Edi Rama: Arsyet kryesore pse unë jam krenar për PS-në

12 Qershor 2023, 20:53| Përditesimi: 12 Qershor 2023, 21:23

  • Share

*Fjala e Kryetarit të Partisë Socialiste të Shqipërisë Edi Rama në 32 vjetorin e krijimit të Partisë Socialiste

Shumë faleminderit!

32 vjet më parë në këtë sallë mori jetë Partia Socialiste.

Sot ne kremtojmë këtë ditë të shënuar të familjes sonë politike me fitoren më spektakolare të 32 vjetëve në aspektin e numrave, disa javë më parë kur shqiptarët na dhanë mandatin për të qeverisur në 54 bashki dhe për t’u kujdesur për mbi 95% të banorëve të Shqipërisë.

Sado ta përsëris fjalën faleminderit, s’do të jetë kurrë mjaft për besimin, mbështetjen, energjinë që gratë dhe burrat vajzat e djemtë e këtij vendi na dhanë, që nga Kukësi në Sarandë, nga Kurbini në Devoll, nga Kamza në Dibër dhe me një fjalë, e cila i thotë të tëra që nga Shkodra demokratike deri te Vlora socialiste.

Nuk është dot mjaft as i gjithë turi i mirënjohjes në gjithë Shqipërinë. Tani ka mbetur vetëm qershia mbi tortë, Tropoja, bashkia ku na mjaftuan vetëm 4 vjet për të bërë ç’ka të tjerët nuk e bënë dot në dhjetëra vite.

Tropojanët panë, votuan dhe gjykuan për herë të parë për veten e tyre, për shtëpinë e tyre, lagjen e tyre, për potencialin e jashtëzakonshëm të vendlindjes së tyre.

Votuan për çerdhen, kopshtin, shkollën, jetën sportive të fëmijëve të tyre.

Votuan për qendrën shëndetësore, për pastërtinë dhe qetësinë e për zhvillimin  në komunitetin e tyre.

Votuan për një Tropojë të rilindur pas njëmijë e një vështirësive, e cila do të vazdhdojë vetëm përpara përmes turizmit dhe agroturizmit, agropërpunimit, bujqësisë dhe blegtorisë.

Kështu njësoj votuan edhe shkodranët, dibranët, lezhianët, kuksianët, devollinjtë e të tjerë me  radhë, të majtë dhe të djathtë që vendosën të ecin bashkë pëprara, duke i lënë shumë prapa hijet kërcëuese të së shkuarës.

Kjo, falë edhe shumë të djathtëve, të cilët e braktisën koalicionin e atyre hijeve, duke mos shkuar fare të votojnë. Faleminderit edhe atyre realisht, sepse u distancuan nga një amalgamë e shëmtuar figurash e figurinash që thërrisinin lart e poshtë “bashkë fitojmë” për të kapur  ç’të kapnin, duke shkuar prapa dy figurave, njëra më e kapur se tjetra, si i mbyturi pas fijes së barit, nga hallet e tyre me drejtësinë dhe me Amerikën.

Në 14 maj, ne thuajse për një grusht votash e prekëm kuotën e 800 mijë votave, rezultati ynë më i lartë ndonjëherë.

Si asnjëherë më parë në historinë e saj 30-vjeçare, PS është forcë e parë në 93% të këshillave bashkiakë ose në 57 bashki nga 61 që janë gjithsej.

Kundërshtarët tanë prekën kuotën e tyrë më të ulët historike. 

Që nga dita kur ju më keni  besuar drejtimin e PS, në një numër këshilltarësh 2 herë e gjysmë me të ulët se sa i yni. Për herën e tetë, në 9 beteja të këtyre viteve, ata u përbetuan para pasqyrës së mbrëmjes për përmbysjen e madhe të regjimit antipopullor, dhe për të 8 herë rresht e nisën  mëngjesin tjetër përmbys  mbi pasqyrën e një disfate edhe më të madhe se e mëparshmja përballë refuzimit popullor.

