Edison Ypi

Opinion

Edison Ypi: Jam i Kuq

28 Gusht, 09:33| Përditesimi: 28 Gusht, 09:36

  • Share

Nuk jam i zi. Jam i kuq. Kam fakte që jam i kuq. Sa herë dëgjoj këngën e kuqe "O Bella Ciao", aq më pëlqen, aq më lumturon, aq më dëfren, sa nga fiqiri dal, korrenti më zë, zekthi më kap, në vete s'jam, s'di nga t'ia mbaj, s'di çfarë të bëj, iki, degdisem, arratisem, syrgjynosem, s'di se nga, s'di se ku, nëpër të tjera muzika të kuqe, ritme proletare, himne fukarenjsh, melodira rrjepacukësh, me të cilat mua pinjollin e bejlerëve dhe pashallarëve kam kujtu se s'më lidh asgjë.

Por më lidhka gjithçka që më trondit, më marros, më përlot. Kënga e kuqe me komunista, invazorë, partizanë, vrasje, vdekje, varrosje, nuk më çmend se jam dem, derr, apo komunist, por sepse jam i kuq. Por lodhjet e mia në kërkim të ngjyrës time identitare s'mbarojnë me këngën të kuqe.

Vazhdojnë me ngjyrën e makinës. Mund të kisha zgjedhur një makinë me një ngjyrë tjetër, më të përshtatshme, më të pranueshme, më të këndshme. Mund ta merrja të gjelbër si Taçi i Baba Mondit, të zezë si kozmosi, blu si deti, të kaltër si qielli, të bardhë si ambulanca, kaki' si rroba e ushtarit. Por e mora të kuqe.

Pse mua me gjak blu më tërheq e kuqja e luftërave, revolucioneve, kasaphanave ?

Sepse i kuq jam. Ndërsa i zi apo gri, apo dreq e shejtan, s'bëhem dot, edhe po të bërtas, ulëras, kris, plas, kërcas, vdes.

Njerëzit e shquar të shkencës, artit, kulturës, ata që nuk ngopem kur i dëgjoj, dhe ngordh tu ngjaj, ata pa kravatë, ata që vishen sa më thjesht, janë të gjithë progresista, të gjithë komunista, të gjithë të kuq. Nuk është rastësi. I adhuroj sepse jam vet i kuq. Letërsia klasike ruse më mahnit. Ajo Letërsi më ka ngjizur. Ajo çudi më ka pjellë. Nga barku i saj kam dalë. Trualli i asaj Letërsie është nona dhe baba i të kuqes.

I kuq s'mund të mos jem.

Kur udhëtoj nëpër skutat e vendit tim sa më larg e sa më thellë, takoj ku janë e ku s'janë, vetëm kothere, vetëm hallexhinj, vetëm fukarenj. Ata që më kritikojnë janë gjithmonë ca të kuq nga ata që më thonë se s'jam mjaftueshëm i ndjeshëm dhe i mëshirshëm me fukarenjtë. Për fukaranë unë lodhem, copëtohem, shpenzohem, ata mburren. Le të krekosen. Edhe ata edhe unë jemi të kuq. Me një ndryshim. Ata janë të kuq të rrejshëm. Unë jam i kuq i vërtetë, i kuq i zjarrtë, i kuq inkandeshent.

Ç'mrekulli të jesh nga veriu, nga Puka, Mirdita, Kuksi, Tropoja, Shkodra. Sa qef do kisha të isha nga shkrepat, pyjet, përrenjtë, humnerat. Por nuk jam nga veriu. Jam nga jugu. Jam nga mosqofsha. Jam nga Kolonja, Përmeti, Vjosa, Nëmërçka, Dhëmbeli. Jam nga Zona e Parë Operative. Ku s'u bë ndonjë luftë, ama u formuan kaq e aq brigada të kuqe sulmuese, u mblodhën shtabe, u bënë kongrese, u morën vendime historike. Jam nga ku gjaku i kuq buçet. Nga ku gjysma janë oficera, gjysma tjetër spiuna. Jam nga ku e kanë zanafillën heroizmat, flamujtë, urratë, nismat, direktivat, iniciativat, mburrjet. Mes tërë këtij gjaku, a mund të mos jem i kuq ?

Woodstock ishte kryekrejt i kuq. Por mua që jam i zi qymyr, dhe shumë të tjerë katranëve si unë, në kohën kur të kuqtë vrisnin e prisnin, Woodstocku na ka pëlqyer sa s'thuhet. Duket si ngërç  si nonsens. Po të isha i zi. Por jam i kuq.

E kam dit' se jeta ime është e zezë qymyr. Qenkësha gabuar. S'ka më të kuqe se e imja. Jo me fjalë. Me vepra, me lodhje, me sakrifica të panumurta. Që më janë dukur djepe. Por paskan qenë arkëmorta. Për këtë zhgënjim, do hakmerrem.

Do filloj luftën e klasave, do rrënoj kisha e xhamia, do pushkatoj hoxhallarë e priftërinj, do shpall bllokadën, do riaktivizoj aksionet, zborin, punën vullnetare, radhët, triskat, emulacionet, arrestimet, burgimet, dhe gjithë dreqnit e tjera. Jam nis. Jam rrugës. Gjeni brimë e futuni.

A.Q/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Frano shqiptar: 28/08/2025 13:29

    Bktoni mendimet ndryshe se ju bëjnë nderë.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Aksidentet e rënda rrugore, a duhen ashpërsuar dënimet në Kodin Penal?