Edison Ypi: Në Darsi, për qef

5 Gusht, 18:48| Përditesimi: 5 Gusht, 18:52

  • Share

Po ikja me taku një mik në Gjyshaj, Ballagat. Sa bukur kur emrat e katundeve janë shqiptarë. Mund t'i bija shkurt nga Peqini. Por i rashë gjatë nga Belshi, kot, për qef. Por edhe me një dëshirë dhe shpresë të fshehtë, hë se po humb. Nga Belshi, mespërmes Darsisë, mendova të dal në Pajovë, e me rradhë, Peqin, pastaj lart Gjyshaj, Ballgat.

Dumreja është e bukur, po deshe dhe shumë e bukur, më e bukur se Toskana. Ama dhe Darsia nuk mbetet prapa. Darsia veçse s'ka liqene. Se luginëzat, sidomos kodrat e buta si brumra gjigande që pas pak amvisa do i shndërroj në petë byreku sa Fieri dhe Kavaja, i ka më të bukura se Dumreja. Darsia, bashkë me disa të tjera rrotull Myzeqesë, është një nga Toskanat tona.

U nisa pra për Pajovë. Por kur po kaloja në Shezë, e ndrrova planin. Në Shezë, në mes të katundit, kthente një rrugë majtas, paralel me kodrat dhe Shkumbinin.

-A shkon kjo rrugë në Ballagat ? pyeta nja dy të ngeshëm te një kafene, me shpresë të më gënjenin dhe të realizoja ëndrrën e kahershme, të humbja rrugën, që është qefi im më i madh kur udhëtoj, si të thuash, orgazma e udhëtimeve të mia, kur nga qefi derdhem mes pyjeve dhe luginave si derdhem mes fundbarkut të femrave.

-Po, më thanë, dhe rruga është shumë e bukur.

U afruan. Njëri prej të dyve, ai me surrat pijaneci, fliste dialektin e zonës që kurrë s'e kisha dëgjuar, aq befasues, aq i ëmbël, aq muzikor, sa ma shkuli priçkën e kokës.

-Keni kthyer ndonjë qelqe ?

-Joooo, për kokën e atij që po kalon me thes në kurriz.

I falenderova, e lashë Pajovën dhe Peqinin.

Ato vende në jug të shkumbinit janë të gjitha njëri më i bukur se tjetri.

Ja thera me qef te kjo rrugë plot kthesa dhe rrëpira. Mjerë ata që s'e kanë parë. Pika mua që s'e kam dit' që ekziston.

Ngjitje-zbritje të lehta. Khesa të ëmbëla.

Në një nga kthesat, kamion i madh i mbuluar po ngarkon.

I afrohem. Po ngarkon Pjeshkë. Jo femra lakuriqe me të njëjtin emër me buzë, gjoks, bythë silikoni. Pjeshkë prej mishi me lëng të ëmbël, po të them.

-A do ca pjeshka ? dëgjoj ca zëra.

-Jo, nuk dua, u them me zë të mekur nga pamja mrekulluese.

Majtas-djathtas plantacione pjeshkësh.

Më tutje, tjetër kamion që po ngarkohet me pjeshkë, të tjera thirrje apo lutje për të më dhuruar ca pjeshka. Prap, e prap, e prap, plantacione pjeshkësh dhe kamiona që ngarkohen.

Kalojnë me zhurmë turlilloj motorra, traktora, kamiocina, makinerira, o Zot o Perëndi ç'bëhej atje. Dhe nuk ndaloj dot se ulurijnë boritë nga pas.

Kamiona, benza, opela, nguten të gjithë për një qëlli, për të vajtur sa më shpejt nëpër fusha, te ekonomia, te puna, te pjeshka. Bëj pak mënjanë buzë një hendeku ku desh rashë. Dhe hajt e të merrej njeri me mua me më nxjerr nga hendeku. Me ke e ke ore. Të gjithë pas pjeshkave.

Kalon një meso burrë me papaq. Ky në foto. Përveçse nget papaqin, në një dorë mban një kovë të madhe, pas shpine ka aparatin e spërkatjes. E pyes, me kunj, të armatosurin rëndë, me papaq, kovë, bombul spërkatje.

-Dukesh mirë me shëndet. Apo ke ndonjë sëmundje ?

-Edhe po të kem sëmundje s'kam kohë të merrem me sëmundjen. Tanipërtan sëmundja ime është puna. Jam i zënë me punë. Punë punë natë e ditë.

-Epo do kesh pasuri të madhe...

Ja thash si me shaka. Ja si tha për pasurinë,

-S'jam keq. Kam 800 rrënjë pjeshke, 200 rrënjë kumbulla, 400 rrënjë ullinj, dhe xjerr vaj ulliri.

Zura kokën me duar. Kishte kapur qiellin zotëria.

Më tutje pyeta ca të ngjajshmit e tij. Ca prej tyre s'ma patën ngenë të më përgjigjeshin, duke bërë gjestin "Pa ik mos më rroganis kokën" dhe vazhduan në punë të vet. Të tjerët, po ai muhabet. Po ato qindra rrënjë pjeshka dhe ullinj secili. Në këto anë kanë janë marrë historikisht me sharqi, fiq, kumbulla.

Para ca vitesh, një vizionar lokal, solli dhe mbolli diçka që s'ja merrte mendja askujt, pjeshkë ! Pjeshkët u bënë sa një kokë kalamani. Shif pjeshka pjeshkën dhe piqu. Nga Pajova në Rrogozhinë, krejt fushat e Darsisë mes Shkumbinit dhe kodrave janë plot me traditln më të re agrokulturore të Darsisë, me pjeshka.

Duke vajtur për në Gjyshaj këmbehem me një Benz. Jetonte në Itali. Vij këtu, tha, tu shërbej 200 rrënjëve ullinj. Duan punë. Nuk e tha për tu qarë, por e tha për të thënë, dhe mua s'më pëlqeu aspak. Në Ballagat një adoleshent është shtrirë gjatë e gjërë mbi ca shkallë. Tha se po pret të iki në Perëndim.

Pronari i një kafeneje, pa ja kërkuar, më fali një shishe ujë, kot, për qef. Rrugën s'e humba dot. As shpresën se do e humb herë tjetër.

Në Matjan ku krimineli Mehmet Shehu pushkatoi kot, për qef, 67 ballista, s'u ktheva. S'desha tua prish qefin pjeshkave.

S.B/ReportTv.al
Komento

Komente

  • mani: 06/08/2024 02:22

    te falendetojme edison per shkrimin ,,qe na tregon shqiperine,,dhe i lutemi fshstareve atje te mbjellin jo 800 rrenje pjeshke,,por 8000-1000 rrenje .....kemi nje vend te mrekullueshem per produkte bujqesore....

    Përgjigju
    • Katnari: 09/10/2024 14:53

      Kte te Darsise e paske qare

  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?