E mira është në Niçë të shkosh e të derdhesh si vaji në lakra. Vetëm kështu Mbretëreshës Gorë dhe princeshës Niçë nuk do i lësh zgëq e zgavër pa ja parë
Mirpo makina nuk është vaj, dhe malet nuk janë lakra.
Lëri fantazitë dhe, sado mahnitëse është Gora, therja për në Niçë si Niça e meriton, duke ja ngulur Gorës thikën nga aplloça në Lozhan, nga barku i butë te kurrizi i fortë.
Po vajte në Niçë, bën mëkat të kthehesh në Plloçë. Meqënse udhëtari për së mbari nuk kthehet nga erdhi, nga Niça therja për në Lozhan pa tu dridhur qerpiku.
Pak janë trimat që e kanë bërë rrugën e thikës së therjes së Gorës. Mos u dorzo. Pak janë dhe ata që kanë qënë në Hënë.
Në Plloçë, me tu kthyer djathtas për në Niçë, diku aty, do shohësh një burrë e një grua në mesmoshë që japin e marrin me një furgon tërthor me rrugën. Duken si dy vendalinj burrë e grua, ta zemë, si Bukuria me Luanin. Ama kur u afrohesh dhe u flet, zbulon se vërtet janë burrë e grua, por nuk janë shqiptarë, janë gjermanët e shqiptarizuar Wolfgangu dhe Johanna.
Pak më tutje te një lokal, dy burra njëpasnjë të japin spjegime të hollësishme si shkohet që aty deri në Lozhan. Spjegimet e tyre janë të pavlefshme. I kanë me të dëgjuar. S'kanë qënë kurrë në Lozhan.
Në Beragozhd, një taksixhi do ta rrëfejë fijepërpe rrugën për Lozhan në mënyrë pasionante aktoreske, me këmbë e duar, me sy e vetull. E ç'e do gjithatë aktrim pasionant. Edhe ai s'ka qënë kurrë në Lozhan, deri në Niçë ka qënë.
Mbi Beragozhd të rrënqethin zilkat e një tufë delesh që kullosin mbi një livadh të blertë. Çobani shtatlartë me krrabë në dorë dhe nagaçe në sup të thotë se 160 delet plus 7 lopë që po kullosin pak më tutje, i ka të gjitha të vetat. Por është i palumtur. S'po gjen dot nuse. Ca te dajot, ca te xhaxhallarët, ca te hallot e te tezet nëpër qytete, çupat e fshatit kanë ikur të tëra. Tek thotë këto, mbështet mjekrrën mbi krrabë, thyhet pak në mes, përdredh në një mënyrë të çuditshme duart, dhe thith thellë e mendueshëm cigaren. Çobani dramatik me rrezatim hamletian, për qamet s'të lejon t'i bësh një foto. Do të duhet t'i shterrësh të gjitha truket që të ka mësuar përvoja me të tillë karaktere, për ta bindur për foto, por nuk do ja kthesh dot mendjen.
Kalon një Daihatsu që shkon rrakapjekthi mbi gungat e rrugës. Mbi kabinë ka ngarkuar krejt rraqet e katundit. E nget një hokatar fjalëshumë me gruan në ndenjësen e pasagjerit. Hokatari thotë se ka qënë në disa vende të botës. Që të mos mbetet asnjë dyshim se po të thotë të vërtetën, si një poliglot i përsosur në mes të kurrkundit, shqipton me rradhë disa fjalë, anglisht, greqisht, italisht, gjermanisht, spanjisht, duke të siguruar se ka punuar në të gjitha ato vende, dhe të tjera. Mos e pyet ku po i çon ato rraqe, se të gënjen.
Daihatsu-ja karrakatinë me rrjedhje të dukshme vaji dhe nafte në të katër anët, ngarkuar sipër me kazana, vegla, kova, thasë, litarë, shkallë, zhduket në horizont duke të lënë një shije si te filmat e Kusturicës.
Ja dhe mbreti i këtyre anëve, Guri i Kamjes.
