Është organizuar në qytetin e Beratit edicioni i tretë i Festivalit Ballkanik të Sazeve "Laver Bariu". Për dy netë me radhë, instrumentistë të shumtë nga Shqipëria, Kosova e Greqia, kanë performuar në skenën e Pallatit të Kulturës "Margarita Tutulani" pjesë instrumentale, Kaba me klarinetë dhe këngë e valle të trevave të tyre.
Në këtë festival kanë marrë pjesë 10 grupe instrumentale, 8 nga Shqipëria që ishin formacione të sazeve nga qytetet: Berat, Lushnje, Fier, Vlorë, Elbasani, Librazhd, Kavajë dhe Belsh si dhe dy grupe që vinin njëra nga qyteti i Prizrenit në Kosovë dhe grup tjetër nga qyteti i Konicës në Greqi.
Të gjithë pjesëmarrësit kanë perfomuar për dy netë me radhë, në kohën e tyre të përcaktuar, një Kaba, një pjesë orkestrale dhe një këngë. Aktiviteti është shoqëruar edhe me promovimin e një libri për Laver Bariun, ku tregohen momente nga jeta e tij dhe kontaktet që ai ka pasur me njerëz të ndryshëm, që e kanë ndihmuar Laver Beriun që për gjysmë shekulli të mbajë nivelin e Kabasë dhe instrumentit në lartësinë e duhur.
Kryetari i Shoqatës Kombëtare Folklorike të Sazeve, Niko Mihali ka theksuar se, qëllimi i këtij aktiviteti është jo vetëm mbajtja gjallë e muzikës instrumentale të rrallë të Laver Bariut por edhe angazhimi i instrumentistëve të rinj në përmirësimin e mënyrës së tyre të ekzekutimit.
"Berati është qyteti më tipik, ku gërshetohet shumë bukur trashëgimia kulturore materiale me trashëgiminë kulturore shpirtërore. Ne e gjetëm mundësinë të organizojmë këtë aktivitet ballkanik këtu në këtë qytet, për të krijuar një hapësirë më të gjerë në ditët e trashëgimisë kulturore kombëtare dhe njëkohësisht për të inkurajuar instrumentistët e rij (të klarinetës dhe të sazeve) për të pasur një model për gjallërimin e jetës kulturore.
Berati na e krijoi këtë mundësi dhe grupet pjesëmarrëse në këtë aktivitet kanë sjellë një performancë të mirë, në një kohë të limituar, duke performuar një Kaba, një pjesë orkestrale dhe një këngë. Synimi i këtij aktiviteti është angazhimi i instrumentistëve të rinj, që e kanë mësuar në mënyrë autodidakte, që nuk kanë bërë shkolla profesionale dhe duke u ballafaquar me njëri-tjetrin ata mund të përmirësojnë mënyrën e ekzekutimit. Këtë vit, u gjykua që ky event të bëhej në Berat, pasi në këtë qytet, në fund të viteve '70,në kohën e xhirimit të filmit "Gjeneral Gramafoni", në rrugët e këtij qyteti Laver Bariu ekzekutori një nga Kabatë e tij më Hit", ka thënë Mihali.
Klarinetisti Bujar Pepa, i Ansamblit të Myzeqesë, ka pohuar se, ai ka marrë pjesë në shumë evente kombëtare dhe ndërkombëtare të Kabasë. Duke pohuar se duhet të ketë më shumë evente të kësaj natyre, klarinetisti Bujar Pepa ka pohuar se këtë trashëgimi instrumentale duhet t'ja përcjellim edhe brezave të rinj.
Në përfundim të Festivalit Ballkanik të Sazeve "Laver Bariu", juria e përbërë nga 5 instrumentistë nga Shqipëri dhe me kryetar jurie instrumentistin nga Brukseli, Nikolas Vener, i kanë dhënë çmimin e parë të këtij festivali instrumentistit Vathi Fejza, nga grupi folklorik i qytetit të Belshit, ndërkohë që janë nderuar me certifikata mirënjohjeje edhe 5 artistë të tjerë.
Komente
