*Fjala e plotë e Kryeministrit Edi Rama në Asamblenë e Përgjithshme të Këshillit të Europës.
I nderur Këshill i Europës, të shquar anëtarë të Asamblesë Parlamentare, jam shumë mirënjohës për mundësinë për t’iu drejtuar kësaj Asambleje sot për një çështje thelbësore të së vërtetës dhe drejtësisë që na kërkon të reflektojmë dhe të veprojmë së bashku. Unë përfaqësoj Shqipërinë, por nuk kam ardhur këtu të flas kryesisht për Shqipërinë, edhe pse tema e shqetësimit që dua të ndaj me ju lidhet me Shqipërinë si trupi me shpirtin. Megjithatë, ia vlen të nisim me Shqipërinë duke qenë se ajo çka do të them ka lidhje me çështjen e marrëdhënies së një vendi me të shkuarën e vet dhe me ndikimin që kjo mund të ketë në zhvillimin e tij në të ardhmen. Po kështu, lidhet me raportet midis shteteve në Ballkan e përtej dhe mbi rolin që Europa dhe institucionet europiane luajnë për mënyrën se si i zhvillojnë këto marrëdhënie. Ta kthesh një histori konflikti në një histori bashkëpunimi kërkon jo vetëm guxim prej udhëheqësve, vullnet të mirë mes qytetarëve dhe besim midis shteteve, por po kështu një besim të bashkë-ndarë te institucioneve ndërkombëtare.
Në fakt, marrëdhëniet tona me njëri-tjetrin ndërmjetësohen nga marrëdhënia jonë me institucionet europiane e nëse institucione të tilla dështojnë të sigurojnë drejtësi, humbja për të gjithë ne është po aq e madhe sa dëmi që i shkaktohet çdo viktime të vetme të gabimeve të tyre. Dëmi shkon shumë larg, përtej shumatores së tragjedive individuale. Është dëm për gjithë bashkësinë tonë të popujve dhe kombeve, një goditje ndaj të gjitha përpjekjeve tona për të kthyer një faqe të errët të historisë sonë në mënyrë që të shkruajmë një më të ndritshme. Në qoftë se institucionet dështojnë, kjo goditje mund të jetë fatale!
Për ju, lufta është një kujtim i largët. Për ne, një plagë që ende dhemb teksa rrekemi ta shërojmë. Sërish, pavarësisht përvojave tona të ndryshme me luftën, nën ombrellën e madhe të këtij institucioni, i cili e përcakton veten si organizata udhëheqëse në kontinent për të drejtat e njeriut, kujtesa historike nuk mund të merret lehtë. Faktet kurrë nuk duhet të cenohen nga lojërat e pushtetit dhe zgjidhjet duhet kahera t’i qëndrojnë testit të së ardhmes. Në dekadat e fundit, siç e dini, institucionet ndërkombëtare kanë qenë një faktor thelbësor në ndërmjetësimin e konflikteve në Ballkan. Ashtu si të gjitha shtetet e tjera në rajon, Shqipëria vijon të ndërtojë të ardhmen, ndërsa lufton me trashëgiminë e së shkuarës, të zhvillojë institucione demokratike ndërkohë që përndiqet ende nga fantazmat e autoritarizmit, vijon të ndërtojë marrëdhënie solide me fqinjët e saj, përfshirë Serbinë e cila jo shumë kohë më parë konsiderohej armik për vdekje, por tashmë është një partner i rëndësishëm me nismën tonë strategjike të Ballkanit të Hapur.
Për ata që hyjnë në kontakt për herë të parë me rajonin është e vështirë tu shpjegosh se pse Europa për ne është më shumë sesa një projekt institucional, është projekt ekzistencial. Asnjëherë më parë historia nuk është treguar e mirë me ne, kurrë nuk kemi qenë në gjendje të zgjedhim vetë se ku donim të përkisnim, të tjerët vendosnin për ne. Vendosnin perandoritë, vendosnin regjimet dhe ideologjitë që na mbajtën të kyçur larg Europës, në një vend që vetëquhej “fanari ndriçues anti-imperialist” në botë, por që në fakt ishte një vrimë e zeze në zemër të Europës. Vetëm tri dekada më parë, ne patëm mundësi të ndryshonim lirisht rrjedhën e fatit tonë dhe t’i kthenim sytë nga horizonti i Europës. Besimi i Shqipërisë në fatin e saj europian është spiranca jonë drejt së ardhmes. Pavarësisht se ç’shtrëngata apo mjegulla has Europa, shqiptarët në tërësi, nuk mund të përfytyrojnë asgjë tjetër përveçse të ndajnë këtë rrugëtim edhe nëse rezulton të jetë një rrugëtim i trazuar.