Te një bordurë mbi të cilën ndodhet një pllakë përkujtimore, janë ulur e po çlodhen; Një meso burrë, nusja e tij që mban një beb në prehër, dhe motra e nuses.
Vijnë nga katundi Krushovë pranë Voskopojës që është katundi i burrit. Janë martuar me shkesi. Burri qartëson me kryelartësi se sebep për këtë kombinim të lumtur u bë një dajua i tij.
Kanë ardhur më këmbë nga Beragozhdi. Po çlodhen për tu nisur përsëri më këmbë te fshati i nuses, në Osnat.
Mos i lër të lodhen. Merri në makinë se bën sevap.
Në Perëndim menu mbretërore për sytë, oqeani i maleve, pyjeve, luginave. Shquan Osnati, fshati më i afërm. Mblidh veten. Po i pe gjatë ato pamje, të dalin në ëndërr për gjithë jetën.
Bebi, për çdo hall që ka, me mamin dhe babin e vet komunikon me të vetmen mënyrë që di, me qarje.
Tre pasagjerët e rritur llafosen shumë dhe flasin me zë të lartë në telefon. Por nuk janë të bezdisshëm. Përkundrazi, duke qënë plot jetë, janë të këndshëm. Gjynah që do zbresin pas pak. Osnati është afër. Afër, një fjalë goje. Se hë këtu e hë aty, Osnati duket e zhduket pas qindra kthesave që secila duket e fundit.
Diku, nusja do thotë me zë të lartë se duhet të kthehemi më të djathtë. Mos e beso. Vazhdo drejt. Pas pak do zbulosh se kthesa që sugjeroi nusja është shtegu i kuajve, mushkave, gomerëve, njerzve që i bien shkurt nëpër shkurre e gurë për të vajtur më këmbë në Osnat. Mesa duket, nusja e dehur nga lumturia me burrin dhe Bebin, nuk bën dallim mes rrugës së hajvanëve dhe rrugës së makinave.
Ja një rrënqethje autostradale. Më të majtë shigjeta e një tabele tregon Prenisht.
Mos u kthe aty.
Fshati Prenisht i origjinës së Lasgushit meriton një ardhje tjetër, me më tepër nge, me më tepër kthjelltësi. Tanipërtani ngushëllohu që pas Osnatit, fshati tjetër është princesha Niça, fshati i Mitrush Kutelit.
Sa më afër Osnatit, aq më mahnitës bëhet gjelbërimi, pyjet, përrenjtë, krojet.
Pasagjerët e zhurmshëm dhe të këndshëm zbresin në periferi të Osnatit po ashtu si erdhën, duke u llafosur si në dasëm e duke bërtitur në celular.
Me të hyrë në Osnat do shohësh disa ustallarë mbi një çati pa tjegulla.
Pyeti a ka ndonjë dyqan këtu ?
Po, do thotë njëri nga ustallarët, unë jam dyqanxhiu, prit se erdha, dhe do zbresi nga maja e çatisë.
Do ikni bashkë te dyqani aty afër. Tek ikni, dyqanxhiu thotë se në Osnat kanë mbetur më pak banorë se gishtat e dorës. Duke parë Osnatin copë e çikë të bëhet t'i thuash se edhe aq janë tepër, bereqaves që s'kanë ikur të gjithë bashkë me zhabat e gjarpërinjtë.
Te dera e kyçur e dyqanit, ulur në një karrike pranë një tavoline mbi të cilën ndodhen dy qese duhani me të dredhur, celulari smart, dhe një gotë e zbrazur nescafe frappe, po përtyp fara luledielli një kollos nja njëzet e ca vjeç. Veshur e mbathur trendy kollosi mu sikur e ka veshur Edi Rama. Ama fort i brengosur. Ka shtëpi, ka tokë, ka katandi, ka bagëti, i ka të tëra, por s'ka nuse.
Dyqanxhiu do hapi dyqanin do nxjerri nga thellësia e një dollapi ca birra me kanaçe.
