Opinion

Edison Ypi: Jam i Kuq

29 Mars, 14:41| Përditesimi: 29 Mars, 14:46

  • Share

Kam kujtu se jam i zi. Por kam rrejt veten. Nuk jam i zi. Jam i kuq. Kam fakte që nuk jam i zi por i kuq. Për shembull, sa herë dëgjoj këngën e kuqe "O Bella Ciao", aq më pëlqen, aq më gëzon, aq më lumturon, aq më dëfren, sa dal nga fiqiri, më zë korenti, më kap zekthi, s'jam në vete, s'di nga t'ja mbaj, s'di çfarë të bëj, iki, degdisem, arratisem, syrgjynosem, s'di se nga, s'di se ku, nëpër të tjera muzika të kuqe, ritme proletare, himne fukarenjsh, melodira rrjepacukësh, me të cilat mua pinjollin e bejlerve dhe pashallarve kam kujtu se s'më lidh asgjë, por më lidhka gjithçka që më trondit, më marros, më përlot. Të kuptohemi, kënga e kuqe në fjalë, me komunista, invazorë, partizanë, vrasje, vdekje, varrosje, nuk më çmend se jam dem, derr, apo komunist, por sepse jam i kuq.

Hallet e mia në kërkim të ngjyrës time identitare s'mbarojnë me bukuroshen e kësaj kënge të kuqe. Ato derte vazdojnë me ngjyrën e makinës. Mund të kisha zgjedhur një makinë me një ngjyrë tjetër, më të përshtatshme, më të pranueshme, më të këndëshme. Por vajta mora makinë të kuqe. Mund ta merrja të gjelbër si klorofila, të zezë si kozmosi, blu si deti, të kaltër si qielli, të bardhë si ambulanca, kaki' si rroba e ushtarit. Pse mua me gjak blu më tërhoqi e kuqja e luftrave, revolucioneve, kasaphanave ? Sepse i kuq jam, ndërsa i zi apo gri apo dreq e shejtan s'bëhem dot sa të vdes, edhe po të bërtas, uluris, plas, kërrcas, vdes.

Njerëzit e shquar të shkencës, artit, kulturës, ata që nuk ngopem kur i dëgjoj, dhe ngordh tu ngjaj, ata që vishen sa më thjesht, ata pa kravatë, janë të gjithë progresista, të gjithë komunista, të gjithë të kuq. Nuk është rastësi. Jam vet i kuq. Prandaj i adhuroj.

Letërsia klasike ruse më mahnit. Ajo Letërsi më ka modeluar. Ajo çudi më ka pjellë. Nga barku i asaj mrekullie kam dalë. Trualli i asaj Letërsie është nona dhe baba i të kuqes. Që domethën, edhe në s'më pëlqen, i kuq s'mund të mos jem.

Kur udhëtoj nëpër skutat e vendit tim, kudo ku vete me naftën time, makinën time, kohën time, pa kërkuar nga askush asnjë lek, iki sa më larg, sa më thellë, takoj ku janë e ku s'janë vetëm halllexhinj, vetëm kothere, vetëm fukarenj, kurrë zengjinë. Kur kthehem nga udhëtimet, ata që më kritikojnë janë gjithmonë ca të kuq nga ata që më thonë se s'jam mjaftueshëm i ndjeshëm dhe i mëshirshëm me fukaranë. Për fukaranë unë lodhem, coptohem, shpenzohem, ata mburren. Le të krekosen. Edhe ata edhe unë jemi të kuq. Me një ndryshim. Ata janë të kuq të ftohtë, të kuq të rrejshëm. Unë jam i kuq i vërtetë, i kuq i zjarrtë.

Ç'mrekulli të jesh nga veriu, nga Puka, Mirdita, Kuksi, Tropoja, Shkodra. Sa qef do kisha të isha nga shkrepat, pyjet, përrenjtë, humnerat. Por nuk jam nga veriu. Jam nga jugu. Jam nga mosqofsha. Jam nga Kolonja, Përmeti, Vjosa, Nëmërçka, Dhëmbeli. Jam nga Zona e Parë Operative. Ku vërtet s'u bë ndonjë luftë, ama u formuan kaq e aq brigada të kuqe sulmuese, ku janë mbledhur shtabe, janë bërë kongrese, janë marrë vendime me rëndësi historike rrënqethëse. Jam pra nga ku gjaku i kuq buçet. Nga ku gjysma janë oficera, gjysma tjetër spiuna. Jam nga ku e kanë zanafillën heroizmat, flamujtë, urratë, nismat, direktivat, iniciativat, mburrjet. Mes tërë këtij gjaku, a mund të mos jem i kuq ?

Woodstock ishte kryekrejt i kuq. Por mua që jam i zi qymyr, dhe shumë të tjerë katranëve si unë, në kohën kur të kuqtë vrisnin e prisnin, Woodstocku na ka pëlqyer sa s'thuhet. Duket si ngërç  si nonsens. Po, po të isha i zi. Por jam i kuq.

E kam dit se jeta ime është e zezë qymyr. Qënkësha gabuar. S'ka më të kuqe se e imja në dynja. Jo me fjalë. Me vepra, me lodhje, me sakrifica të panumurta. Që më janë dukur djepe. Por paskan qënë arkivola. Për këtë zhgënjim, do hakmerrem. Do filloj luftën e klasave, do rrënoj kisha e xhamia, do pushkatoj hoxhallarë e priftërinj, do shpall bllokadën, do riaktivizoj aksionet, punën vullnetare, rradhët, triskat, emulacionet, arrestimet, burgimet, dhe gjith dreqnit e tjera. Jam nis. Jam rrugës. Erdha. Friksohunu. Gjeni brimë e futuni.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Xhess The Smallest????: 30/03/2024 00:23

    Super

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?