Ja pse ne vazhdojmë të ushqejmë shpresë në brezat e rinj, duke e ditur se sa më shumë një krizë si kjo aktualja godet gjithë Europën, aq më e lehtë është për forcat e frikës të kërcënojnë burimet e shpresës. Megjithatë është veçanërisht në momente si kjo, ku e ardhmja lihet edhe njëherë në mëshirë të së shkuarës dhe politikanë mendjengushtë janë të gatshëm ta shfrytëzojnë të shkuarën për të qetësuar frikërat e qytetarëve të tyre për të ardhmen, që çështjet e së vërtetës dhe drejtësisë ridalin në pah. Është në të tilla momente që besimi në institucionet ndërkombëtare duhet rivënë në vend dhe duhet forcuar. Është në të tilla momente që shtetet e vogla nuk duhen braktisur, në mënyrë që shtetet e mëdha të mos kërcënohen nga rezultati i shumatores së mllefit të mbledhur prej tyre.
Në këto tri dekada të gjata, nëse kemi mësuar diçka është se demokracia është gjithnjë një proces në ndërtim dhe jo një ndërtesë e përfunduar sepse asgjë që nuk arrijmë, nuk është e plotë dhe as nuk është e pakthyeshme dhe asgjë nuk e vërteton këtë argument më mirë sesa agresioni aktual i Rusisë kundër Ukrainës dhe lufta që vijoi në Europë vetëm pak orë larg prej këtej. Ai vend po përndiqet edhe njëherë nga e shkuara dhe është një tjetër kujtesë e gjallë, për ata prej nesh që ende përndiqen nga e shkuara e tyre se sa lehtësisht mund të manipulohet e të shfrytëzohet historia nga forca të errëta.
Në Ballkan, ne vijojmë të jemi dhimbshëm të vetëdijshëm për këtë. Nisma jonë e re Ballkani i Hapur është një përpjekje për të realizuar së brendshmi aspiratat dhe objektivat e Procesit të ngrirë të Berlinit pa asnjë vonesë, pa asnjë ngurrim, në një mënyrë që pasqyron vullnetin dhe vendosmërinë tonë. Është një përpjekje për t’i vënë idealet e integrimit europian në dispozicion të paqes dhe bashkëpunimit përmes lirisë së lëvizjes së njerëzve, mallrave, kapitaleve, shërbimeve, përmes kulturës, arteve dhe zejeve, përmes nismave të përbashkëta politike dhe duke bashkuar forcat përballë krizave që janë më të mëdha se ne, përmes rezultateve konkrete që mund tu dëshmojmë qytetarëve tanë se sa e pa kuptim është tu rrimë pas fantazmave të së shkuarës, në një botë ku kufijtë janë gjithnjë e më tepër porozë.
Kështu duam ta shohim ne Ballkanin, jo më një fuçi baruti e Europës, por një model bashkëjetese paqësore. Jo më një peng të së shkuarës, por shembull se si mund të ndërtohet një e ardhme e përbashkët. Megjithatë, mënyra se si merremi me të shkuarën është thelbësore që e gjitha kjo të jetë e mundur.
E shkuara nuk është një faqe që mund të shuhet e tëra. Si e thërrasim këtë të shkuar? Çfarë historish rrëfejmë? Cilat të vërteta zgjedhim të vëmë në dukje? Si mendojmë se jemi e si të tjerët na perceptojnë, kanë vlerë jo vetëm për të kuptuar se kush jemi por edhe për të kuptuar si të angazhohemi me botën, kë të ndjekim, kë të besojmë, kë të bëjmë mik? Këtu vij tek çështja kryesore që doja të ngrija me ju sot dhe arsyen përse ka rëndësi, jo vetëm për ata që janë të prekur drejtpërdrejtë, por për të gjithë ne, për aftësinë e qytetarëve për të ruajtur besimin tek politika, tek paqja afatgjatë dhe te institucionet ndërkombëtare. Zonja dhe zotërinj, ka kombe në historinë botës që jetojnë gjatë gjithë jetës së tyre kolektive duke mbrojtur me guxim lirinë e tyre, të rrethuar nga dhuna, gënjeshtrat dhe hipokrizia e një bashkërisë ndërkombëtare qëndron mënjanë e bën sehir ndërkohë që ata torturohen deri në nënshtrim. Ata shpresojnë të rezistojnë për aq kohë sa munden e për aq kohë sa bota të gjejë ndërgjegje.
Ky është rasti i një kombi ukrainas tani e ky ishte rasti I kombit të Kosovës tani, disa dekada më parë. Nuk ka dyshim që të gjithë keni vënë re se sa i zellshëm është rezidenti aktual i Kremlinit për të hequr paralele midis Krimesë dhe Kosovës. Nuk është aspak një përpjekje e pamendët edhe pse provat nuk e mbështesin në kurrfarë mënyre këtë spekulim. Nuk ka asnjë paralele midis Kosovës dhe Krimesë edhe pse ka një të tillë mes Kosovës dhe Ukrainës, e meqë ra fjala, a nuk do të ishte një mrekulli nëse ju këtu në këtë Këshill të nderuar, të nisnit tu mësonit edhe të tjera organizmave institucionale të politikës ndërkombëtare ta shqiptojnë e ta shkruajnë Kosovën me emrin e vet të vërtetë e zyrtar, Kosova! jo Kosovo, Republika e Kosovës. Kurrë nuk është vonë për të bërë gjënë e duhur.
