Edison Ypi

Opinion

Edison Ypi: Magjepsje

13 Maj, 12:46| Përditesimi: 13 Maj, 12:47

  • Share

Magjepsja nuk ësht larg. Magjepsja ndodhet mes Divjakës, Devollit, Vermoshit, Konispolit. Me këmbë, me  makinë, me rrëzim, me kapërxim, me rrëshqitje, me zarritje, në Magjepsje arrihet kollaj. Për në Magjepsje nuk lypset kallauz, as navigator.

Të zhytesh e mbytesh në Magjepsje nuk duhet asnjë lodhje, asnjë sakrificë. Mjafton e tepron pak Pranverë. Si këto ditë. Kur blerimi, pasi ka mbuluar çdo gjë, ka penetruar edhe brenda gurit, edhe brenda hekurit, atje ku ujrat rrjedhin. Flladi fryn. Retë vallzojnë. Pulat kakarisin. Gjelat këndojnë. Zogjtë cicërojnë. Dhelprat gënjejnë. Ujqit kafshojnë. Krimbat zvarriten. Iriqat çpojnë. Gjarpërinjtë helmojnë.

Sapo hyn në Magjepsje menjëherë e ndjen dhe kupton se këtu, ngaqë gravitacioni është zero, ndejtja është vdekje, ecja është vallzim, vallzimi fluturim.

Ja një gjarpër përdredhës mbi asfalt. Mos i fol. Po i fole inatoset. Të kthehet të kafshon e të helmon.

Qënit ja ka shkelur këmbën makina. Po ikën duke çaluar rrëzë një gardhi me hunj dhe hekura.

Nën verandën e një shtëpie rrethuar me kopësht: mami, babi, çuni, nusja, goca, dhëndrri, duke i fryrë lugës të ftohet, po knaqen duke ngrënë trahana të nxehtë me gjalpë dhe qumësht.

Në Magjepsje shtëpinë dhe vilat i bëjnë 1 kat më të lartë se tjetri. Edhe po ta kenë mbaruar, po panë shtëpinë e tjetrin sa e tyrja, thërresin urgjent ustallarët, shtojnë katin e munguar.

Në Magjepsje, pasi i prishin dhëmbët me ushqime moderne, oriz që e prodhon fabrika, dhe grurë modifikuar nëpër laboratorë, i ndreqin me porcelan, i bëjnë të bardha si shkumsi, dhe të mëdha sa të kalit.

Në Magjepsje të gjithë duan të kenë, dhe kanë, nga tre makina, dy fuoristeada, 1 helikopter, 1 aeroplan, 1 tren, 10 kalashnikovë, 20 kobure, 3 ton tritol.

Banorët e Magjepsjes ëndërrojnë të kenë secili autostradën e vet, secili aeroportin e vet, secili hekurudhën e vet, secili trenin e vet, secili spitalin e vet, secili ujësjellësin e vet, secili hidrocentralin e vet, secili çmendinën e vet. Madje secili edhe Diellin e vet për tu ngrofur, dhe secili Qiellin e vet mbi të cilin të fluturojnë miza e veta, zogu i vet, kënga e vet.

Në Magjepsje edhe pranojnë që çdo shtëpi ta ketë dyqanin e bulmetit te pragu i derës. Por me kusht që ai dyqan të ketë jo më pak se 20 djathra, 30 qumshta, 40 gjiza, 50 sallamra.

Po ashtu dhe për dyqanin e bukës ngjitur me atë të bulmetit, përveç 30 lloje simite, panine, byreqe, duhet të ketë medoemos edhe të gjitha llojet e ëmbëlsirave dhe akulloreve sipas përvojës ekselente të mjeshtrave tetovarë dhe gostivarë.

Po nuk u plotësuan kushtet e bulmetit dhe bukës, Magjepsat nuk rrinë pa ngrënë derisa të vdesin, ata bllokojnë rrugën nacionale derisa kushtet e babëzitjes të plotësohen.