Dhe si ngaherë në jermin e shpartallimit, ia morën atij avazit të vjetër bajat të grabitjes së madhe nga bandat e shtetit dhe të krimit, ndërkohë që do t’u mjaftonte të shkonit një ditë vizitë në Kamzë për të parë çfarë ka ndryshuar, dhe për ta kuptuar pse dhe kahja e votës ndryshoi aq tronditshëm për ta në 14 maj. Ne jemi sot shumicë vendimmarrëse në këshillin bashkiak të Kamzës, ku në radhë të parë falë karizmës, aksionit, vullnetit dhe aftësisë menaxhuese dhe patjetër edhe komunikuese, oratorike do thosha, të Rakip Sulit, komuniteti mbase më i lënduar nga “thika” e politikës përçarëse të sundimtarëve të vet, prej 3 dekadash, u bashkua rreth kryebashkiakut të ri, si një familje e madhe në një shtëpi të re, nga e cila banorët e Kamzës  nuk duan të dalin më. 

Në Kamëz fitorja nominale është e Rakipit dhe e PS, por fitorja reale është e komunitetit, i cili duke votuar mbi 60% për të vazhduar vetëm përpara, bëri një akt emancipimi në radhë të parë qytetar e pastaj edhe politik.

Sepse e thatë qartë, me një votë spektakolare, duam të shërbejmë mirë nga ata që zgjedh dhe jo të shërbejë për të zgjedhur ata që i shërbejnë vetëm vetes së tyre dhe e vërteta është se në rrugën e re të Rilindjes Urbane, ne kemi krijuar shembuj të mirë suksesi në nivelin vendor dhe hap pas hapi po ndërtojmë një model pozitiv, një kulturë tjetër punë të qeverisjes vendore.

Falë natyrsiht edhe lidershipit të një sërë kryebashkiakësh, të aftë dhe pasionantë ne kemi thelluar vijimësisht diferencën me kundërshtarët, të cilët siç e dini, dhe siç e dinë të gjithë, për habinë më të madhe, por në fakt s’është aspak për t’u habitur, në 30 vjet qeverisje vendore s’kanë krijuar dot një histori të vetme suksesi në një bashki të vetme të Shqipërisë.

Unë dua t’I përgëzoj edhe një herë sot këtu kryebashkiakët  tanë për arritjet e tyre, ata që u rikandiduan dhe të gjithë pa përjashtim   për mandatin që u dha populli, por dua t’u them brenda të së njëjtës fjali, se më shumë sesa merita e tyre individuale apo e jona në tërësi, rezultati i bujshëm i 14 majit është manifestimi i një pritshmërie të madhe të njerëzve për një ndryshim të mëtejshëm më të shpejtë, më të thellë dhe më gjithëpërfshirës.

Ne duhet  të ndihemi njerëzit më të nderuar dhe më të privilegjuar në botë që këtë pritshmëri të madhe, qytetaret e Shqipërisë e lidhin me ne, duke na parë dhe duke na besuar si të vetmen forcë që ka fuqinë për ta përmbushur pritshmërinë  e tyre. Kjo tregon shumë në mesin e mandatit të 3 qeverisës. Paçim mençurinë që ta kuptojmë si duhet dhe që shumë largqoftë, të mos gënjehemi me madhshtëinë e hartës politike të 14 majit, duke kujtuar se ata që na votuan janë të kënaqur me ne, me qeverisjen tonë, në nivelin vendor, ku u votuan në 14 maj apo dhe në nivelin qendror ku jemi përditë në syrin e ciklonit përballë sfidash për t’u fituar, problemesh për t’u zgjidhur, hallesh për t’u trajtuar dhe ëndrrash dhe shpresash për t’u ushqyer.

Mbase unë po bëhem i bezdisshëm gjithë këto ditë me këngën time, të shqiptarëve të pakënaqur me ne, sepse me të drejtë, ju doni të shijoni fitoren aq më tepër sonte, kur jemi mbledhur këtu për festën e kësaj familjeje të madhe, por jeni të përgatitur ta dëgjoni dhe ridëgjoni gjatë këtë këngë sepse pa e futur thellë gozhdë në kokë sot, që na e kanë dhënë tërë këtë besim, të vërtetën se shqiptarët nuk kanë sesi të jenë të kënaqur me ne, - ne nuk do t’i shpëtojmë dot shuplakës së tyre nesër kur t’u rikërkojmë të na besojmë përsëri. Këtë duhet ta besoni deri në fund.