E për t’iu kthyer analogjive, ka një analogji edhe më të fortë midis Carit që ulet në fronin e Kremlinit e ditëve tona dhe “kasapit”, që mbante pozicionin e komandantit të përgjithshëm të Serbisë gjatë luftës në Kosovë. Janë dy kombe me të drejtën për të jetuar të lirë, në tokën e tyre, me gjuhën e tyre, me historinë, kulturën e tyre, të përndjekur nga të njëjtët demonë të së shkuarës, maskuar si operacione të posaçme ushtarake dhe ka dy tiranë të dëshpëruar. Një i vdekur e tjetri që luan me vdekjen, duke iu qepur vizioneve të madhështisë së të shkuarës për të manipuluar vetë qytetarët e vetë në një nënshtrim vdekjeprurës. Do t’iu kursej mësimet e historisë pasi në fund të fundit lloji i historisë që po përmendim këtu, zor se është histori. Është një kujtesë e gjallë tek të gjithë europianët. Të gjithëve iu kujtohet ndikimi shkatërrues i shpërbërjes së Jugosllavisë në fund të luftës së ftohtë. Të gjithëve ju kujtohet se si Ballkani Perëndimor, cepi më varfër e më shpërthyes i Europës, luftonte e përpëlitej mes jetës e vdekjes. Te gjithëve iu kujtohet se si dekada tensioni brenda një rajoni të përçarë thellësisht nga etnia, feja, ideologjitë kulminoi në lindjen e 7 vendeve të pavaruara. E të gjithëve ju kujtohet procesi i brishtë i paqes që vijoi, një proces që ashtu siç ngjarjet e fundit në Ukrainë vazhdojnë të na mësojnë çdo ditë, do të ishte marrëzi të merrej i mirëqenë.
Do t’i përqendroj komentet e mia vetëm në një aspekt të kësaj tragjedie njerëzore. Tek kapitulli i fundit i shpërbërjes së Jugosllavisë, konflikti humanitar në Kosovë. Dekada represioni të ashpër, të përhapur e të mirë dokumentuar, një operacion i qëllimtë, barbar ushtarak i spastrimit etnik i kryer nga Slobodan Millosheviç, solli si rezultat zhvendosjen e qindra mijëra civilëve, gjysmë milioni vetëm në Shqipërinë e vogël, mijëra vdiqën. Rreth 20 000 gra u përdhunuan dhe këto janë të dhëna zyrtare nga organizatat ndërkombëtare. Ndërkohë që flasim rreth 1600 persona janë ende të zhdukur. Të gjallët kërkojnë ende të dashurit e tyre. Të vdekurit nuk e kanë gjetur ende paqen e varrit.
E gjitha përshkallëzoi për dekada të tëra nën hundën e bashkësisë ndërkombëtare. U deshën vite shtypjeje, e privimesh që bota të gjente parimet morale e të vepronte në përputhje me to, por ndodhi. Falë Zotit ndodhi në 1999. Britma e sprasme e Kosovës, e dëshpërimit nuk mund të shpërfillej më. Beteja e saj për mbijetesë ngjalli keqardhjen botërore dhe valët biblike njerëzore që i iknin kasaphanës, vunë në lëvizje botën demokratike me një reagim të vendosur. Komuniteti ndërkombëtar mori përgjegjësinë dhe erdhi në ndihmë. Ndërhyrja e parë e plotë ushtarake e NATO-s në tokën europiane njohu luftën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, që solli si rezultat pavarësinë e vendit pak vite më pas. Drejtësia u vu në vend, dinjiteti u rivendos. Mund të niste pajtimi ose të paktën kështu dukej.
Lufta është punë e shëmtuar, është në natyrën e saj që dikush të presupozojë se ka simetri luftëtarësh e të presupozojë se të dyja palët kanë shkaktuar dëme, por lufta në Kosovë nuk ishte një luftë e zakonshme, ishte një shfaqej e përgjakshme e një diktature ultra nacionaliste në kërthizë të Europës. Ishte një tubim i ndërgjegjes së perëndimit demokratik, ishte një thirrje e dëshpëruar nga zemra e Europës për të shpaguar integritetin e bashkësisë ndërkombëtare pas dekadash shpërfillje të vuajtjes së miliona civilëve në mbarë botën. Perëndimi u ngrit në lartësinë e sfidës. Bashkësia ndërkombëtare e gjeti ndërgjegjen e vet, Europa gjeti busullën e saj morale e megjithatë jo shumë më pas, kjo busull humbi. Humbi pikërisht në këtë ndërtesë. Të njëjtat institucione ndërkombëtarë që sollën fundin e luftës në Jugosllavi dhe i dhanë Kosovës të drejtën e lirisë, të paqes, të dinjitetit minuan vetë veprimet e tyre, vetë parimet e tyre. Ata jo vetëm përfunduan duke vëne në pikëpyetje motivet dhe integritetin e luftës për liri të Kosovës, por gjithashtu përmes veprimeve të tyre, presupozuan e hamendësuar se kurrë nuk kishte pasur një të tillë. Si ndodhi një gjë e tillë?
