Në Qendrën Sportive “Sezai Surroi” në Prizren u zhvillua edicioni i pestë i Turneut Ndërkombëtar në Mundje “Dita e Kolosëve”, një ngjarje tashmë tradicionale e organizuar nga Klubi “Kolosi Infinit”.
Turneu mblodhi rreth vetes talente të rinj nga rajoni, duke sjellë emocione dhe rivalitet sportiv në tapetin prizrenas. Moment i veçantë i aktivitetit ishte dekorimi i vëllait dhe motrës Ernest dhe Erglena Domi nga Kukesi me brezin e turneut, për arritjet e tyre.
Të dy u shpallën gjithashtu “Kolosët e Vitit 2025”, duke u bërë simbol i përkushtimit dhe pasionit në sportin e mundjes që prej disa vitesh janë pjesë e ekipit të Klubit “Kolosi Infinit” të Prizrenit.
Turneu ishte i dedikuar për grupmoshat pionierë dhe kadetë, duke përfshirë 50 sportistë nga Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Shqipëria.Klubi i Mundjes Kukës që përfaqësoi Shqipqërinë mori pjesë me shtatë sportistë, të cilët arritën rezultate mbresëlënëse.
Trajneri i klubit, Ali Cenaj, u shpreh se “Prej tre vitesh marrim pjesë në këtë turne që është i përshtatshëm për grupmoshat tona.
Nga shtatë garuesit kuksianë, pesë u ngjitën në podium duke fituar medalje: Jasin Gërbolli (32 kg), vendi i dytë, medalje argjendi, Erik Cenaj (32 kg), vendi i tretë, medalje bronzi. Aron Shahu (38 kg), vendi i tretë, medalje bronzi. Boris Matmuja (42 kg), vendi i tretë, medalje bronzi. Algen Axhami (44 kg), vendi i dytë, medalje argjendi.
Ky ishte një sukses i merituar për ekipin kuksian, i cili vazhdon të përfaqësojë me krenari dhe dinjitet qytetin dhe Shqipërinë në arenat ndërkombëtare të sportit.
“Dita e Kolosëve” tashmë është shndërruar në një traditë të rëndësishme për mundjen dhe sportin duke promovuar talentin dhe forcën përmes garës dhe frymës së sportivitetit.
Komente
