I tmerruar nga halabakëria e kudondodhur dhe çmenduria që po të troket te dera, po pyet i habitur: A kanë mbetur këtu gjallesa normale ?
Po. Janë malet. Ik nëpër male. Te të vetmit xhantëlmenë që na kanë mbetur. Zvarrë si gjarpër apo në fluturim si zog, veç ik.
S'eo ment që nuk është kollaj. Po të mos dish ti përballësh vështirësitë, nuk do jetë udhëtim, do jetë udhëqim.
Malet nuk janë në Sauk, as në Laprakë. Malet janë larg. Mund të çahet a çpohet një gomë ku celulari s'ka valë, as kalimtarë, as makina. Vetëm breshka dhe gjarpërinj shkelur nga rrotat e makinave.
Të duhet një bashkudhëtar, një shoqërues, një pasagjer. Po, por ku ta gjesh ?!
I telefonon njërit, thotë jam i sëmurë.
Tjetrin nuk e lë gruaja të dali nga shtëpia.
Një i tretë s'shkulet nga kafaneja.
I katërti është një depriment, një negativist, një acid, një ters, që jetën ta nxin.
I pesti është një i pandjeshëm të cilit të gjitha udhëtimet i duken gurë dhe drurë.
I gjashti një llafazan i padurueshëm.
I shtati një i kompleksuar që nuk e përballon dot muhabetin me kalimtarët anës udhës.
I teti një trutrashë në kërkim të audiencës sa më inferiore për t'i habitur injorantët me rrena.
Të tjerët janë thjesht varianta të këtyre.
Harroje bashkudhëtarin !
Ik vetëm !
Shqipëria është e vogël. Francezi, anglezi, gjermani, nisen e mbërrijnë me çantë në kurriz në Tajlandë e në Kinë duke kaluar nga Skrapari, ti ke frikë të shkosh vetëm se tu çpoka goma në Tërpan ose në Buz.
Nisu. Leri nazet. Tani që ka nisur asfaltimi i rrugës Berat - Këlcyrë, ik hidhi një sy asaj bukurie mahnitëse me male, lugina, përrenj, katunde, varre, pyje, korie, dhe gjithça tjetër që Zoti i ka falur atyre nahijeve.
Nga ora 8 të jesh në Berat.
Mos u fut në qytet. Mos pyet mbi cilën nga urat ta hedhësh Osumin. Nuk do kuptojnë ç'u thua. S'e kanë mendjen te asgjë tjetër përpos turizmit, turistave, hallet me akomodimin e tyre nëpër dhoma, kuzhina, korridore, ballkone, zgëqe. Po pyete, përgjigja do jetë një sallatë verbale me hallet e tyre dhe pyetjet e tua, një babylon me emra, data, vende, materiale ndërtimi, çmime ushqimesh, tarifa fjetjeje.
Kaloje Osumin te Ura e Velabishtit. Kthehu majtas anës lumit nën këmbët e Goricës. Ik drejt deri në fund të rrugës ku janë ca shtëpi armenësh ose hebrejsh, askush nuk e di tamam, as vetë banorët.
Prej aty therja përpjetë.
Ke hyrë te Rruga e Këlcyrës ose Rruga e Duçes që i thonë vendalinjtë.
Berati si një babagjysh mijravjeçar shtrirë rrëzë Osumit Koka në Kala, zgjat dorën vjedh fruta pas kurrizit të Goricës te plantacionet e famshme të qershive, fiqve, rrushve.
Më tutje, Tomorri nga e majta, Mali i Pilafit nga e djathta.
Rruga po zgjerohet dhe po ndreqet.
Makineri dhe puntorë gjithandej.
Aty-këtu duken gjurmë të kalldrëmit të Duçes.
Tek kalon gjithato kthesa dhe vështirësira, të duket, një herë si udhëtim, pastaj si udhëqim, një herë sikur po udhëton, tjetrën herë sikur po udhëqin
Ama ndreqja e rrugës po bëhet rrënjësore. Me mure mbajtës, kanale kullues, ura pothuaj në çdo kthesë, me gjithçka. Por atmosfera ndërtimore s'të lë të mërzitesh.
Drobonik, Zhitom kalojnë shpejt, shtëpi, vila të reja, kopështije, me të ik menia.
Tyrbja e famshme anës udhës, Mekami i Zhitomit kushtuar shtatë heronjve të Qerbelasë që Jeziti i theri me shpatë, ka mbajtur frymën. Kujton lavdinë e shkuar, shkëlqimin e dikurshëm. Mezi pret të bëhet pjesë e Shtetit Bektashi që do shpallet së shpejti dhe do shkëlqejë si xhevahir i rrallë këtu ku do bëhet vend pelegrinazhi nga gjithë bota.
Te Qafa e Kumbullave shndrruar në gurore dhe lapidari i lënë pas dore, janë shtruar nja dy a tri kilometra asfalt.