Banorët e Magjepsjes janë secili gjithë kohës të rrethuar nga 10 televizora, mbi të cilët shohin non stop njëkohësisht pa ua shqitur sytë: 4 telenovela me turqit dhe turkeshat më të bukura, dhe 6 banaqe me dallaverexhinjtë më të ndyrë.

Në Magjepsje kanë një huq: Shkojnë te e vërteta përmes rrenës. Te ndërtimi përmes shkatërrimit. Te rregulli përmes kaosit.

Tjetër gjarpër. Po ngjitet te një pemë pasi ka lënë lëkurën në një ferrë. Mos i fol se nevrikoset dhe të pickon.

Mbi një faqe mali, dhjetë a njëzet infermiera me bluza të bardha rresht për nji si kalamajt e kopshtit po ikin në Gjermani. Nën sqetull, buk me vete. U prin një mjekërbardhë. Kallauzi Charles Darwini.

-Zotërinj magjepsësa, çfarë po prisni këtu ?

-Trenin. Treni niset në 8

-Këtu ska hekurudhë.

-Le të mos ketë. E kemi amanet nga Mikis Theodorakis.

Kalojnë në kuadrate të rregullta dhe me hap rreshtor tre grupe magjistarësh. Njëri kuadrat kollitet. Tjetri teshtitet. I treti krruhet. Muzika që del është një rrënqethje që s'tregohet, një magji që s'thuhet.

-O kok derr. Roskoveci nuk është fshat. Roskoveci është qytet. Qytet magjepsës me Kisha, manastire, monumente, shtatore, institucione, shërbime, me të gjitha. E ka bërë Kryetarja.

Banorët e Magjepsjes janë qeflinj të Teatrit. Jo të këtij realit, faktikut, autentikut, me pranverë, aromë bliri, male, lumenj, përrenj, rrugë, ura  tunele, bukurira natyrore, muhabete, thashetheme, ndërlikime, të gjitha me regjizor Zotin. As atij madhështorit me beton dhe xham që po ngrihet. Janë qeflinj të tjetrit. Karrakatinës me dërrasa të kalbura me çimka dhe morra, me regjizor fashizmin që na pushtoi dhe komunizmin që na vrau.

Kur u bllokohet puseta e ujrave të zeza, magjistarët e Magjepsjes u bëjnë thirrje ndërkombëtarëve, trupave diplomatike, qeverive perëndimore  presidentave, mbretërve, perandorëve, të vinë ata ta çbllokojnë urgjent pusetën me kazma e lopata.

Fol, bëj muhabet, me magjistarin e Magjepsjes, ose makar sozinë e tij. Por jo më gjatë se 3 minuta. Pas tre minutash, ti, ose ai, ose sozia e tij, ose të tre, do çmendeni përgjithmonë.

Slogan i madh mbi një mur të bardhë:

Nëse Perëndia nuk do kishte shpikur seksin, Magjepsja do ishte më e madhja kënaqësi.

Ka raste kur magjepsësi i këtyre nahieve zihet ngushtë, çorientohet, vuan. Kjo ndodh kur i duhet të kqyri qiellin por i kujtohet se duhet të telefonojë një mik, pastaj të bëjë një urim për ditlindje, fill pas urimit të datlindjes i vjen ndërment se ka lënë në mes filmin "O kasolle ku na mblodhe", pastaj se duhet t'i bëjë një koment plotësisht të merituar në Fejsbuk një spiuni, një korrupsionisti, dhe një çuni oficeri, nga një kompliment të thukët secilës prej tre mikeshave që kanë kohë që komplimentin e presin, kupa është mbushur e po derdhet, dhe disa detyrime të tjera që tashpërtash s'i kujtohen, por do i kujtohen pas pak, po s'u çmend.

Traktorin që shkon me zigzage mes rrugës po e nget një fëmijë.

Biçikletë e vjetër me goma të çfryra mbështetur pas muri.

Një i dehur po fërshëllen "Besame Mucho".

Dielli, para se të vdesi në horizont, i ka vënë zjarrin reve dhe qiellit mbi Adriatik.

SI.E./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Pena: 13/05/2024 20:31

    Me kenaqesi e lexon, shume bukur, bravo autori!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Si ka qene per ju viti 2024?