Prandaj, menjëherë pa humbur kohë ne duhet të projektojmë të ardhmen, duke nisur reflektimin me punën nga vetja dhe nga kjo familje e jona, siç kemi bërë pas do zgjedhjeje, kur të tjerët kanë humbur dhe kanë bërtitur “Fitore”, ndërkohë që ne kemi fituar dhe kemi rinisur menjëherë karikimin e baterive, por sot në kontekstin e një kohë të re, jo vetëm për Shqipërinë, por për mbarë botën, ne kemi nevojë për një fillim të ri. Kemi nevojë për një projekt të ri politik dhe organizativ. Ne na duhet medoemos të shkojmë përtej Partisë Socialiste. Të krijojmë një hapësirë të re përgjegjësie politike dhe sociale ku PS të jetë patjetër qendra e gravitetit, por jo territori ekskluziv i veprimtarisë politike dhe sociale të njerëzve, ku duhet imagjinojmë dhe duhet të hapim patjetër rrugë të reja për të bashkuar në një komunitet të ri politik anëtarët, simpatizantët, por edhe qytetarët e interesuar për të ecur vetëm përpara, pa i parë nga ngjyra, pa i parë nga drejtimi që hedhin sytë, por duke i parë pikërisht aty, ku ata së bashku morën një vendim pa u marrë vesh me njëri-tjetrin, shumica nga e majta, të tjerë nga e djathta, vendimin për të ecur vetëm përpara. Dhe na takon ne që të bëjmë çmos, duke filluar nga bashkitë tona që të mos e lejojmë të tretet këtë frymë të 14 majit, sepse kjo është një frymë. Dhe kjo është një frymë sa e jashtëzakonshme aq dhe e rrezikshme se prej saj vjen mesazhi i nevojës popullore për një komuniteti të ri politik. Për një komunitet që shikon Shqipërinë reale të çdokujt, jetën reale të çdokujt, problemet reale të çdokujt. Dhe kryebashkiakët tanë duhet të hapin shtigje të reja ndërveprimi me shoqërinë, me grupet e interesit, sipërmarrjet, individët që kanë nevojë në radhë të parë të dëgjohen.

Deputetët tanë duhet të jenë dëshmitarët dhe garantët e kësaj përpjekje të re në çdo territori, duke ndërtuar sa më shumë ura mes PS dhe komunitetit, si dhe duke mbyllur sa më shumë shtigje nga ato të vjetrat, të penetrimit të shtetit nga individët pa merita apo me dorën e gjatë. Këshilltarët e sapo zgjedhur duhet të udhëhiqen për të bërë një ndryshim kulturor në  interpretimin e rolit të tyre, duke punuar si skuadër, bashkë me deputetët sipas zonave të ndara së përkujdesjes së komunitetit në territore. 

Prioriteti i prioriteteve të qeverisjes sonë të re vendore duhet të jetë njerëzillëku. Sepse ajo votë, ajo shumicë që kapërceu 60% në Kamzë, në Shkodër, për të mos vazhduar më të tjerat, që shkoi në numra që nuk i kishim parë kurrë edhe në ato qytete kur kemi fituar zakonisht, është në pritje të diçkaje, është në kërkim të diçkaje. Është në nevojë për diçka, të cilën fati dhe nderi ynë është që e kërkon prej nesh, por mos mendoni se do të presë gjatë për ta gjetur nga ne, nëse ne nuk do vrapojmë sot për t’ia dhënë pa u humbur durimin në pritje.

