Edison Ypi

Opinion

Edison Ypi: Makinat heroike

26 Maj, 10:42| Përditesimi: 26 Maj, 10:46

  • Share

Më ka marrë malli për makinat e aso kohe, për makinat heroike, që nuk ishin si këto legenet e sotme të heshtura, tinzare, gjoja të sofistikuara. Ç'patët me makinat o burrat e dheut ? Pse i denatyruat, çfytyruat, degjeneruat, makinat heroike me leva, manovela, doreza, këmbëza, kërrcitje, zhurma. Kishe qef ti shikoje dhe dëgjoje. Ishin të gjalla. Ishin plot jetë. Aso kohe, saksofonat, tamburët, pianot, kitarrat, krejt muzika, krejt Rock and Rolli, por edhe piktura, arkitektura, imitonin pa rreshtur lakoret e aeroplanave, harqet e turbinave, muzikat e makinerive, simfonitë e lokomotivave, anijeve, kovaçhanave.

Makina e shkrimit, për shembull, ajo që gjithë gjallëri dhe jetë kërrciste pas çdo gërmë duke të lajmëruar se kryeveprës që po shkruaje ju shtua një tullë, tingulli që mendove nuk u mbajt i fshehtë, por duke u shkruar dhe pavdekësuar u shpërblye si meriton. Jo si Word Editori i sotëm, i pabesë, me pesqint dredhira dhe hilera, që përpëlitet në heshtje dhe errësirë sa në tokë në Cloud, me gjithato fonte, formatime, foldera, krejtësisht të pa nevojshme, krejtësisht të tepërta, që po e luajnë vulgun nga ment e kokës, kanë ngritur këmbët tu bien kokës. Ishin më të mira ato të çiltrat e Gutenberg se këto zuskat e Zuckerbergut që po verbojnë sytë, ngathtësojnë trupin, trashin mendjet.

Gazi i Degës, imitim i një Jeep-i të luftës, tmerrësisht i thjeshtë, pa asnjë yçkël, pa asgjë të tepërt. Jo si makinat e sotme që ndryshojnë çdo muaj. Gazit i Degës ishte aq perfekt, sa Rusia, Kina, dhe gjithë Lindja, në dhjetra vite nuk i shtuan  apo ndryshuan dot asnjë vidhë. Gazi i Degës ishte dhe mbeti një makinë që e mbajti kokën përpjetë, nuk tut nga asnjë shqotë, stuhi e tufan. Gazi i Degës nuk vinte kot, për qef, se ashtu ju tek. Gazi i Degës vinte për diçka serioze, të epërme, sublime, vinte të arrestonte. Gjithmonë me shkak. Kurrë nuk arrestoi Gazi i Degës po të mos kishe thënë të paktën një fjalë të tepërt, apo shprehur një mendim jo sipas turmës. Gazi i Degës s'kishte GPS, as Spotify, as mrroklla të tjera. Shtëpinë ta gjente vet. I dinte adresat përmendësh. Edhe ato të qyqarve nga Puka e Mokra që shkonte tu hidhte hekurat.

Makina e mishit ishte gjithashtu njëra nga makinat heroike që duhet të mos harroheshin por të ruheshin. E vogël, e thjeshtë, manovelë, shnek, disk me vrima, kishte lezet. S'linte mish e kock e deje pa grirë. Ndonjëherë, nëse kishe bërë ndonjë faj, për dënim, bashkë me mishin ta rrëmbente dhe gishtin. Por para asaj bukurie që me thjeshtësinë dhe efikasitetin e vet asocionte në mendjen e përdoruesit një mënyrë për hakmarrje efikase jo me llafe por me makinë, grirja e gishtit ndaj grirjes së jetës, ishte hiçasgjë.