Do t’iu kursej spekulimet pa interes. Këtu janë faktet. Më pak se një dekadë pas ndërhyrjes së NATOS- në vitin 2008, Carla del Ponte, ish- kryeprokurore e Gjykatës Ndërkombëtarë Penale për Ish Jugosllavinë, botoi një libër kujtimesh titulluar “Zonja Prokurore”. Në këtë libër zonja del Ponte pretendonte se krime të tmerrshme ishin kryer nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, përfshirë mbi të gjitha, trafikimin e organeve njerëzore. Libri natyrshëm shkaktoi valë tronditjeje në mbarë botën dhe kjo akuzë zuri faqet e para nga Europa në Australi. Pavarësisht faktit, akuzat u mohuan kategorikisht në Kosovë. Pyetja më misterioze e të gjithave ishte: çfarë e ndaloi një prokurore të pushtetshme që punonte me një mandat shumë të fortë i cili ishte dhënë nga Këshilli i Sigurimit të Kombeve të Bashkuara për të hetuar më tej. Hetimet e saj për çështjen, përfshi dhe në Shqipëri në vitin 2004 kishin dalë me rezultate jo bindëse për të thënë më të paktën, por si vazhduan të mbeteshin këto akuza? Edhe një herë, nuk do të angazhohem në spekulime në përgjigje por pyetjet e ngritura në librin me kujtime të Del Pontes, pa gjejeni, ishin kaq interesante sa tërhoqën vëmendjen e njerëzve të Vladimir Vladimoviç Putinit këtu në këtë Këshill. Një njeri i tillë që quhej Konstantin Kosachev, kreu i delegacionit rus në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Europës, në vitin 2008 paraqiti një mocion për të gjithë paraardhësit tuaj dhe dëgjoni titullin: “Trajtim çnjerëzor i njerëzve dhe trafikim i paligjshëm i organeve njerëzore në Kosovo”. Kështu e quajnë pushtuesit Kosovo. Kosachevi vetë, një parlamentar që përfaqësonte partinë Rusia e Bashkuar, partia e Putinit për ata që nuk e njohin, u përballë më vonë me sanksione nga SHBA dhe nga BE. Natyrisht jo për ndonjë vepër të mirë, por ndërkohë që ky njeri ra, puna e tij mbeti dhe vazhdoi përmes Këshillit të Europës dhe jo vetëm vazhdoi, por u ngrit në një nivel më tej.
Mocioni i tij u mor nga ky organizëm i nderuar, i cili bekoi një ekip për të përgatitur një raport që pretendoi se kreu kërkime të pavarura në rajon midis 2008-ës dhe 2010-ës në emër të këtij organizimi vet të Asamblesë Parlamentare te Këshillit të Europës. Diplomatët serb më vonë u mburrën se si ky raport mbështetej gjerësisht te dosjet që ishin paraqitur nga prokurorët serb për krime lufte, por nuk dua të spekuloj më tej lidhur me këtë. Ajo çfarë ka rëndësi këtu është që raporti përmendte me emër drejtues të lartë të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës dhe i akuzonte për kryerjen e krimeve të tmerrshme përfshi trafikimin e organeve gjatë dhe pas luftës në 1998-ën, 1999-ën.
Ndërkohë që raporti nuk prodhoi as atëherë e as në kohët më pas, meqë ra fjala që ta dini, delegacioni shqiptar atëherë këtu i pranishëm, nuk e pengoi këtë dhe megjithëse nuk pati asnjë provë, nga ato që autorët pretenduan se kishin përftuar gjatë hetimit u miratuan në tërësinë vet dhe fjalë për fjalë në një rezolutë të kësaj asambleje në janar të 2011-ës. Jam këtu sot në 2022, dhe ka një arsye për këtë, jo sepse unë dhe ne në Shqipëri e zbuluam sot që ky ishte lajmi më i tmerrshëm i rremë i shpërndarë përmes vet duarve të nderuara të Këshillit të Europës, por sepse pritëm me durim derisa pamë akuzën zyrtare, së cilës do t’i kthehem më vonë. Kështu që shpresoj të kuptoni seriozitetin e të gjithë kësaj.
