Edi Paloka është një dhunues i opozitës, jo i Edi Ramës!

14 Shkurt 2019, 21:32| Përditesimi: 14 Shkurt 2019, 21:33

  • Share

Kjo opozitë nuk është kritikuar kurrë se nuk di të bëjë akte dhune në Kuvend. Nuk është një biografi që i ka munguar. Qysh kur Ilir Meta ka hipur mbi tavolina më 2006, dhe deri tek parlamenti i fundit, ku janë shfaqur sulmet me vezë të një bulldogu nga Elbasani, ndaj Edi Ramës , gjuajtja me çizme e Monikës, zjarri i flakëhedhëseve, dhe deri tek boja e Edi Palokës, janë një histori e bollshme, e pasur, e dhunës së opozitës në Parlament.

Nuk kam dëgjuar njeri të thotë, që kjo opozitë nuk di të ushtrojë dhunë. Biles kjo aleancë, PD-LSI, është dhe e vetmja aleancë që ka vrarë në këtë vend. Nuk është se u mungojnë meritat në këtë drejtim.

Në këtë aspekt, dhe gjesti i sotëm i Edi Palokës, nuk duhet marrë me aq emocion. Edhe ai ka problemet e tij, ka pikëpyetjet e tij për të ardhmen në PD, brenda standarteve të dhunës, ku i masin meritokracinë. Merreni dhe atë si njeri në hall.

Më tej akoma vjen retorika e dhunës kolektive, paralajmërimet për dhunë, që të bëjnë për të qeshur. Edhe ky është një film i parë.

Më 14 shtator e morën me anti-tanke dhe tanke disa orë godinën e Kryeministrisë, dhe u kushtoi 8 vjet opozitë.

Deklaratat dy ditë para kohe, e të gjithë Ambasadave perëndimore në Tiranë, përfshi SHBA, BE, OSBE, Britaninë e Madhe etj, tregojnë se ata kanë informacione që do të ketë dhunë. Ose më së paku, ata besojnë vërtet mburrjet për dhunë të opozitës.

Por opozita nuk është sfiduese për qeverinë kur përdor dhunë. Nuk është sfiduese kur qëllon kryeministrin me vezë, çizme, apo bojë. Nuk është sfiduese kur nxjerr në krye Falmur Nokën apo Ed Palokën.

Opozita është sfiduese kur u mbush mendjen qytetarëve, se vlen më shumë se qeveria.

I gjithë ky teatër i opozitës, nuk është fuqi e saj, por pafuqia e saj, është impotenca e saj, dhe mbi të gjitha, është një hipokrizi me demokratët, për t’u thënë atyre që kaq e kemi mundësinë.

Lulzim Basha është duke ruajtur veten nga demokratët mos ta nxjerrin me shkelma nga zyra, dhe jo duke nxjerrë nga zyra qeverinë.

Një opozitë që nuk pranon të ndryshojë vetveten për të fituar, por kërkon të gënjejë demokratët për interesa të tre- katër kriminelëve në krye të saj, me qëllim që ata të mos mbesin pa imunitet, nuk është një opozitë e rrezikshme për qeverinë, por një opozitë e pacipë me të vetët.

Për Edi Ramën kjo është opozita më luksoze në botë. Kjo e heroizon atë, kur duhet ta mposhtë, e viktimizon kur duhet ta kriminalizojë, e shenjtëron kur duhet të mallkojë.

Kjo garniturë opozitarësh që kanë marrë peng vulën dhe zyrat e opozitës, nuk është në përpjekje për të marrë pushtetin, por në përpjekje për t’u treguar të vetëve, se kaq fuqi kanë, deri tek dhuna.

Në vend që të ndryshojnë, të hapin opozitën, të promovojnë vlera të shoqërisë dhe të distancohen nga një familje kriminale, siç është familja e Sali Berishës, me të në krye, ata janë rreshtuar të gjithë pas një plaku të kërusur, që tetë vjet më parë na tregonte cila është rregullorja e Bulevardit, cila është rregullorja e oborrit, e godinës, dhe cili ishte rregulli që duhet të vriteshe para Kryeministrisë, duke i dhënë fund debatit a merret pushteti me dhunë.

Mjafton ajo fytyrë, që është imazhi i shtrigës së opozitës, për t’i mbajtur njerëzit në shtëpi dhe mosbesues ndaj opozitës.

Me kaq shumë rrahje gjoksi për dhunë sa po bën opozita, nuk e di cila nënë, cila grua, cili baba i përgjegjshëm apo prind, mund t’i çojë fëmijët dhe të shkojë dhe vetë në atë skenë horror lufte që po vizatojnë.

Këtu po bëhet thirrje sikur të shtunë do zbresë ISIS në Tiranë, dhe jo qytetarët. Dhe kjo është alibi e ligë, e njerëzve që duan të shpjegojnë dështimin.

Berisha mund të sjellë mercenarë sa të dojë në Tiranë, mund të sjellë njerëz të paguar dhe të dhunshëm, mund të përsërisë skenare dhune, por e gjithë kjo nuk ja ndryshon mendjen shoqërisë shqiptare.

Ndaj dhe Edi Paloka nuk është një dhunues i Edi Ramës. Ai dhe idiotë të tjerë si ai janë dhunues të opozitës, janë teatri i lig i Lulzim Bashës për të shpjeguar pafuqinë e tij para demokratëve.

Mos ju zemëroni Edi Palokës fjala vjen, për çfarë bën kundër qeverisë, apo Edi Ramës. Atij i duhet zemëruar për çfarë i bën opozitës.

Një njeri në hall, që nuk ka çfarë bën tjetër në atë kurth ku ka hyrë me shoqëri kriminelësh, me njerëz që pastrojnë para në emër të tij, dhe me një inteligjencë nën zero, që e bën të vlefshëm për figurant të dhunshëm të opozitës, ai në fakt është mallkim për opozitën, pasi nuk është as i fortë, as trim dhe as i vlefshëm për të.

Në vitin 1997, ky është njeriu i parë që u arratis nëpër dëborë në Maqedoni e pastaj në Zvicër, se mori vesh që doli Fatos Nano nga burgu, ndërkohë që Fatos Nano po ta gjente tek Rogneri, mund ta qeraste me xhin.

Ai iku se e di që e përdorin gjithnjë si figurant dhe është emëruar në opozitë, se opozita nuk është e lirë të hapë garën për të ndryshuar vetveten dhe pastaj Shqipërinë.

Mendoni për një moment që ai është numri dy i opozitës që kërkon t’u qeverisë dhe kuptoni se sa larg pushtetit dhe sa afër greminës është kjo opozitë. Edhe për shkak të tij./ TEMA

Komento
  • Sondazhi i ditës:

    A e keni të qartë pse opozita organizon mosbindje civile?