga portat kryesore që pret emigrantët nga deti. Tablotë e mija përqëndrohen pikërisht rreth kësaj teme. Ato shprehin me sa munden aventurën dramatike njerëzore te kohëve moderne. Por meqenëse tenda vjen nga antikiteti në formen e mendimit poetik, estetika e re nuk mund te jetë asgjë veçse ajo e makinës.

Se unë vetë pushimet e verës i bëj me çadër, dhe kam blerë një çadër që montohet mbi çatinë e makinës. Në këtë seri unë nuk kam qenë aspak idiferent, kam pasur një tërheqje mjaft serioze ndaj tematikës për të dhënë krahasimin me emigracionin. Makina është sinteze e një kohe të re, fryme të re, është arsyeja, është estetika, është poezi është arkitekturë, dhe pa dyshim, është histori, ndërsa tenda nuk është gjë tjetër veçse ndalesë e shpejtë dhe zhvendosje nga një destinacion në tjetrin.

Tani jemi tek vizatimet e shumë viteve më parë...
-Kryesisht këto vizatime i takojnë kohës kur kam punuar në pularinë e qytetit, në të cilën kam kryer një masë riedukimi pranë klasës punëtore, sic quhej atëkohe. Aty ka qenë një personazh interesant që bluante sojën. Nuk e di nëse e përfytyroni por ishte një punë e rëndë që të zinte frymën. Kishet shumë fëmijë dhe punonet në këtë punë të vështirë se paguhej pak më tepër. S’kam për ta harruar kur më tha me një humor të hollë.

Po kur të kanë sjellë për ët dënur ty, edhe ne që punojmë qenkemi të dënuar....Unë isha vendosur në këtë realite si një vazhdues i heshtur duke rënë në kontakt shumë të afërt me një realitet të cilin nuk e kisha njohur më parë, dhe me trysninë psikologjike që kisha prej faktit se isha duke kryer një dënim, sidomos në një regjim diktatorial kaq të egër, ndaj reagimi im ka qënë kompleks dhe është shprehur përmes këtyre vizatimeve.

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?