Edi Martini, trajneri i Vllaznisë

Sport

Edi Martini 'heq këmishën', zbret në fushë me Vllazninë: Pak durim, premtoj se do sakrifikojmë gjithçka

3 Qershor, 12:11| Përditesimi: 3 Qershor, 12:13

  • Share

SHKODËR - Trajneri Edi Martini u rikthye në stolin e Vllaznisë pas 15 vitesh nga përvoja e fundit si trajner i kuqebluve. Të hënën e 2 qershorit ai drejtoi për herë të parë stërvitjen e Vllaznisë, teksa para seancës përgatitore foli për mediet e pranishme.

Martini tha se stafi i di pikat ku duhet të punohet dhe do afrojnë emra të rinj në ekip, veç rinovimeve. I pari për t'u bindur është Esat Mala, ndërsa mes tij dhe klubit do ketë një takim. Trajneri e sheh të vështirë që Mensah të vijojë të jetë pjesë e Vllaznisë, ndërsa kërkon kohë për Vllazninë që kanë në mendje dhe letra.

"Martini, kthehesh te Vllaznia pas 15 vitesh, si ndiheni?

Mund të them se është një kënaqësi, sepse kush është ai person apo trajner që nuk do të drejtojë këtë skuadër. Por krahas kënaqësisë kam edhe një ndjenjë të lartë përgjegjësie, sepse jam në qytetin tim, në skuadrën time të zemrës dhe dua të jap më të mirën dhe kontributin tim këtu. Po punojmë së bashku me stafin çdo ditë që të përmirësohemi dhe të fusim skuadrat aty ku duhet.

Me çfarë objektivash hyn ky ekip në sezonin e ri?

Fillimisht me presidentin Xhaferi kemi vendosur të formatojmë skuadrën. Do të mundohemi të mbushim boshllëqet që ka ekipi dhe pastaj të vendosim për objektivat. Besoj se gjërat do të vijnë duke u qartësuar dhe kristalizuar nga java në javë për ne dhe objektivat tanë.

Kalimi i turit të parë në Conference League?

Është një objektiv, sepse mundësitë janë për ta bërë. Nuk stepemi nga kjo sfidë, megjithëse duhet të presim edhe kundërshtarin që do të na propozojë shorti. Por, e them se është një objektiv kalimi i turit të parë në “Conference League”.

Ku do zhvillohen përgatitjet?

Kemi dy-tri variante për momentin dhe se ku mund t’i zhvillojmë përgatitjet. Do të kemi kohë për të vendosur, sepse deri në datën 14-15 qershor do të jemi në Shkodër. Megjithatë, them se gjithçka do të vendoset dhe zyrtarizohet në dy-tri ditët e ardhshme.

Skuadra duket e “cunguar”, kur do të vijnë përforcimet?

Po punojmë për të evidentuar futbollistët që mund t’i shërbejnë ekipit. Mund të ketë lojtarë që mund të vijnë edhe në formën e huazimit vetëm për pjesëmarrjen në Europë e pastaj në varësi të performancës së tyre edhe mund të vendoset për vijimin e bashkëpunimit apo jo. Por, di të them se jo vetëm unë, por të gjithë jemi nga mëngjesi në darkë në stadium, duke punuar për Vllazninë dhe përmirësimin e saj.

Po rinovimet me futbollistët aktualë?

Aktualisht, janë dy futbollistë si Mala dhe Mensah që kanë disa ditë pushimi më shumë. Ata pritet të kthehen në datën 4 pranë ekipit, ndoshta Mensah do ta ketë të vështirë qëndrimin në Shkodër. Por, me Malën do të ulemi për të diskutuar dhe patjetër do t’i kërkohet rinovimi.

Ky është një ndër objektivat e klubit, pasi patjetër ai është një nga futbollistët më të rëndësishëm. Ky do të jetë stafi me të cilin do të punoni?

Presim ende të plotësohet, pasi edhe stafi duhet të jetë sa më i plotë për të garantuar një ekip sa më cilësor dhe profesionist.

Po bashkëpunimin me Vioresin Sinanin si drejtor, kënaqësi apo jo?

Me Viorin (Sinanin) kemi bërë hapa të mëdhenj dhe të rëndësishëm së bashku si futbollistë. Tashmë jemi drejtues, unë si trajner dhe ai si drejtor dhe trajner. Sepse këtu jemi të gjithë bashkë dhe për një qëllim. Nuk ka aspak diferenca se kush është trajneri apo jo, sepse ne e dimë se çfarë është e mira për ekipin dhe jo. Prandaj jam i lumtur që do të bashkëpunoj me këta njerëz dhe figura gjatë këtij sezoni.

Një premtim për tifozët kuqeblu?

Fillimisht janë tifozët më të mirë ndër të gjithë. Premtimi im është se do të sakrifikojmë gjithçka për atë që na lidh të gjithëve, Vllazninë. Jemi duke punuar shumë dhe u kërkoj të kenë durim, sepse besoj që së bashku me ta në krah mund të ecim shumë përpara", tha Martini.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Bëri mirë Berisha që akuzoi Shqipërinë si narkoshtet në samitin e PPE?