Kultura

Mbahet edicioni i 15-ë i Festivalit Ballkanik të Filmit në Pogradec, çmimi ‘Fatos Baxhaku’ shkon në Greqi për filmin ‘Memories of Occupation’

21 Shtator, 15:36| Përditesimi: 21 Shtator, 15:48

  • Share

Për të 15-in vit radhazi Festivali Ballkanik i Filmit dhe Kulinarisë uli siparin në qytetin e Pogradecit.

Ky festival mbledh artistë, kineastë dhe dashamirës të kulturës nga i gjithë rajoni për të ndarë dhe festuar artin e filmit dhe kulinarisë. Përgjatë 5 ditëve në Pogradec u shfaqën 50 filma nga i gjithë Ballkani, me çmime për 10 filat më të mirë.

“U ndanë 10 çmime, pothuajse të gjitha shtetet e Ballkanit u vlerësuan. Pogradeci edhe njëherë u rikthye në kryeqendrën e Ballkanit dhe foli një gjuhë, me gjuhën e filmit. Jemi shumë të lumtur që edhe ky edicion u mbyll me sukses. Fillon puna për edicionin e radhës”, tha Gerta Qurku, organizatore.

Çmimi “Fatos Baxhaku” shkoi në Greqi për regjisorin Dimitris Argyriou me filmin “Memories of Occupation”, ai tregon se do të rikthehet përsëri në festivalin e radhës.

“Kuptimi i filmit ka të bëjë me përballjen me të kaluarën, me përballjen me traumën që ndodhi gjatë Luftës së Dytë Botërore. Bëhet fjalë për një fshat që u shkatërrua nga nazistët dhe se si banorët, gjenerata e dytë e njerëzve që përjetuan traumën, po përballen me të.  Fitova çmimin si Dokumentari më i Mirë dhe jam shumë krenar për të”, u shpreh Dimitris Argyriou, regjisor.

Në ceremoninë e ndarjes së çmimeve ishte edhe drejtor i arkivit qendror shtetëror i filmit, Eljan Tanini, i cili foli për restaurimin e filmave.

“Është kontribut shumë i rëndësishëm, sepse një pjesë e mirë e filmave nëse nuk do të restauroheshin do të zhdukeshin përfundimisht . Do desha shumë që vitin tjetër ne si AQSHF të ndërmerrnim një nismë që ia kemi paraqitur bashkisë së Pogradecit, për të vendosur tabela informuese se ku janë zhvilluar filmat më të rëndësishëm. Do t’i jepte qytetit një joshje tjetër”, tha Eljan Tanini, drejtor i Arkivit Qendror Shtetëror të Filmit.

Një nga aspektet e veçanta të këtij festivali është përfshirja e filmave të vjetër të restauruar, duke i ofruar shikuesve një përvojë nostalgjike dhe edukative.

SI.E./E.H/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?