Më lini ta përsëris, pretendime tërësisht të pavërtetuara të një ish prokuroreje të përgjithshme në kërkim të shitjeve të mëdha të librit të saj, e dimë se çfarë ndodh me njerëzit që largohen nga detyra dhe që hartojnë kujtimet e tyre, çoi në një mocion i paraqitur nga një parlamentar i partisë Rusia e Bashkuar që u shndërrua në një raport të Këshillit të Europës, mbështetur në burime tejet të dyshimta që më pas u shndërrua në një rezolutë të kësaj asambleje parlamentare dhe që çoi më pas në krijimin e dhomave të specializuara të Kosovës, për të gjykuar personat e dyshuar për trafikim të organeve njerëzore ndërkohë që luftonin luftën e tyre për liri. Një prej romaneve më të njohura të letërsisë shqiptare, por edhe europiane, “Gjenerali i Ushtrisë së Vdekur” nga Ismail Kadare, rrëfen një histori të një përfaqësuesi i shtetit italian që vizitonte një fshat në Shqipërinë e pasluftës në kërkim të trupave të ushtarëve italianë që pretendohej se ishin vrarë gjatë luftës së dytë botërore. Në rastin tone, realiteti tejkalon fantazinë.
Një përfaqësi e një prej institucioneve më të respektuara europiane, Këshillit të Europës, viziton vende të caktuara në fshatrat e thella shqiptare në kërkim të klinikave të specializuara ku presupozohet se ka ndodhur heqja e organeve njerëzore. Raporti përqendrohet, i vendos një theks të veçantë, e dëgjoni këtë, te një vend specifik mjekësor, një “Shtëpi e verdhë” në Shqipërinë e Veriut ku ishin përqendruar, sipas pretendimeve, operacionet. Kjo shtëpi, që nuk është aspak e verdhë, megjithatë këto janë të gjitha sajesa të kësaj fantazie, në fakt nuk është klinikë. Është një ndërtesë guri e zhveshur e një familjeje të varfër shqiptare. Çdokush prej jush mund të shkojë ta vizitojë. Në çdo kohë. Është një prej të shumtave në këto zona të thella që janë pak a shumë të njëjta. Vetë fshati që ndodhet në një zonë shumë të largët në veri të Shqipërisë që aso kohe, dëgjojeni, ishte i izoluar nga furnizimi me energji elektrike dhe me ujë të pijshëm, si edhe nga rrugët e asfaltuara nuk është saktësisht vendi ideal për ndërhyrje të këtij lloj kompleksiteti e sofistikimi si heqja e organeve. Imagjinojeni. Ju kërkoj ndjesë që po ju ftoj në këtë përfytyrim të tmerrshëm. Po imagjinojeni të heqësh organe pa energji elektrike, pa ujë e pa rrugë transporti e lërë më pas, pajisjet e specializuara e kështu me radhë.
Në fakt, fshatarët u pyetën dhe u përgjigjën se kurrë, asnjëherë jo vetëm që s’kishin parë, po as nuk kishin dëgjuar të tilla gjëra. Por edhe për heshtjen e tyre, fantazitë që u paraqitën këtu përpara të gjithë Asamblesë Parlamentare morën një përgjigje. Shkruhet dhe mund ta kontrolloni se i referohen kërcënimeve, pra fshatarët ishin kërcënuar nga Ushtria Çlirimtare e Kosovës, si dhe ishin gënjyer me gjëra të tilla si dhe citoj: me qasje falas në alkool, drogë e prostituta. Prostitutat silleshin nga nuk e di se ku, në atë fshat të largët për t’i heshtur këta fshatarë se për alkoolin dhe drogën është e lehtë duke qenë se ka një supozim në të gjithë botën se të gjithë shqiptarët i përdorin.
Për fat të keq, ky nuk është i vetmi vend ku raporti mbështetet në stereotipa të dëmshme në një koktej shkatërrimtar që përzien injorancën me arrogancën. Në rrethana të zakonshme, ngatërrimi i një fshati tradicional të vogël, të varfër shqiptar me një rrugë dritash të kuqe të një kryeqyteti evropiano-perëndimor do të bënte për të qeshur. Së paku, për të qeshur me naivitetin e atij që e thotë. Por kjo nuk është për të qeshur. Nuk është për të qeshur që të rinj që sakrifikuan jetën e tyre për të çliruar vendin e tyre, etiketohen si anëtarët të një grupi të rrezikshëm mafioz që merret me trafikimin e organeve. Nuk është për të qeshur që shqiptarët, qofshin shqiptarë të Shqipërisë apo të Kosovës, etiketohen sistematikisht si njerëz inferiorë. Me një besnikëri të mbi zhvilluar ndaj fisit dhe me një respekt të pamjaftueshëm ndaj shoqërisë civile dhe institucioneve politike. Nuk është për të qeshur që vetë raporti pranon se në momente thelbësore hetuesit nuk kishin kontakt të drejtpërdrejtë me burimet e veta. Çfarë kanë bërë?! Kanë bërë thashetheme apo çfarë?! Nuk është për të qeshur që ai pranon në shënime të fund faqeve, ka shënime në fund faqe shumë interesante që do të kishin bërë xheloz Franc Kafkën e Dostojevskin e këdo që ka patur një imagjinatë të gjallë për të hyrë në terret e thellësitë e natyrës njerëzore.