Pyete dyqanxhiun pse nuk i lë birrat te govata e betonit të kroit rrjedhës mu përballë dyqanit që të rrinë gjithë kohës të freskëta ?
Dyqanxhiu do thotë se po ti lërë kanaçet e birrës gjithë kohës te kroi, nuk dihet çfarë mund të ndodhi.
Mos e zgjat me dyqanxhiun duke i thënë se sipas tij banorët e Osnatit më pak se gishtat e dorës ndoshta vjedhin birrat e kroit, apo se uji i kroit që del nga mali është pakrasimisht më i shëndetshëm se Skopsko-t e dollapit, se i ngelet qefi. Merr birrat që të duhen dhe ktheje dyqanxhiun ku e more, te ustallarët e çatisë.
Pyeti, e kujt është kjo shtëpi që po ndërtoni ?
Do përgjigjen njëzëri: nuk është shtëpi, është xhami.
Po hoxhë a keni ?
Hoxha jam unë, do përgjigjet nga maja e Xhamisë pa çati dhe pa minare një djalosh me mjekërr i lumtur që i erdhi rradha për të folur.
Kush paguan për xhaminë ?
Banorët, besimtarët, përgjigjen njëzëri nga çatia e Xhamisë, Hoxha, dyqanxhiu, dhe dy të tjerët që, po të kihet parasysh rëndësia e objektit në ndërtim e sipër, ndoshta ishin Kryeplaku dhe Kryetari i Komunës.
Krejt superstruktura e Osnatit mbi Xhami. Sa bukur.
Aq pak banorë, aq të paparashikueshëm sa ndoshta vjedhin birrat te kroi, edhe po të paguajnë, zor se dalin paret me ndërtu në Osnat Xhami sado të vogël.
Nejse, lëre pas Osnatin me dyert e shtëpive si gojë të kyçura, dhe therja për në Niçë.
Niça ndodhet prapa malit.
Këtej malit Osnati.
Andej Malit Niça.
Nga Plloça në Niçë, rruga është njësoj. E pa asfaltuar dhe pa gropa të thella.
Kur ta shohësh nga larg Niçën ruaju mos të bjerë pika.
Niça mes maleve duket aq e zgërlaqur sa të kujton Llëngën dhe Manastirin e famshëm të cilët më larg se aq nuk mund të jenë.
Pamja e Niçës nga larg është rezultat i ndjekjes këmba-këmbës që pushtuesi osman u bëri kristianëve të këtyre trevave duke i shtyrë në vendet më të largëta, më të thella, më të harruara.
Si në përgjithësi fshatrat kristianë, Niça është më e sistemuar se Osnati. Portat e shtëpive më të rregullta. Çati llamarine të mbërthyera mirë që mbajnë borën në dimër. Kopështe me gardhe të ndrequra.
Por Niça është më e shkretë se Osnati. Në Osnat po ndërtohej diçka. Në Niçë, xhan-xhin, aq heshtje sa mund të dëgjosh frymëmarrjen e maceve.
E pamundur ta gjesh me ment cila nga shtëpitë e kyçura është Shtëpia Muze e Mitrush Kutelit.
Kur je bindur se në Niçë nuk do mund të takosh askënd, në të dalë të fshatit do shohësh një meso grua që del nga një portë. Në dorën e majtë mban një bidon të bardhë që duket si me qumësht, në dorën e djathtë një trastë të zezë. Kur ta përshëndesësh dhe ta pyesësh si i ka hallet, do të përgjigjet se në bidon ka hirrë për qëntë, dhe në trastë bukë për këlyshët.
Para një porte, tre zonja.
Dy prej zonjave bëjnë sehir më të vjetrën që tjerr lesh me furkë për triko për një mbeskë në kurbet. Asnjëra nga të tre zonjat nuk e di ku ndodhet Shtëpia Muze e Mitrush Kutelit.
Po e pyete thurësen e trikos për mbeskën në kurbet a kanë prift në fshat, do të përgjigjet se në Kishën e Niçës vjen shërben i famshmi dhe i mrekullueshmi Prift i Llëngës.
