Ideja e Bujar Hudhrit për tu mundësuar pak fatlumëve të recitojnë Poezi të Hyut Kadare në prezencë të Tij diku në një kafene, është e mrekullueshme.
Por e realizuar keq.
Akti më sublim që njeriu bën në jetë, nuk është kur bën qef, as kur ha, kur lëpin, apo kur 10. Është Recitimi i vargjeve drithëruese që i do me gjith' Shpirt, çdo fjalë, çdo rrokje, çdo gërmë, çdo tingull, çdo ngjyrë, çdo aromë.
E padenjë, e papranueshme, e pamoralshme, sesi një poet i shquar dhe një aktor i njohur, në oqeanin plot dallgë të krijimtarisë së Hyut, mes qindra poezive, zgjodhën të recitojnë të njëjtat vargje. Duket sikur tallen, sikur bëjnë gallatë, sikur bëjnë garë me shoshoqin.
Poezia nuk është top futbolli që e hedh njëri e pret tjetri. As dashnore që ndërrohet, e ka ky e merr ai. Dhe as imambajalldi e prishur që e ha Hyseni, e vjell Hasani. Për më tepër, është dhe e turpshme dhe absolutisht e palejueshme që, në prezencë të Hyut, duke e pasur të shkruar në letër, që të dy, të njëjtën Poezi, e lexojnë me sytë përdhe.
Nëse Poezinë e reciton duke e lexuar, e ofendon, e ndot, e përdhos, e përgjak, e vret, e pushkaton.
Tabloja tronditëse seç ka diçka nga irja e pridhit me gishta.
Ose lehja e qënit që s'të kafshon.
Po deshe dhe nga bërja qef me allatin e tjetrit.
Është e rëndë dhe me pasoja kur Poezinë e profanojnë të rriturit dhe e neveritin të rinjtë. E hanë turpin me bukë të famshmit, dhe deprimohen anonimët. E gëlltisin helmin ata me përvojë, dhe sëmuren fillestarët.
Jo o qyqarë jo. Poezia nuk lexohet. Aq më keq duke mos e parë tjetrin në sy, dhe më keq akoma duke bërë sikur s'ka ndodhur asgjë, çka është tmerr e shkuar tmerrit
Recitimi që lexohet, si recitim jo i ndjerë, jo tronditës, jo drithërues, nuk është recitim i qënësishëm, është shpërfillje, është tallje.
Recitimi që lexohet është recitim i ulët, recitim i sipërfaqshëm, recitim i pa ndjerë, recitim për pordhë.
Poezia që lexohet në letër nuk është dhe nuk mund të jetë as recitim as lexim me gjith shpirt. Leximi, dhe jo shqiptimi përmendësh i Poezisë, dëshmon se Poezinë nuk e ke respektuar, me Poezinë nuk je bërë njësh, nuk je unifikuar, Poezinë nuk e ke interiorizuar.
Poezia e vërtetë, prej dashurorit të Saj të sinqertë apo adhuruesit të Saj pa kushte, kurrë nuk lexohet, vetëm këndohet përmendësh, vetëm i dehur, vetëm i çmendur.
Nuk e kuptoj si ra në këtë kurth Sadik Bejkua.
Se për tjetrin, aktorin, s'di ç'të them. S'e njoh. S'e kam idenë kush ësht. S'kam parë kurrë një film shqiptar - më bënin për të vjellë. S'kam qënë kurrë në teatër - më vinte turp të shkoja nga tmerret që do dëgjoja. Mezi prita. Kur më së fundi e shembën, u lumturova.