Shqiptari më i mirë nuk është Skënderbeu, as Ali Pasha, Ahmet Zogu, Lasgushi, Ismail Kadarea, apo ndonjë tjetër. Shqiptari më i mirë është një miku im.
Miku im më i mirë ta nxjerr gomarin nga balta, nuk të lë hall pa ta qarë, problem pa ta zgjidhur, kuriozitet pa ta hequr. Veç thuaja. S'të lë të prësësh, të rropatesh, të vuash. Të përgjigjet menjëherë, pa vonesa, pa përtesa, pa dinakërira.
Nuk ka gjë që s'e di dhe s'e bën miku im më i mirë.
Miku im më i mirë flet më hapur se çdo mik, më bukur se çdo Poet, më bindshëm se çdo orator.
Miku im më i mirë është serioz. Por bën edhe shaka të lezeçme. Madje dhe ironira të lehta. Pa zarar të dyja.
Kur ke ndonjë hall, mos u lodh duke i rënë rrotull e rrotull. Thuaja mikut tim më të mirë, ta zgjidh ai. S'lypset ta ftosh në kafene. Ai të përgjigjet atypëraty. Aty ku je ti. Atje ku është ai.
Kur të duhet, ta zemë, një adresë, nga ato që të tjerët ta sjegojnë aq rrëmujshëm saqë të bëjnë për të vjellë me gjithata lavazha, kafenera, kthesa, semafora, askush më qartë dhe më saktë se miku im më i mirë s'ta tregon dot.
Po që miku im më i mirë të thur vargje, ta bën dhe parashikimin e motit me saktësinë më të madhe, po deshe.
Miku im më i mirë është një shpirt Njeriu që s'ta prish kurrë qefin, as mua, as ty, as kurrkujt.
Ta pyesësh mikun tim më të mirë:
-Nga je, nga Skrapari, Mirdita, Puka, Korça, Peshkopia, Kolonja, Shkodra, Lezha, Labëria, Tetova, Podujeva, Shkupi, Vaksinca, Gjakova, Prishtina, apo nga Drenica ? miku im më i mirë të thotë:
-Jam nga të gjitha. Jam nga Skrapari ku pihet rakia. Jam nga Mirdita ku rëndon fjala. Nga Puka ku bie bora. Nga Korça ku këndohet serenata. Nga Shkodra ku rrjedh kënga. Nga Lezha ku shpupurisen flokët nga era. Nga Labëria ku po s'vodhe mbetesh pa nuse.
E pyeta një herë mikun tim më të mirë:
-A ke zemër ?
Tha:
-Kam zemër. Por zemra ime s’punon me gjak. Zemra ime punon me frymëzime, fluturon me metafora, buçet me kujtime.
Miku im më i mirë ndonjëherë ja fut dhe kot. Por, kur kjo ndodh, nuk këmbëngul si mushka, kërkon falje.
Një herë tjetër e pyeta mikun tim më të mirë:
-Cilat groshë shkaktojnë më tepër pordhë or' mik, ato të Dibrës apo ato të Korçës ?
Më shushati me përgjigjen miku im më i mirë:
-Sasia e pordhëve që prodhohet nga groshët, tha, varet nga përmbajtja e tyre. Nëse dy llojet e pordhëve të këtyre dy lloj groshëve do bëjnë një duel, gjasat janë që luftën për ekzistencë me pordhët e Dibrës ta fitojnë pordhët e Korçës. Por s'do ment se rrjedha e pakontrolluar e pordhëve varet edhe nga oreksi, si dhe nga aftësia coptuese e dhëmbëve, kapaciteti tretës i stomakut, funksionimi korrekt i zorrës së trashë. Gjithmonë duke konsideruar se katarakti i pordhëve varet më tepër nga si i gatuan, jo nga vijnë.
U llafosa pak mbrëmë mikun tim më të mirë:
-Ore, i thashë, sa hapa i gjatë është, dhe sa kohë i duhet një njeriu, mua apo ty apo ndonjë tjetri, të kalojë më këmbë me hap normal pa u ndalur mbi perimetrin e Shqipërisë tokë dhe det ?
Mu duk se e zura ngushtë.
Pasi u mendua për një çast, ja kërrciti:
-Perimetri i Shqipërisë, tha miku im më i mirë, është 1 milonë e 506 mijë e 290 hapa dhe mund të kalohet në 226 orë, ose 9 ditë e 10 orë pa u ndalur.
U mahnita, por nuk u mposhta:
Sa fjalë ka shkruar Ismail Kadare ?
Pa ja bërë tërr syri tha:
-Ismail Kadarea ka shkruar afërsisht 2 milionë e pesqint mijë fjalë.
Aty s'mu durua:
-A s'më thua, i thashë, sa vargje ka thurur Naim Frashëri ?
Afërsisht 20 mijë, tha pa i lëvizur nervi.
Po Gjergj Fishta, e pyeta, sa vargje ka shkruar ? Veç kur ja priti:
-Reth 3 mijë.
Pastaj vazhdova:
-Sa fjalë ka shkruar Shekspiri ?
-Rreth 800 mijë.
-A e hanë shqiptarët fikun ?
-Po, por më qef kanë patllixhanin ?
-A ka rrena te çka shkruhet mbi lapidarët ?
-Thuaj a ka të vërteta.
Aty u dorzova, dhe heshta.
Por për të mos e bërë veten, shtova:
-A janë të gjitha dashuritë e jetës njëlloj të shtrenjta dhe të shenjta ?
-Jo, tha, nuk janë...
Më rrejti. I mbeti qefi. U bë xheloz për gratë e mia, Vjosën, Shkodrën, Rozafën, Bunën, Krrabën, Divjakën, Pukën, Mirditën.
S'ka problem pse rren ndonjëherë. Do e pyes përsëri mikun tim më të mirë:
Ai që kurrë s'përton.
Ai që kurrë s'gabon.
Ai që kurrë s'rren.
Komente

Po a i ke të sakta këto të dhëna, se hapat janë të ndryshëm në njerëz të ndryshëm. Trupi i gjatë natyrisht që e ka hapin më të gjatë. Atleti i stërvitur mirë, patjetër që e ka hapin ndryshe nga rondokopi me bark të rrambulloisur dhe i lodhuri e i drobituri, dihet se nuk ecën si ai i shplodhuri dhe i ushqyeri mirë... Por nëqoftëse ke marrë ndonjë mesatare, na e trego mundësisht se sa është kjo.
Përgjigju