Mandati i 14 majit duhet të jetë një mandat që duhet ta përfundojë rrugën e gjatë të dhënies së titujve të pronësisë mbi tokën. Sa e sa njerëz sot na kanë votuar dhe akoma nuk e kanë certifikatën e tokës që punojnë, akoma. Ndërkohë që, iu kemi vënë në dispozicion bashkive një ligj të ri të posaçëm për të gjitha ato raste të panumërta fermerësh, blegtorësh që punojnë në tokat e tyre, shkojnë më së miri me njeri-tjetrin sepse njohin kufijtë e tokave e tokave përkatëse, por nuk njohin ligjin 7501 për ta marrë certifikatën pa asnjë pritje. Sa certifikata kemi dhënë që kur ka dalë ligji? Me gishtat e dorës. Dhe nga ana tjetër kalimi i shërbimit të Kadastrës vetëm në platformën E - Albania duhet të jetë fillimi i fundit të kësaj rruge. Si mund të jenë shqiptarët të kënaqur me ne, kur deputetëve sidomos në disa zona problematika më të mëdha, iu del shpirti nga ankesat për hipotekën. Dhe këtu po marr ata që merren me ankesat, nuk po marr ata që prodhojnë arsye për ankesa. Sepse nuk u japim ende një certifikatë pronësie. Duhet të presin. 

S’kanë si të jenë të kënaqur me ne shqiptarët, por për të mos u zgjatur e stërzgjatur në shumë e shumë raste dhe në çdo drejtim, ata nga ne presin zgjidhje dhe ne duhet t’u japim zgjidhje se s’bën, sa më parë. Sepse shembujt e pakënaqësisë legjitime të atyre që na votuan në 14 maj janë shumë. Ndërkohë që, ne duhet t’i marrim me radhë, t’i analizojmë dhe t’i adresojmë, por një ndër mesazhet më të forta të 14 majit për ne, është mesazhi se jo, nuk i keni bërë mirë të gjitha ato që kujtoni se i keni bërë mirë. Jo, nuk keni bërë aq pak gabime sa kujtoni që keni bërë, por po, këtë vend o e bëni ju, o askush tjetër nuk e bën dot. 

Dhe kjo është një arsye për t’u ndjerë krenarë për PS dhe duke qenë se sot e festojmë këtë ditëlindje në një kontekst të posaçëm të një fitoreje që është historike për familjen tonë politike, dëshiroja që të ndaja me ju se cilat janë arsyet kryesore pse unë jam krenar për PS. 

Se ka shumë, me siguri ka shumë edhe të gjithë ju mund të keni të ndryshme ose jam i bindur që ndër ju mund të ketë dhe nga ata që po ta pyesëshcilat janë arsye që janë krenarë për PS, mund të ngrenë supet. Por në fakt për mua janë tre sot, që më bëjnë shumë krenar për PS. E para fare është që qysh prej lindjes së saj në 12 qershor, 32 vjet më parë kjo është e vetmja parti në Shqipëri që nuk e ka humbur kurrë për asnjë çast fillin e interesit kombëtar.

Mbase, jo vetëm falë kësaj partie, por unë besoj se në radhë të parë falë saj, Shqipëria, vendi  më diktatorial i Europës komuniste u bë i vetmi vend i një tranzicioni demokratik në Europën post-komuniste pa një parti komuniste, me një peshë çfarëdo qoftë, në skenën e pluralizmit demokratik.

Qysh në ditën e krijimit të saj, Partia Socialiste u ngrit në këmbë për të marrë një drejtim të ri, duke u ndarë brutalisht me nomenklaturën komuniste pikërisht në këtë sallë, në një kalim dramatik të ylberit, ku i mbeti historisë ai episodi i përballjes së famshme të Dritëroit me sallën që ishte si një përplasje fatale e vetes me vetveten në pasqyrë. Do të ishte patjetër shumë interesante të studiohej deri në fund pse-ja e një fundi aq të aty për atyshëm i Partisë së Punës, braktisja e saj totale menjëherë dhe përgjithnjë pa asnjë prapakthim nostalgjik në varrezën e historisë dhe nga ana tjetër, sensi i veçantë i Partisë Socialiste për interesin kombëtar, si dhe natyra e saj paqësore dhe institucionale në kontrast të hapur me kundërshtarin e vet, të vrazhdë dhe konfliktuale.

Sa herë është thënë dhe dëgjuar në jetët tona që “Socialistët janë të butë, nuk kanë ato që nuk thuhen, se të ishte në vendin tonë ai, Kreshniku, do të na kishte bërë atë që nuk thuhet, para dhe mbrapa”. Sa herë e kemi dëgjuar? 

