Foto nga Lugina e Lumit të Vlorës

Opinion

Edison Ypi: Smokthinë e përpjetë

6 Tetor, 10:36| Përditesimi: 6 Tetor, 10:41

  • Share

Muzeu i madh është Shqipëria.

Një Muze më i vogël se Shqipëria, është nga Peshkëpia në Kuç, pra Lumi i Vlorës.

Lugina frymëndalëse me emra fshatrash që të kujtojnë mbiemra oficerash të Diktaturës, rrethohet male të lartë dhe të vrënjtur nga lindja dhe perëndimi.

Mbi faqe të maleve, sa të ha syri, fanepsen si në ëndërr: katunde, shtigje, pyje, stane, përrenj, maja që prekin qiellin.

Pamjet e fundbotëshme të luginës rrinë varur mbi male si mbi muret e një Galerie Arti në natyrë me përmasa kolosale.

Gravurave mahnitëse mbi faqe malesh u mungojnë vetëm kornizat kilometrike. Që mund të bëhen. I vetmi problem është se janë aq të mëdha, sa po t'i përgatisësh prej druri duhet të sharrosh krejt pyjet e Shqipërisë, dhe po t'i bësh metalike, duhet me ngrejt nga varri metalurgjikun e Elbasanit.

Më jep një Lepenicë 8 me 5 kilometra në oil, të jap një Gjorm 9 x 4 kilometra në pastel, ose të jap Këndrevicë, Brataj, Tërbaç në akrilik, më jep një Çikë në akuarel, janë biznese që bëhen rëndom mes Perëndive të këtyre anëve.

Ta shohësh nga lart me dron ose aeroplan, Labëria ngjan si një pëllëmbë kolosale e majtë e përmbysur, me pesë gishtat drejt lindjes.
Peshkëpia, Poçëm e Vjosë, është gishti i vogël i asaj pëllëmbe.

Nga Kota në Vajzë, e deri në Sevaster që tingëllon sikur e ka pagëzuar Hitleri, ndodhet gishti tjetër.

Pak kilometra më tutje drejt Smokthinës, është gishti i mesit. 
Kuç, Progonat, Tepelenë, gishti tregues.
Kuç deri Qeparo e det, gishti i trashë.

Po ikim drejt gishtit të mesit të Labërisë, në Smokthinë.

Rruga nuk është e asfaltuar. Por ka taban të fortë shkëmbor. Aty-këtu ka gjurmë të një shtrimi me rërë bituminoze të shumë viteve më parë kur Partinë e Punës e gënjyen i thanë se rërën bituminoze të Mallakastrës mund ta përdorte për asfalt.

Smokthina nuk është fshat. Smokthina është një krahinë e vogël me disa fshatra: Velçë, Ramicë, Verbas, Matogjin, Bashaj, Vermik.
Smokthina, si e tërë Shqipëria ku asgjë nuk ndodhet "larg", nuk ka shumë kilometra, nja 10 a 15, por ka qindra mikrotoponime dhe mijëra kthesa.
Smokthina ka më tepër lapidarë se gurë.

Luftimet bëhen, dhe dëshmorët bien, në vënde sa më të ulëta, sa më të fshehta, ku funksionon pabesia.
Lapidarët e Smokthinës ndodhen në vende sa më të dukëshme, sa më të larta.
Benza dhe Opela që i ngasin lebër e labëresha, duken e zhduken nëpër kthesa.

Pas një qafe shkëmbore që është njëkohësisht edhe kthesë, ndodh çudia: Para syve të dalin pamje ëndërrash: Male me maja të mbuluara nga retë dhe mjegullat, katunde të strukur nëpër luginëza përrenjsh në faqe të maleve, stane të largët që mezi dallohen, rrugë dhe shtigje të çuditëshme që s'merret vesh ku fillojnë e ku mbarojnë. Smokthina i mban fshehur dhe i tregon befas këto pamje magjike që urgjent duhen fotografuar, filmuar, shkruar, muzikuar.

Duhet të kalojë një copë herë të mbledhësh veten dhe të kuptosh se nuk është magji por mirazh, iluzion optik.
Çka po ta magjeps syrin dhe hallakat mendjen, në fakt janë të njëjtat male të anës perëndimor të Lumit të Vlorës prej të cilëve sapo u ndave: Shushica, Gjormi, Çika e me rradhë, por parë nga kënd tjetër, nga perspektivë tjetër, që i bën malet të duken ndryshe çdo herë që ndërron vendin e kqyrjes, në një marramendje kaleidoskopike sa kaotike dhe të këndëshme.

Fshati i parë, Velça, fshat i rregullt me pak shtëpi të mbajtura, jo të lëna pas dore.
Por në Velçë s'të zë syri frymë njeriu. Nuk kuptohet nëse velçanët ose velçakët janë nëpër ara, me bagëti, në kafene, në Vlorë, apo në kurbet.
Ja Ramica, kryeqyteti i Smokthinës mbi një kodër mes maleve.

Pak shtëpi. Edhe ato të braktisura.

Mbi fshat shkolla e mesme e dikurshme dhe një lapidar kolosal i palexueshëm me tekst që i mungojnë fjalët sikur i kanë rënë dhëmbët: "...komiteti... qarkori...shtabi...brigada...kongresi...sulmuese...mbledhja...delegatët".

Në një qoshe të sheshit të Ramicës, kafene modeste, e pastër, e rregullt.

Në kafene tre lebër smokthinjotë me raki e meze përpara.

Njëri nga lebërit e kafenesë ka një çehre, trup, vështrim, gjymtyrë, antropometri, gjestikulacion, dhe flet, pyet, përgjigjet tamam si lebërit e librave dhe filmave.

