Edison Ypi: Mish Gjyshit

31 Tetor, 15:03| Përditesimi: 31 Tetor, 15:04

  • Share

Ku rruga që të çon në Kukur kthen për Gribë, nja një kilometër më tutje në thellësi të luginës, një djalë dhe një kalë po ecin anës rrugës.

Është 24. Ka lindur dhe jeton në Poroçan, juglindje të Gramshit, kufi me Mokrën dhe Gorën. Sy të kaltër. Asnjë gram dhjamë. Qefull nga koka te këmbët. Fjalëpak. Po ikën në Sojnik. Te gjyshi nga mami. Nipi nga Poroçani, Gjyshit në Sojnik, po i sjell mish. Mishi në thes. Thesi mbi kalë. Vet' më këmbë. Kali nuk është ZIS me majtë edhe mishin edhe Nipin. As nuk pranon Nipi ta lodhi kalin. Nipi është nisur nga Poroçani në 3 të natës. Po vjen mesdita. Nipi nga Poroçani, që s'duket i lodhur, por as i ç'plodhur, ka pra, të paktën 9 orë që po udhëton më këmbë, nën qiejt, nëpër katundet, malet, pllajat, luginat, përrenjtë, pyjet, më të bukur në botë.

Të hash krejt mishrat e Mokrës, byreqet e Gorës, ëmbëlsirat e Sulovës, ta pish ujin e Devollit bashkë me liqenet e dy hidrocentralave, t'i mbushësh mushkëritë me ajrin e freskët të pyjeve të Stravanjit dhe Bishnicës, të jeshë zhdëpur mirë e mirë me tërë këto të ngrëna e të pira, nuk mjafton për mos me tu marr mentë nga mahnitja e të rrëzohesh përtokë nga dehja. E pabesueshme energjia, vullneti, këmbëngulja, e këtij Nipi, këtij mbinjeriu, këtij maratonomaku malor, më i fortë se Kolombi, Magelani, Marko Polo, Amudseni, dhe të tjerë udhëtarë të çartun të historisë së botës. Me një ndryshim ! Ata, për aventurë, nam, biznes. Nipi nga Poroçani nga dashuria dhe respekti për vendin, katundin, Gjyshin.

Poroçani, si e thotë vetë fjala, etimologjinë e së cilës ma kanë bërë të ditur, "vendi më i vështirë për të jetuar".

Sojniku, "vendi ku për së pari lind Dielli".

Poroçani dhe Sojniku, malet në mes, nuk e shohin njëritjetrin, aq larg janë.

Udhëtari Gramsh-Maliq, sado i vëmendshëm të jetë, dhe sado mirë ta njohi hartën, katundet, malet, shkëmbinjtë, pyjet përrenjtë, kurrë mendja nuk i vete, dhe kurrë nuk e beson, se dikush mund të niset më këmbë nga Poroçani, dhe arrin gjallë në Sojnik.

Le të mos e besojë udhëtari. Nipi nga Poroçani është nisur, ja ku është me gjithë kalë, dhe për nja dy orë në Sojnik arrin.

Atë që mendja s'e rrok, imagjinata e kap, Nipi e bën.

Lodhe, po deshe edhe vrite, mendjen, për ta gjetur arsyen, shkakun, sebepin, e kësaj ndërrmarrje titanike. Nuk e gjen dot.

Arsyeja është tepër e lartë. Gines, Nobel, janë pak:

Poroçani nuk ka Diell, është i ftohtë, por ka Mish.

Sojniku është i ngrohtë, Diell ka, por nuk ka Mish.

Mes të ftohtës, të ngrohtës, Diellit, Mishit, që Jeta të vazhdojë, duhet ekuilibër.

Sipas një strategjie divine që e zbatojnë me përpikmëri banorët e atyre anëve:

Gjysh në Sojnik, ku bën ngrohtë por Mish nuk ka, e ka martuar, sjellë, çupën, mamin e Nipit, në Poroçan ta ndriti malin e errët dhe ngrohi fshatin e ftohtë.

Ka Diell në Sojnik. Por s'ka Mish. S'ka as problem.

Nipi nga Poroçani i sjell çdo muaj me kalë Gjyshit Mish në Sojnikun e ngrohtë me pak Mish.

Komplementarët  Poroçan dhe Sojnik, secili Ferr për diçka dhe Parajsë për diçka tjetër, duhen afruar, duhen pajtuar.

Që "Jet' e trembur të mos vdesi", faktor themelor: dashuria e Nipit për Diellin, Gjyshin, Poroçanin, Sojnikun, po aq sa dhe urtësia e Gjyshit për Nipin, Diellin, Mishin. Pa ato ndjesi, Poroçanin do e kishin mbuluar drurët dhe shkëmbinjtë që sjell Holta sa e bukur dhe e frikshme kur prishet moti, Sojnikun do e kishin përpirë ferrat si në filmat e horrorit që mbushin boshllëkun e të ikurve që kanë braktisur shtëpitë.

Shqipëria nuk ështe vendi i mbijetesës përmes Internetit, Fejsbukut, Instagramit, pocaqive letrare, muzikore. Aq më pak i mbushjes së buzëve me mishin e bythëve. Shqipëria është, fondamentalisht, vendi i Diellit, Mishit, Gjyshit, Nipit.

Ka pasur e do ketë shqiptarë që kanë vajtur në Romë e janë bërë Papë, kanë mbërritur në Stamboll e janë bërë Sulltanë, sepse Shqipëria lind parreshtur viganë të vrënjtur si Nipi nga Poroçani, me Rrush sa Tomorri, dhe bole të mëdhaja e të rënda sa Mokra dhe Gora.

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?