Aty thuhet që disa prej akuzave nuk mund të mbështeteshin, por këto pretendime mbeten aty. Shikoni në Google, kontrollojeni, do ta shihni. Nuk është për të qeshur që thekson se hetuesit punonin me kufizime financiare. Kësisoj ju mungonin burime për të kryer një hetim ligjor si duhet. Pra për çfarë po flasim?! Nuk është për të qeshur që për gjatë gjithë procesit, specialistë e diplomatë aktivë në rajon, bënë thirrje për kujdes e vetëpërmbajtje. Ishin njësoj si ju. Njësoj si paraardhësit tuaj të ulur këtu. Përfaqësues dinjitozë e të nderuar të bashkësisë ndërkombëtare, por dinin më shumë. Edhe nuk është për të qeshur që Bernard Kouchner, i cili është dhe mjek, atëherë përfaqësues i dërguar i posaçëm i Sekretarit të Përgjithshëm të Kombeve të Bashkuara, theksonte në mënyrë të përsëritur: Ju lutem, ju lutem, ju lutem mjaft me këtë! Ndaluni! Këto pretendime janë tejet të dyshimta.
E megjithatë “Shtëpia e verdhë” fantazmë e gjeti rrugën deri këtu, jo vetëm për të ngërthyer imagjinatën, por gjithashtu edhe rregullat e procedurës e madje edhe seancën e votimit në këtë sallë, që është një sallë reale, nuk është fantazmë. Është shtëpi e Kombeve Europiane. Është shtëpi e të gjithë europianëve. Nga ata që janë BE, duke shkuar te ata që kanë vetëm E, dhe jo B.
Por, ndërkohë që “Gjenerali i ushtrisë së vdekur” i novelës së Kadaresë është krijim i fantazisë, trashëgimia e të cilit është të argëtojë e tu mësojë lexuesve lidhur me tmerret e të shkuarës, arritja e fundme e vetë gjeneralit tuaj në kërkim të një ushtrie organesh që nuk ekzistonte ishte ta kthente në tallje fjalën e vetë të drejtave të njeriut. Në bazë të kësaj dhe pavarësisht mungesës mbresëlënëse të të dhënave lidhur me trafikun e organeve u krijuan dhomat e specializuara të Kosovës që çuan në arrestimin e 4 individëve, përfshi presidentin e Kosovës në atë kohë, Hashim Thaçi. Vetëm për një moment vini në lëvizje imagjinatën dhe imagjinoni presidentin, kryeministrin apo udhëheqësin që merret nga zyra e tij dhe merret nën mbikëqyrje, vihet nën arrest pa asnjë aktakuzë zyrtare.
Dikush përmendi Joe Biden. Joe Biden kishte zakonin ta quante George Ëashingtoni i Kosovës, por në këtë pikë, do të ishte më e përshtatshme ta quanim Josef K., ashtu si personazhi i Kafkës te “Procesi” u arrestua nga një autoritet i largët, i panjohur pa kuptuar se për çfarë ishte akuzuar. Presidenti Thaçi dha dorëheqje në mënyrë të hijshme. U largua me dinjitet nga zyra. E vendosi veten në dispozicion të drejtësisë. Në mënyrë të përsëritur deklaroi se i besonte drejtësisë ndërkombëtare se në fund të fundit për drejtësinë e kishte vënë jetën në rrezik. Është ende atje. Në Hagë. Një Josef K. i gjallë. Ende në burgim. Krijuar nga një lajm i rremë që u përhap si murtajë dhe ndikoi politikën e institucione ndërkombëtare. Megjithatë mos më merrni për keq. Nuk jam këtu të vë në diskutim as Dhomat e Specializuara të Kosovës e asgjë që lidhet me procesin e rregullt gjyqësor.
Jam këtu për të vënë në diskutim burimin, vetë burimin e infektuar, të neveritshëm që krijoi gjithë këtë valë dhe jam këtu të diskutoj faktin që në akt-akuzën zyrtare që u paraqit një vit pasi ky njeri, jo një njeri i thjeshtë por një president në detyrë, u mbajt në burgim. Nuk ka as edhe një fjalë të vetme, as edhe një që përmend në mënyrë të qartë apo të nënkuptuar çështjen e trafikimit të organeve njerëzore, është një çështje që nuk ekziston. Kjo është arsyeja pse jam këtu sot, kjo është arsyeja pse nuk isha një vit më parë, vitin para tij apo para atij, sepse kemi pritur me durim të shohim nëse do dilte diçka edhe pse e dinim që asgjë nuk mund të dilte. Është një fantazi e pastër, e mirë fabrikuar në Kremlin dhe në mënyrë shumë inteligjente e trafikuar e kontrabanduar në kanalet e politikës ndërkombëtare dhe e sjellë këtu në tempullin e të drejtave të njeriut.