Tjetri lab në kafene me syze me ngjyra dhe reflekse që i mban mbi kokë, thotë me mburrje dhe krenari se është ballist.

I treti lab, ëhtë një enciklopedi e gjallë që tregon me zell të papërmbajtur si quhen malet, katundet, përrenjtë, ku ndodhet Maja e Këndrevicës, ku u mblodh këshilli antifashist, cilat vendime historike mori, nga u nisën delegatët për në Kongresin e Përmetit, ku e pushkatuan Ramize Gjebrenë, në cilën shpellë ja hodhën kufomën, çfarë tha Shoku Kadri në filan festë, si ja ngritën këngën shokut Hysni: "O ju male që po qani për Shokun Hysni që vdiq nga kanceri"", për Ramize Gjebrenë që dashuroi X-in në Smokthinë kur ndërkohë qe e fejuar me Y-in në Tiranë, dallandyshen e parë të dashurive të sotme jo vetëm me X-in dhe Y-in por me të gjitha gërmat e Alfabetit, që e pushkatuan dhe e hodhën në një shpellë, pa vjershë, pa këngë, pa lot, pa gjë prej gjëje.

Në fund të ligjëratës, eruditi i kafenesë nuk këshillon me shku më tutje. Thotë: Smokthin, e përpjetë, ke shumë për të parë. Por ka nisur shiu. Kthehu. Mund të ketë shembje dheu. Mbetesh mes maleve. Ku të çan ujku. Të çpon gjarpëri. Të kafshon ariu. Të lëpin breshka. Të çukit sorra. Smokthinë e përpjetë lere për tjetër herë.
Pritshmëria e ankthëshme se në kthim do bëj foto dhe video që do çmendin parazitat e Fejsbukut, nuk plotsohet.
Sa duket, perspektiva e njëjtë nuk është e mjaftueshme për qëndrueshmëri të pamjes. Malet kanë ndryshuar pamje dhe rrezatim. Aq sa nuk njihen. Duken si të tjerë.

Tmerrësisht të bukur dhe të thellë. Më se normale në Smokthinë, ku asgjë nuk është mediokre.

-Jam çoban, thotë një smokthinjot mesoburrë anës rrugës me kasketë, xhaketë të zezë, këmishë të bardhë.
-Ku e ke gunën, kërrabën, fyellin.
Ma pret smokthinaku me një romuz që s'do e harroj kurrë, të denjë për te "The Oxford Dictionary of Quotations":
-Jo çdo çoban i bie fyellit.

Ca fëmijë të drojtur po kthehen nga shkolla duke u ngutur mos i zërë shiu.
Më tutje, tjetër çoban me krrabë pa gunë dhe pa fyell e ka mbyllur bagëtinë, dele, deshë, dhi, cjepë, në një shpellë më të madhe se shpella ku hodhën Ramizenë e shkretë, thotë se shpellën e ka të tijën, e ka privatizuar. Dhe nis e rrëfen si e qysh e privatizoi.

Ka qënë e jona shpella denbabaden, thotë. Në 90-ën më tha xhaxhai: Shpella është e jona, shko vuri drynin shpellës dhe shkruaj mbi derë "Shpellë e Xanun".
Me fare pak banorë të mbetur që duken si roja të Muzeut në natyrë, krejt Smokthina, krejt Labëria, madje e krejt Shqipëria, është një "Shpellë e Xanun".

Kur e pyeta një lab Smokthinjot si quhej, nuk tha si thonë në Mallakastër, Kolonjë, Skrapar, Shkodër, Mirditë e gjetkë, më quajnë, filan fisteku.
Smokthinjoti ndejti pak çaste i heshtur. Mori frymë thellë sikur futi në gjoks krejt oksigjenin e luginës së Lumit të Vlorës.
Por emrin nuk e tha.

Me solemnitetin e viktimës së Sindromës së Stendalit, njeriut të sëmurë me Art, me një shpërthim të tillë  sa nga Kuçi në Dashovicë u trembën malet dhe u shpupurisën retë, nuk e shqiptoi, por e sokëlliu, emrin e vet si emër konti, emrin e babait si emër Mbreti, dhe të vendlindjes, Smokthinës, kryeqëndrës së Labërisë, si kryeqytetit të Botës.
Në Poçëm ç'më panë sytë.

Te një lokal i madh me hotel, restorant, kafene, karburant, lavazh, banjo, me të tëra, sapo lashë makinën në lavazh, erdhën dy autobuzë me turista gjermanë. Zbritën nga autobuzët të gjithë pasagjerët, nja pesëdhjetë. Asnjëri nuk vajti në kafene, apo restorant, apo minimarket. Të gjithë u vunë në rresht para banjës për të bërë shurrën.
Pas shurrës, të gjithë drejt e te autobuzi.

Kështu mbaroi ky udhëtim përmes Labërisë me gishtin e mesit ngritur, që filloi me galeri Arti në natyrë, vazhdoi me lebër të urtë që punojnë arat, kullosin bagëtinë, mbarsin gratë, të tjerë lebër që pushkatojnë bashkëluftëtaren pse bëri dashuri, shpellë e xanun e madhe për bagëti dhe shpellë e vogël për kufomën e Ramizesë, lab krenar që sokëllin emrin, dhe mbaroi me turista gjermanë që janë nisur për në një galeri tjetër Arti, për në Luginë e Vjosës, ku ka edhe më tepër male, pyje, shkëmbinj, rrena komuniste, dhe zbresin në Poçëm nga autobuzi e vihen në rradhë vetëm për të bërë shurrën.

Xh.D/r.k./ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    PD pritet të mbështesë kandidatë të pavarur në 6 Bashki, si e vlerësoni?