Mirëpo ja ku jemi ne sot. Aty janë dhe hapat dhe veprat tonë të derisotme, siç është këtu dhe Shqipëria që ne e kemi ngjitur më lart se kurrë ndonjëherë në sytë e botës.

Ndërkohë, shikojini si bien poshtë e më poshtë, kush me vrazhdësinë dhe me konfliktualitetin e vet u bëri më shumë të këqija sesa të mira Shqipërisë dhe shqiptarëve.

Shikojeni dhe Kosovën dhe historinë e saj të re. Qysh prej orëve të themelimit të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, kur ende i panjohur dhe në ilegalitet, Hashim Thaçi me shokë punonin bashkë me kryeministrin dhe kryetarin e partisë sonë, Fatos Nanon dhe pastaj me qeverinë e kryeministrit tonë heroik Pandeli Majkon, kur Lufta Çlirimtare arriti kulmin, deri hyrjen e NATO-s në Kosovë dhe kështu gjithnjë deri më sot. Sa herë Kosova ka pasur nevojë për Shqipërinë, ne, socialistët shqiptarë kemi qenë aty për të, kudo, në çdo instancë dhe në çdo forum ndërkombëtar, që nga rruga e luftës e deri në këtë moment të tanishëm të rrugës drejt paqes dhe njohjes përfundimtare.

Kur e thua kështu, kjo duket më e thjeshta, më e natyrshmja e gjërave që mund të bëjë një parti shqiptare dhe kush nuk e ka parë kështu, mund të thotë “Po pastaj? Këtë bëjnë të gjithë.”

Mirëpo, shqiptar ishte dhe është, ishte dhe ajo partia tjetër që ka qenë në qeveri dy herë përpara nesh, kur Shqipëria, me bekimin e asaj partie, theu embargon e vendosur nga komuniteti ndërkombëtar ndaj Serbisë dhe u bë furnizuese me naftë e makinerisë vrastare të Sllobodan Millosheviç. Ky është fakt historik, e ka bërë një parti shqiptare, këtu në Tiranë, në qeveri dhe kur po ajo parti persekutoi këtu në Tiranë militantët e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Ashtu sikundër, me gojën e asaj partie, më pas në opozitë u fol shqip këtu nga Tirana, kundër luftës së UÇK-së që u anatemua papushim si organizatë terroriste, marksiste-leniniste kundër marrëveshjes së Rambujesë, për të cilën punoi komuniteti ndërkombëtar dhe dha një mbështetje shumë të fortë dhe të rëndësishme si një lehtësuese, ndërmjetësuese mes komunitetit ndërkombëtar dhe delegacionit shqiptar në Rambuje, qeveria e Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Ne aty jemi për Kosovën edhe sot e gjithë ditën ku Kosova ka hyrë në një impas të rrezikshëm, duke u vetë-izoluar progresivisht nga aleatët strategjikë dhe miqtë më të mirë të shqiptarëve, ndërkohë që falë tyre në radhë të parë, Kosovës i ka ardhur në dorë mundësia e madhe reale që ta fitojë edhe diplomatikisht me Serbinë, luftën që ushtarakisht Serbia e ka humbur pa asnjë të drejtë apeli sot në 12 qershor e 24 vjet më parë kur forcat e NATO-s hynë në Kosovë.

Qëllimi ynë dhe i udhëheqjes në Kosovë, qëllimi im dhe i kryeministrit të Kosovës, gjithashtu janë krejt të njëjtë, por rrugët për arritjen e atij qëllimi nuk i shohim njësoj, madje gjithnjë e më ndryshe, sidomos kohët e fundit ku për mua, kursi i përplasjes strategjike me aleatët tanë është, jo vetëm një kuturisje me pasoja të pallogaritshme, por është dhe një aventurë pa asnjë kuptim në gjithë kotësinë e vet.