Të nderuar parlamentarë, e kuptoj çështjen e simetrisë, e kuptoj rëndësinë e paanshmërisë, e kuptoj nevojën për të hetuar. Është në natyrën e institucioneve si ky, gjithashtu, se gjërat kërkojnë kohë dhe duhen bërë kërkime të thella përpara se të merret vendim për çdo rast, por vjen një pikë ku vonesat, ngurrimet, manovrat e humbasin karakterin e nevojshëm administrativ dhe përftojnë një kuptim të dytë, një kuptim që çon saktësisht në poshtërimin e atyre që Komuniteti ndërkombëtar presupozohet tu shërbejë. Kjo dëmton vetë bashkësinë ndërkombëtare, jo sepse nuk mund të vazhdojë të bëjë më atë që ka bërë përherë por sepse besimi në sistemin ndërkombëtar është thyer.
Kur bota kthehet përmbys dhe viktima bëhet kriminel, gjithçka është e mundur; zhduket dallimi midis të drejtës dhe të gabuarës, të vërtetës dhe gënjeshtrave dhe në momentin që ky dallim shuhet, jemi sërish të kthyer në hapësirën e pushtetit arbitrar dhe viktima e parë e këtij shtrembërimi jeni ju. Po, të gjithë ju, është vetë bashkësia ndërkombëtare. Një lajm i rremë mizor arriti të shndërrojë në një raport që u transformua në një rezolutë, në një përpjekje të admirueshme, në fakt, për t’i shërbyer të vërtetës dhe drejtësisë me kaq shumë njerëz të cilët u keq orientuan dhe që, më në fund, i minuan të dyja, të vërtetën dhe drejtësinë. Veprimet tuaja një dekadë më parë kanë shkaktuar në mirëbesim një prej dështimeve më monumentale të politikës ndërkombëtare, një shtrembërim i shëmtuar të drejtave të njeriut dhe dinjitetit njerëzor, pikërisht duke vepruar për t’i mbështetur ato të dyja. Nuk jam këtu për të fajësuar paraardhësit tuaj, aspak. Jam këtu për ju,, gra dhe burra të cilët mund t’i shoh në sy, të cilët i lidh me ndërgjegjen europiane të drejtësisë, Këshillin e Europës, ekselencën botërore të mbrojtjes së të drejtave të njeriut; jam këtu t’iu them që si rrjedhojë e vendimit të shkuar të këtij Këshilli, të kësaj Asambleje, bota e drejtësisë u kthye përmbys, viktimat e krimeve të tmerrshme të luftës u kthyen në kriminelë.
Kërkimi për të vërtetën u kthen në një përsëritje të pafundme gënjeshtrash, të rinj, një njeri luftëtar u kthye në një kre të një bande mafioze, një udhëheqës i zgjedhur që ndërtonte paqen u shndërrua në një kriminel lufte, lufta heroike e njerëzve të zakonshëm që u mblodhën rreth flamurit e ushtrisë së tyre çlirimtare u kthye në një histori të tmerrshme të trafikimit të organeve, kërkimi i një vendi për dinjitet u nëpërkëmb nga akuza të turpshme të mizorive masive. Ata që u shpëtuan nga ndërhyrjet humanitare u akuzuan për krimet më jo humane. Kështu, drejtësia ndërkombëtare u mënjanua edhe njëherë nga hipokrizia ndërkombëtare. Mos u gaboni, nuk jam këtu që të lutem për Kosovën. E vërteta e Kosovës njihet për të gjithë, është e njohur për të gjithë ata që kanë sy për të parë, për të gjithë ata që kanë veshë për të dëgjuar, për të gjithë ata të cilët e kanë zemrën në vendin e duhur. Pa këtë të vërtetë, bashkësia ndërkombëtare do të vazhdonte të rrinte mënjanë, siç kishte bërë për dekada ndërkohë që populli i Kosovës kalonte përmes një aparteidi brutal dhe në fund ndërhynë sepse e vërteta ishte në anë të Kosovës.
Kosova ka paraqitur kërkesën për t’u bashkuar me Këshillin e Europës, për t’u bërë anëtare e saj. Është afër mendsh që Shqipëria e mbështet këtë kërkesë pa rezerva. Ju bëjmë thirrje që dhe ju të bëni të njëjtën gjë. Është afër mendsh që Serbia duhet ta njohë Kosovën si një shtet fqinj, të lirë, demokratik e të pavarur, por nëse ky hap i madh për Serbinë mund të kërkojë kohë, pranimi i Kosovës si anëtare me të drejta të barabarta të Këshillit të Europës nuk duhet të kërkojë më kohë. Thjesht bëjeni. Bëjeni tani dhe bëjeni për të gjithë ne, për Europën, jo për Kosovën, për Europën që përballet së bashku me një luftë të shëmuar dhe nëse doni një opinion të dytë, dëgjoni ukrainasit. Ukraina nuk e ka njohur Kosovën, pyeteni se çfarë mendojnë tani. Duke menduar për atë çka ju thashë më parë, përpiquni të përfytyroni presidentin Zelensky 10 vjet më pas, që bëhet pjesë e diçkaje kaq surreale saç është presidenti Thaçi sot sepse Kremlini dhe Moska tanimë ka nisur të thotë se ka trafikim, veprimtari të trafikimit të organeve njerëzore nga neo-nazistët në Donbas. Kështu që, jini të përgatitur për këtë.
