Edicioni i 9-të/ Gjigantët italianë të Jazz në Tiranë, mesazhi kundër luftës! Ndezin skenën yjet Cesare dell'Anna, Mannarino dhe Supnick

21 Korrik 2022, 15:37| Përditesimi: 21 Korrik 2022, 16:30

  • Share

 

Të jetosh jetën është një gjë vërtet e madhe

Aty është gjithë bota mes djepit dhe gropës

U nise nga një port i vogël

Aty ku etja ishte e madhe dhe gryka ishte e shkurtër

Dhe tani jeton 

Sepse nuk do të kesh asgjë më të mirë për të bërë

Derisa të jesh i vdekur

Jeta është dehja më e madhe

Ndërkohë që pin gjithçka rrotullohet rreth teje

Dhe takon shumë njerëz

Por kur të kalojë nuk do të mbash mend asgjë...

Kështu këndoi Alessandro Mannarino në mbrëmjen e 20 korrikut, i ftuar special në natën e parë  të edicionit të 9-të të festivalit ndërkombëtar të xhazit, organizuar nga Hemingway Fan Club Albania. Organizatorja e festivalit Elisa flet për risitë dhe mesazhin që përcillet mes një publiku fort artdashsëse që ka respektuar edhe këtë herë kodin e veshjes, gjithçka në ngjyra me dizajne latino-amerikane dhe afrikane.

“Perfomojnë në këtë festival nga të gjitha vendet nga Italia, Amerika, Kolumbia, Kili. Për fat të keq po jetojmë në një situatë të keqe të luftës. Mendojmë se jazz do jetë një muzikë që sjell paqe, Jazz not War!, thotë një nga bashkorganizatoret  italiane, e cila e ka mësuar bukur gjuhën shqipe.

Eda Zari flet për ngjyrat e folkut shqiptar në këtë festival, të këngëzuara me vargje lasguashiane, që do jetë edhe albumi i saj i radhës.

“Ky festival është një mesazh kundër luftës. Si grua, si nënë e dy fëmijëve mesazhi im është që lufta sjell gjithë të këqijat. Ndaj me muzikë, me këngë, më jazz ka veç paqe Meqë jemi në kuadër të festivalit të Jazz, unë do të sjell një album, ku këndoj poezitë e Lasgush Poradecit, që del së shpejti në treg”, thotë Eda Zari, që ka qenë pjesë e këtij festivali që në edicionet e para të tij. 

Magjia e natës së parë erdhi me flakët e kuqe të rumit dhe trompetat e Cesare Dell'Anna me bandën e tij. Gjiganti i Jazz-it që vlerësohet në industrinë e muzikës botërore si trombetist, kompozitor, eksperimentues, arranxhator me albume pafund, përcjell traditën e vjetër të bandave të jugut të Italisë, me nota të forta nga kultura vendase, por edhe me ato ballkanike.

Dell'Anna, themelues i "Giro di Banda" shoqëroi poetin dhe kantautorin e talentuar Alessandro Mannarino me hitet tij më të dëgjuara. Nata e parë e edicionit të 9- të festivalit "Hemingway Jazz Fest" ishte e zjarrtë.  Zemrat e publikut i çoi peshë tradita, arti, poezia, protesta, dhe ngjyrimet e muzikës Folk dhe Jazz. Ndezi zjarr në skenë muzika e Michael Supnick (i ftuar special), një amerikan që ka mbërritur  që në vite ‘70 në Itali, SuRealistas dhe Kumbia Boruka që bëri të vibrojë në ritmin emblematik të Amerikës Latine, Cumbia, nën ritmin e klubeve afro-amerikane, mes muzikës folk braziliane dhe bossanova-s...

Nata e dytë e festivalit që do të mbahet mbrëmjen e 21 korrikut dhe do ketë si kod veshjeje “të gjithë me bardha”. Jazz, jo luftë!-është mesazhi i gjithë këtij festivali.

K.T.//ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?