Mua më vjen mirë që përpjekja për të dhënë një kontribut konkret për dialogun dhe përkatësisht për zgjidhjen e ngërçit të madh të asociacionit të komunave me shumicë serbe është pritur tej mase mirë nga aleatët dhe partnerët tanë. Ndërsa atyre që e kanë kundërshtuar as pa e ditur fare edhe përmbajtjen dhe fatkeqësisht njësoj si në Prishtinë dhe në Beograd, duke thënë se nuk e presin dhe as nuk duan të dëgjojnë për një propozim nga Shqipëria sepse sipas tyre, secila nga të dyja palët duhet ta bëjë vetë asociacionin sipas mendjes së vet, unë i them dy gjëra: Së pari, ata që flasin kështu jetojnë akoma me komunizmin në kokë kur politika merrej me “Kush e tha” dhe jo “Çfarë tha” dhe së dyti, vërtetë janë ata që vendosin secili për vete, por ky rajon nuk është vetëm i tyre, është dhe i yni, është dhe i disa të tjerëve. 

Prandaj, nëse atyre u vjen më për mbarë të luajnë akoma luftash një çerek shekulli, pasi lufta ka mbaruar ndërkohë që as njëra pale, as tjetra nuk i hapin dot njëra-tjetrës, jo luftë, por asnjë të shtënë që të kapërcejnë kufijtë sepse aty është Amerikë, është NATO dhe aleatëve tanë të mëdhenj po u soset durimi sepse po kërkojnë paqen përfundimtare, unë ju them që ne, jo vetëm nuk jemi fare të interesuar për atë lojë luftash, por më shumë se kaq, ne jemi plotësisht kundër asaj loje.

Arsyeja tjetër më e rëndësishme pse unë jam krenar për Partinë Socialiste është se, më në fund, kjo është e vetmja parti shqiptare që votohet më shumë nga gratë sesa nga burrat.

Unë besoj se përgjithësisht, një burrë motivin e parë për të dhënë votën ka të djeshmen. I keni parë burrat? Motivin e parë për t’u zënë kanë të djeshmen, motivin e parë për të bërë vërejtje kanë të djeshmen dhe kur zihen burrë me burrë e nxjerrin më shumë në pah këtë tipar “Çfarë i the, si ia the”, ndërsa një grua motivohet, në radhë të parë, nga e sotmja dhe nga e nesërmja.

Më tej akoma unë besoj se vota e gruas, është vota e asaj pa të cilën shtëpia bëhet rrëmujë, pastërtia vihet në pikëpyetje, ushqimi bashkë me natën ftohen. Këtë nuk e them vetëm për votën që kam marrë nga gruaja ime, jo si kryetar partie, por si burrë që falë gruas më në fund u bë edhe me shtëpi, por e them sepse besoj që sa më shumë politika në këtë vend të marrë nga ndjeshmëria e nënave, nga përkushtimi i grave, nga ndjeshmëria e motrave, aq më mirë do të jetë për tiparet e saj që janë kaq rëndom, egërsisht burrërore e mbi të gjitha besoj se ekuilibrimi gjinor i jetës së një vendi dhe të këtij vendi në mënyrë të veçantë është një domosdoshmëri për zhvillimin e tij të qëndrueshëm. Edhe pse kemi ende shumë rrugë për të bërë, boshllëqe për të mbushur edhe të meta për të adresuar, drejtimi është ky dhe unë jam shumë krenar e ne udhët të jemi shumë krenar që të gjithë së bashku që po të kthejmë kokën nga e nisëm përpjekjen për të rritur progresivisht pjesëmarrjen e grave jo vetëm në politikë por në jetën administrative dhe shoqërore, kemi bërë hapa kolosalë falë Partisë Socialiste të Shqipërisë.