Kalon në punë të vet një çoban me nagaçe në sup.
Çobani do pranojë me kënaqësi të japi spjegime si arrihet nga Niça në Lozhan. Me siguri e di, se ka qënë. Madje thotë se edhe do të shoqërojë deridiku. Kur të jeni nisur, befas nga një portë do dali një djalosh. Është Kryeplaku i Niçës. Hajde që hajde, do thotë Kryeplaku, hajde të hamë mish, të pimë raki, të ngremë dolli', po s'erdhe më mbetet qefi. S'do kesh nga t'ja mbash. Do hysh. Do ulesh mbi ndonjërin nga trungjet bërë enkas për mysafirë oborri nën degët e varura të mollëve.
Oborri është një kantier i madh me kazana, fuçia, furra, soba, vegla, dhe, si në shumicën e shtëpive nga Plloça gjer këtu, një Suzuki ose një Nissan jashtë përdorimit që nuk munden ta ngrenë, as nuk dinë ku ta hedhin.
Mamaja e Kryeplakut, një zonjë e sjellëshme dhe e njerzishme, e qeras mysafirin me një kupë mjaltë, dhe një gotë dhallë.
Çobani me nagaçe do të shoqërojë deri diku që mos ngatërrosh rrugën për në Kishë me rrugën për në Stërkanj, tjetër fshat rrugës për Lozhan.
Përtej Niçës rruga është një llaftari me gunga dhe pellgje që mund të kapërxehen vetëm me llogaritje të sakta trigonometrike të tipit "dy gropa dhe një rrotë", "dy rrota dhe një gropë", etj. Aty bëj kujdes se një gabim i vogël në llogaritje të hedh në ca humnera prejnga s'të nxjerrin dot as tanket e NATO-s që do vinë me urdhër të firmosur dhe vulosur nga Niko Peleshi.
Gjithandej ujë që rrjedh nga malet.
Kaq shumë ujë në fund behari nuk ka kurrkund tjetër.
Në Stërkanj gropat e rrugës rrallohen.
Stërkanj ësht i mbytur në gjelbërim i tëri.
Duke kaluar nëpër Stërkanj brenda një tuneli të gjelbër me kilometra të gjatë, të duket sikur po kalon nëpër "Kopështet e Edenit".
Vijnë përballë dy kalorës.
Kur shohin makinën që po u vjen përballë, kuajt tremben pak.
Sokoli, më i riu, ka ngarkuar kalin me dy thasë krunde për derrat.
Skenderi, më i vjetri, por shpuzë nga goja dhe nga mendja, e ka ngarkuar kalin me gjethe lajthie.
Do thotë Skënderi: e sheh gjithë këtë gjelbërim ? Janë qindra mijra bimë nga më të ndryshmet. Të tëra me aftësi shëruese. Nga bari te pemët me trungje, të tëra bimë mjeksore.
E pamundur të mos e besosh Skënderin. Pa asnjë gjurmë dhjami në trup, 75 që duket si 46, Skënderi është vetë një dëshmi e gjallë e atyre ç'ka thotë.
Nga Stërkanji e matanë, rruga shkon buzë përroit që rrjedh nga lart.
Më tutje, me ulje-ngritje dhe kthesa të buta, rruga e ruan madhështinë sa epike dhe idilike njëkohësisht.
Por përtej Stërkanjit çfaqet një dukuri tronditëse.
Gjatë gjithë rrjedhës së lumit duken ca përbindësha betoni që po t'i shihte Don Kishoti do i merrte për kuçedra që thajnë lumin.
Një këtu, një atje, jo më pak se nja dhjetë, përbindëshat e bardhë që tek i sheh të merr të qarët ta prishin goxha qefin e udhëtimit.
Bashkë me të fundit hidrocentral, aventura mbaron.
Gjej ndonjë lavazh laje makinën nga baltat e pellgjeve dhe gjaku i thikës nga barku te kurrizi që ja ngule Gorës.