Një tjetër makinë heroike mahnitëse ishte makina llogaritëse. Ajo e vjetra, ajo që kushedi ku e hodhën e dergjet. Zot na ruaj, nëse në ndonjë furrë. Ajo me manovelë, që e rrotulloje nja dy herë, dhe, pasi zhurmonte dhe kërrciste sa tundëte dheun, brenda disa sekondave ta nxirrte ekzakt shifrën. Jo si këto të sotmet që bëjnë gjithçka në heshtje dhe në çast, sikur muzika dhe koha nuk ekzistojnë.

Makina e Korrjes ishte ajo që më së shumti frymëzonte mosbindjen, rrebelimin ndaj Diktaturës së halabakëve, korrjen e komunistave si grurin, misrin, tërshërën, thekrën, që nuk e di pse s'ndodhi.

Makina e mutit, pavarsisht se transportonte atë që s'thuhet por sapo e thashë, kishte dhe ajo sharmin e vet, dhe sot meriton lavdinë e vet. Sa herë që vinte bosh dhe ikte plot, u kujtonte shqiptarëve se njeriu nuk është çfarë ha, por çfarë 10.

Fiati i Drejtorit ishte një rrangallë e heroike të cilën mjeshtrat pararojë me shpirt bolshevik të kalitur nëpër "veprat monumentale të 5 vjeçarëve", nuk i lanë modifikim pa bërë, llamarinë pa shqyer, vidhë pa ndërruar, vetëm e vetëm që kur karroca me rrota e quajtur Fiat i Drejtorit të ishte gati, të vinte drejtori tu thoshte proletarëve duarartë: Rrofshi o mutër që ma ndreqët.

Lokomotiva me avull, me asgjë të fshehur, të gjitha rropullitë jashtë, cilindrat, levat, bjellat, shtangat, vavolat, ishte një makinë heroike kryevepër. Mrekullisë së teknologjisë që bënte çuf-çuf i përket e gjithë lavdia e prittjeve lotndjellëse plot ankth në stacion, edhe kot, edhe pa shkak, edhe në pritje të dashurës që s'dihej në do vinte a s'do vinte, apo të vdekurit në front që kurrë nuk u kthye.

Makina qepse, ajo që s'ndali as ditë as natë duke prerë e qepur për çunat dhe gocat modelet më të fundit të veshjeve, s'pordhi fare kjo makinë për nenet e propagandës dhe tradhëtisë ndaj atdhjeut. I shkeli të gjitha pa mëshirë në emër të hakmarrjes së atyre që s'kishin gjetur doqet apo basmat e duhura. Meriton një shtatore majë Dajtit, a të paktën te kodrat e Saukut, Heroina që do ja kishin prerë mishin dhe varur në litar me gërshërën dhe sapunin e vet, do e kishin tërhequr zvarrë nëpër katundet kufitare, do e kishin burgosur, pushkatuar. Halli se mund të zvarrisësh një qen a një zagar, por zor se zvarritet një makinë.

Ndër makinat e lavdishme s'mbetej pas mulliri kafesë dhe qebapi që e rrotulloje mbi zjarr. Kafen e piqje dhe e bluaje vet. Dhe dije ç'pije. Dhe llumi pas përmbysjes për të hedhur Fall, nuk ishte i manipuluar, ishte autentik. Jo si tani që kafen e mpleksin, dhe llumi duket si baltë Karavastaje shkelur nga buaj të zinj me brirë duke nxjerrë nga bataku një qerre. Para këtij llumi, nga frika mos çmendet, këtij filxhani sja hedh sytë asnjë jevgë.

Kishte lezet makina e rrojes. Blije një herë e mirë makinën, dhe ndërroje brisqet. I është mohuar pa të drejtë fama që meritonte makinës heroike që rruante çdo skutë me gjakderdhje të sigurtë.

Makinat heroike ishin aq të buta dhe të ëmbëla, sa me makinat binin në dashuri, ftoheshim me gruan, shkaktonin xhelozira, tradhëtira, divorce. Njoh nja katër a pesë që u marrosën pas motociketës. Dhe të tjerë që derdheshin duke prekur dhe përkëdhelur tornon.

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Rama paralajmëron ndryshime në parti e qeveri, si e vlerësoni?