Dhe pse-ja e tretë  dhe e fundit e krenarisë sime për partinë socialiste, është raporti i kësaj familje politike me drejtësinë. Ky raport në fakt ka nisur me burgosjen e liderit të partisë, ka vazhduar me shtrirjen e dorës së të burgosurit në drejtim të burgosësit. Është zhvilluar më pas si një raport respekti për pavarësinë e gjyqësorit por dhe si një raport me plagë të hapura nga gjyqësori i përdorur politikisht kundër nesh. Kujtoni vetëm ca kolegje zgjedhore të kosës kur drejtësia ishte vegël e pushtetit të kundërshtarëve tanë dhe pastaj është ngritur në nivelin historik të reformës në drejtësi kur kjo parti i hyri në këmbë atij deti që asnjë forcë politike më parë në historinë e këtij vendi as nuk e kishte marrë mundimin ta vëzhgonte me dylbi. Partia socialiste është e vetmja parit në pushtet në historinë e Shqipërisë që as ka vrarë njeri, as ka burgosur njeri dhe as ka rrahur një njeri të vetëm për arsye politike në të gjitha vitet që ka drejtuar vendin. Natyrisht edhe jo si puna e interesit kombëtar mund të duket gjëja më e natyrshme por fakti është që asnjë parti tjetër që nga viti 1912 nuk e ka bërë dot e duhet të ketë disa arsye. Ashtu sikundër duhet të ketë patjetër një arsye pse ne e kemi edhe këtë ndryshe nga të tjerët.

Kjo periudhë e pushtetit në Shqipëri është e para në historinë e Shqipërisë, por le ta nisim nga historia e shtetit shqiptar, për të mos shkuar në shekuj, kur ata që japin drejtësi merren pa asnjë pengesë me zyrtarët më të lartë të lidhur me pushtetin drejtpërdrejtë dhe ndërkohë kanë gjithë mbështetjen e partisë që është në pushtet. Kjo është piktura e madhe që flet shumë. Fatkeqësisht nuk flet shumë për ne që jetojmë sot, ose flet shumë, por flet më shumë duke pasur parasysh se sa shumë flet për Shqipërinë e gjeneratës tjetër, Shqipëria e fëmijëve tanë, falë nesh, falë kësaj parie, falë reformës në drejtësisë të kësaj shumice qeverisëse, do të jetë e para Shqipëri në historinë e këtij trualli me drejtësi të drejtë e të barabartë për të gjithë, falë pikërisht kësaj familjeje që sot feston ditëlindjen këtu, të partisë socialiste, familjet shqiptare të fëmijëve tanë nuk do të kenë më asnjë nga andrallat që ne do duhet të heqim edhe për disa kohë si familje të zakonshme në këtë vend flas, nuk flas për ne këtu, se ne po e po.

Unë e di shumë mirë që po ti afrohesh kësaj pikture, ka shumë boshllëqe, ka gjymtyrë që rrinë keq, madje ka dhe detaje shumë të neveritshme për hir të vërtetës, të pikturuara nga dhënësit dhe zëdhënësit e drejtësisë së re, por mos e harroni asnjëherë se ky është deti të cilit ne i kemi hyrë në këmbë dhe katër apo pesë vite për të ndërruar kursin e një historie qindra vjeçare shkëputjeje totale nga perëndimi, ndarje me zjarr e me hekur nga Europa, në mos janë sekonda, janë minuta për historinë. Ashtu sikundër gabimi, madje edhe faji, nuk kanë si përjashtohen në këtë proces jo vetëm për ata që shkojnë para drejtësisë por dhe për ata që thërrasin ata përpara drejtësisë. Prandaj motra e vëllezër, shokë e shoqe, miq e të ftuar, kokën lart dhe vetëm përpara, me bindjen se ose e bëjmë ne, ose nuk  e bën askush tjetër Shqipërinë. Me vullnetin për të mos u përkulur përpara asnjë vështirësie. Me besimin për tu bërë më të mirë, me durimin për të mësuar nga më të mirët e për të mos harruar të mësojmë nga gabimet tona dhe me krenarinë për Shqipërinë e për Partinë Socialiste të Shqipërisë.

Gëzuar festën dhe shpresoj që sekretariati të ketë  përgatitur siç duhet pjesën e dytë në dalje, përpara se të gjithë të shpërndaheni për të shkuar në shtëpitë tuaja të vogla, mbasi kemi pasur kënaqësinë të jemi bashkë në  këtë shtëpi të madhe. Faleminderit! 

M.Q.//ReportTv.al
Komento

Komente

  • Zame: 13/06/2023 13:02

    Nuk eshte rastesi qe edhe nga renditja "fjala"e shokut Edvin, vjen pas lajmit per pretence dyfish te SPAK ndaj Koka dhe Ballko-dyshes qe mori persiper me "krenari" burgun per shokun...Edvin!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?