Me pranimin e Kosovës në këtë familje të madhe tonën do të kontribuojmë për paqen dhe pajtimin në rajon, do të konsolidojmë të drejtat e njeriut dhe pakicave në Kosovë, do të mbështesim Reformën në Drejtësi dhe ndërtimin e institucioneve në demokracinë më të re të Europës, do të ndihmojmë shoqërinë kosovare të mbajë qeverinë nën kontroll. Nuk kam aspak dyshim që Kosova do të vazhdojë të shënojë përparime në të gjitha këto fronte. Ajo që më solli sot këtu është shqetësimi për demokracinë e Kosovës që pavarësisht moshës së saj të re, pavarësisht krizës aktuale, do t’ia dalë, do të ecë mirë. Është besimi i fortë i shqiptarëve në institucioneve si ky që është tronditur me vendimin tuaj, me atë vendim. Kur e vërteta e një kombi të tërë shtrembërohet në mënyrë kaq të frikshme, lutja e vetme që na vjen është “Për hir të Zotit, mos i lini gabimet e mëparshme tragjike të shndërrohen në mëkatin tuaj të pafalshëm”.
Jam këtu për ju, jam këtu për të gjithë ne. Jam këtu si evropian, në tempullin europian të besimit, në të drejtat ndërkombëtare të njeriut e ashtu si Shën Andoi përfundoi duke u predikuar peshqve sepse njerëzit kishin humbur besimin, shpresoi që gabime tragjike si ky që ka bërë kjo Asamble me çlirimtarët, nuk do ta kthejnë të gjithëve ne në heretikë. Jam këtu për t’iu përgjëruar që t’i shpëtoni fytyrën të drejtave të njeriut në Europë, të mbroni integritetin tuaj, t’u dëshmoni të gjithë njerëzve të shtypur në botë e të gjithë viktimave të shkeljeve të të drejtave të njeriut, që ata mund të rezistojnë pa frikën se qëndresa e tyre e ligjshme një ditë do të bëhet krim, që viktimat nuk do të akuzohen si kriminelë, që bashkësia ndërkombëtare nuk do t’u vijë në ndihmë vetëm për t’u kthyer sërish kurrizin më pas, që nuk do të degradojë e të poshtërojë me akuza kaq të tmerrshme ata njerëz, dinjitetin e të cilëve presupozohej të vinte në vend.
Ju bëj thirrje që të rrëzoni akuzat kundër Kosovës. Ju bëj thirrje që të pranoni kërkesën e Shqipërisë për miratimin e një rezolute që kërkon një raport vijues lidhur me akuzat e paprovuara, të turpshme të trafikimit të organeve nga anëtarët e Ushtrisë heroike Çlirimtare të Kosovës, një krim që kurrë nuk është kryer dhe kurrë nuk duhet të ishte atribuuar. Më lini ta përmbyll duke përsëritur këtë. Kjo nuk është as për hir të Kosovës e as për hir të Shqipërisë që ju duhet ta miratoni këtë rezolutë, është për nderin tuaj dhe besueshmërinë tuaj. Bota është mjaftueshëm keq në gjendjen që është. Të drejtat e njeriut janë në rrezik gjithkund. Duhen luftëtarë që të luftojnë për to, por nuk mund të ketë luftëtarë nëse nuk ka besim dhe gjithçka ka të bëjë me besimin. Zoti ju bekoftë juve! Zoti e bekoftë Këshillin e Evropës! Faleminderit shumë!
Cfare fatekeqsie, ne shqipetarev ska nevoje te navras armiku se vrasim njeritjetrin shikoni cpo ndoth me fjalimin e rames andej e kendej kufirit nje egerssi e paparsulmesh vetem e vetem ta zbehin sa me shume ate fjalim vetem tja ulin sameshume vlerat. Por vetem cfar u trajtua duhet te na bashkonte por jo por edhe ajo grekja eserbi na kane zili si po e sulmojme ate falim
PërgjigjuSi gjithmonë briland në gjykime që tejkalojnë çdo fantazi në zbardhjen e së vërtetës..!
Përgjigju5 Shtete te Europes i ke qit tym per veshi sot, tregoja bucave te Europes se Shqipetaret Jan faktor stabilteti ne Europe po aq sa Jan vete ato, Rrofte Shqipera edhe Shqipetari.
Përgjigju