Turma veriorësh dhe jugorësh drejt qyteteve për jetë më të mirë. Qeveria zihet ngushtë. Kryetarit të Martaneshit i lind një ide. Ja thotë Kryetarit të Shqipërisë, Sali Kullës. Pas pak miratohet Ligji i Tasit.
Ligji i Tasit thotë: "Kush prek pronën e tjetrit, hidhet te Mali me Gropa".
Në zbatim të Ligjit të Tasit, të xanun ose jo, çdo mirditor, tropojan, skraparlli, pukjan, lezhjan, mallakastriot, që guxon të vërë dorë mbi pronën e një tjetri, flaket në njërën nga miliona gropat si tasa te Mali me Gropa, alias Mali me Tasa.
Në tas, sa bukur asocion dhe sa fortë rezonon me fukarallëkun dhe lëpirjen tasi, filloi jeta.
Për t'ja frenuar pangopësinë irredentiste, tropojani u urdhërua të mbijetojë brenda një tasi sa më të vogël. Skraparlliut, si qënie me zero instinkt ekspansiv, i thanë të mbijetojë brenda një tasi sa më të madh. E kështu me rradhë për gjithë banorët hallexhinj nga nahiet e tjera të Shqipërisë sipas principit bazë: secili tasin e vet.
Brenda tasave, asnjë komoditet. Për zjarr, fërko dy drunj. Për të ngrënë, supë me gjethe hithre ose rrënjë shqope. Për të kullotur, shkurre plot. Ujë për të pirë, nga bora e dimrit të kaluar.
Koha e qëndrimit për riedukim brenda tasave deri në zënien ment dhe mospërsëritjen e gjestit të turpshëm të zaptimit të pronës së tjetrit, 1 vit.
Strategjia "1 tas një keqbërës" për dekurajimin e turmave të shpellarëve shkatërrimtarë drejt qytetit të qetë dhe qytetarëve naivë dhe paksa frikacakë, korri sukses. Rregulli dhe disiplina që fukarejve ua mësoi tasi i pafajshëm, triumfuan.
Pas pak, bashkë me shterrjen e numurit të ardhacakëve me qëllimin pervers xhvatjen e pronave të tjerëve, veprim banditesk ky i dënueshëm si nga Kurani dhe Bibla, bashkë me shterrjen e sherreve, u fshinë mbishkrimet "Tas i xanun", "Tas i bardhë për ditë të zezë", "Tas për tas, aspak s'më plas".
Të tmerruar dhe dekurajuar nga "Efekti Tas", të kthyerit nuk erdhën më në tas.
Tasat u boshatisën.
Hordhitë e shpellarëve u ndalën.
Fill pas boshatisjes së tasave si të atyre të xanun, ashtu dhe atyre të paxanun, në të gjithë vendin u vendos diktatura e Ligjit.
Me tu kthyer në fshat ku pula dhe gjeli nuk hanë mut por gurë, tasmanave nuk i vajti as mendja ta përsërisi turpin e zaptimit të pronës së tjetrit.
Përvoja pozitive e tasit të lavdishëm, u mësoi shpellarëve të shumtë nëpër fshatra, se për një sistemim të qëndrueshëm, është më mirë çvendosja me rregull, me disiplinë, me ligj, sesa me yxhym.
Ngathtësisë së jetës në tas ja zuri vendin përveshja e llërëve, puna, ndryshimet e shpejta. Durrësi filloi të bëhej Milano. Shkodra Vjenë, Tirana Londër, Shqipëria Zvicër...
Aty më doli gjumi.
Mezi erdha në vete. Ëndërra qe e bukur. Por realiteti tmerr. Sali Kulla, ky i pangopur me pare të vjedhme dhe lavdi të rrejshme, s'kishte haber për çvendosje demografike me rregull, disiplinë, Ligj. Sala nuk ushqente ëndërra. Saliu zbatonte klishè me regjionalizëm, klientelizëm, mercenarizëm.
Trishtim gjithandej. Po shyqyr thuaj që kur nuk të realizohet një ëndërr, Zoti, gjatë natës të zbraz brenda kafkës një ëndërr tjetër:
Kryetari dymetrosh i Martaneshit të Europës, Shqipërisë pra, i ndezi në mendje një ide gjeniale. I tha Kryetares së Italisë Giorgia Meloni: Mblidh mendjen. Halli me dyndjen e emigrantëve drejt Europës, nuk është vetëm i Italisë, është i Europës. Zgjidhja rajonale do ishte zgjatje e agonisë. Kam plan për zgjidhje globale. Gjithë bota ëndërron të jetojë në Europë. Ne Shqipëria, apo Martaneshi i Europës, si tha një herë aq bukur Mbreti juaj shkurtabiq dhe shëndetlig, s'jemi gjë tjetër veçse një Mal me gropa. Ta bëjmë këtë mal me gropa, ose me tasa, quaje si të duash, të shërbejë si vend tranziti. Ku pas zbarkimit në Lampedusa apo dikund tjetër, emgrantët të sillen dhe të qëndrojnë te ne për sa kohë, në bazë të provave, të vendoset për fatin e secilit emigrant. Jemi kampionë të Mikpritjes në shekuj. E kemi në Epos, nëpër legjenda. Te ne Mikpritjes i këndojnë rapsodë të verbër. Me lahuta, çiftelira. Cilësime këto që gjatë diktaturës i kemi përdorur për pseudonime të spiunave. Është strategji e mirë për dekurajimin e miliona fukarejve. Pasi të kthehen nga erdhën, të ndihmuar edhe nga ne, domethënë nga ju, se ne, veç mikpritjes, noc rrokun kemi, do përveshin llërët dhe do e bëjnë botën si Shqipëria, Greqia, Italia, etj. Më beso.
Giorgia u mahnit, besoi, pranoi. Nisi zbatimin.
Me frenimin e turmave nëpër varka dhe shtimin e ndihmave në vendet përkatëse. Në pak kohë vendet fukarej prejnga vijnë milionat e emigrantëve nga Afrika, Azia, India, nisën të bëhen si Italia, Greqia, Shqipëria...
Aty edhe kjo ëndërr u ndal, u vra, u ther.
Popujt duan ti realizojnë ëndërrat. Të vetmit që s'duan janë legenat me laptop në sup.
I zoti e jep, tellalli s'e shet.
Se nga dolën këta minj e këta zagarë që vrasin çdo ide dhe pushkatojnë çdo plan, Zoti e di.
O ça na ka gjet me shejtanbudallenjtë me laptop që u duket vetja se çoç janë, paguhen për tu hargalisur restorant më restorant, ndërkohë që unë i mjeri zvarritem nga katundi në katund duke ngrënë buk e djath në makinë, dhe smarr asnjë lek.
O Zot o Perëndi nga dolën këta rrugaçë që mbahen për liberalë, kontestatorë, mbrojtës të fukarejve. Janë pak. Janë pakica e pakicës. Por janë pisat e pisave, janë zemërgura dhe shpirtkazma me ta heq mallin e komiteteve, mbledhjeve, Kontrollit puntor e fshatar të Diktaturës.
Por ndoshta s'është aq keq sa duket.
Që legenat me laptop në sup të hargalisen nëpër restoranta, dhe shqiptarët kurrë të mos hanë, por vetëm të lëpijnë, sa duket, zgjidhja më e mirë, zbatuar me kritere të kundërta, mbetet ajo e Kryetarit të Martaneshit të kohës së Sali Kullës, izolimi te Mali me Tasa, te ferrat, shkurret, te Tasi i Xanun.