Një çun me motoçikletë që vjen përballë habitet kur të sheh vetëm. Thotë se është puntor në ndërtimin e rrugës dhe ndjehet i lumtur kur shikon që ja lëvdon vendin dhe fshatin.
Deri në Tërpan rruga është zgjeruar në shkëmb. Gjithajo punë. Më tepër udhëqim se udhëtim.
Tërpani cop e çikë. Duket si i ngritur nga varri pas ndonjë bombardimi.
Ish lokalet, ish banesat, ish dyqanet e Tërpanit të gjitha të mbyllura.
Vetëm një derë e hapur.
Ulur para derës, një mesogrua me të zeza dhe celular në vesh - ku je Pikaso eja bëje kryeveprën e paçmuar me titull "Kafexhesha".
Përshëndetu me kafexheshën. Bëj pak muhabet. Kërkoji një birrë. Lëri një bakshish. Nuk do pranojë kurrsesi.
Gjatë pak minutave muhabet, pyete çfarë ka qënë kjo ndërtesa përbri, kjo gërdalla që duket sikur është bombarduar nga brenda ?
Kafexhesha, me një zë gjysëm vajtimtar gjysëm noatalgjik do të thotë se ka qënë vendi ku në kohën e Kooperativës fshati gatuante, hante, pinte, zbavitej, luante Yç me Tre, domino, fejohej, martohej, pillte, rriste çiliminjtë.
Po afrohet mesdita. Në Berat e Tiranë bën zheg. Këtu fresk.
Përtej Tërpanit, disa kilometra rrjesht, përgjatë serpentinës ku topave dhe diagaçave të Duçes ju zhytën rrotat nëpër baltra dhe u desh të vinte vetë Duçja nga Roma t'i shtynte, ndreqja e rrugës nuk ka nisur. Se kur do e nisi, Allahu Babafetahu e di. Tanipërtani kalimi mbi të nuk është as udhëtim as udhëqim.
Diku afër kthesës së Çorrogjafës, do të ngrijë gjaku, do të bjeri qielli mbi kokë: Katër eskavatora po zgjerojnë rrugën. Kanë rrëzuar dhe' e gurë që lartë, dhe kanë bllokuar qarkullimin. Një roje mesaburrë me mustaqe do të lutet: "Merrmë në fotografi më bëj të famshëm në Fejsbuk". Do marri pamjen e duhur të fytyrës dhe do zerë pozicionin e duhur për një foto sa më të bukur, sipas tij.
Bëja foton, thuaji se do e bësh shumë të famshëm në Facebook dhe Instagram, dhe pyete nëse, tashmë,që rruga është e bllokur, duhet të kthehesh mbrapsht si gjarpër, Zhitom, Tyrbe, Drobonik, Berat, apo duhet të presësh sa rruga të hapet ?
Prit se do hapet shpejt, do thotë qefliu i Fejsbujut nga Zhapokika e Beratit.
Birra e kafexheshës vazhdon të jetë e ftohtë. Bëj këtë manovër: Hidhe gjysmën e birrës në një gotë plastike që e ke në makinë. Gjysmën lere në kanaçe. Zgjatja kanoçen me kujdes duke mos e ofenduar fejsbukistin. Thuaji t'ja çojë gotën me birrë manovratorit të eskavatorit. Manovratori do të falenderojë me dorë nga brenda kabinës. Për pak minuta hapet rruga.
Nga qafa lart, afër njërës nga "Tre Avgatë" ose "Tre Vezët", asaj me një antenë në majë, e deri ku kjo rrugë takohet me rrugën tjetër, më pak të rrahur, atë që vjen nga Sinja mbi maja malesh, rruga është e mbaruar, pret asfaltin.
Diku në mesin e këtij segmenti pranë fshatit Rehovë, ndal për të marrë ndonjë ujë a birrë te një lokal i vogël i improvizuar nga ndërtuesit e rrugës. S'kish qënë e thënë. Dera e kyçur. Kafexhiu sapo ishte larguar. Gurrmazi do mbesi thatë.
Por Zoti mëshirëplotë nuk i sjell të gjitha të këqiat njëherësh.
Nga një Volkswagen pickup truck do të thërresi njëri me emër e mbiemër. Është inxhinieri i rrugës. Kënaqu me muhabet me inxhinierin. Pyete për rrugën.
Diku te kryqëzimi me rrugën e Sinjës, hotel gjigant.
Para hotelit ka ndalur një cisternë me nja 10 ton naftë. Shkelje flagrante e rregullave të sigurimit teknik. Shoferi i cisternës plot me naftë po pi kafe në verandën e hotelit. Po të ishte shtruar të hante do i thoja, madje do i bërtisja, ta largonte cisternën. Meqënse pas kafes do ikte, s'ja zura kafen në fyt.
Pronari i hotelit do të dali përpara krahëhapur. Të njeh me libër shtëpie. S'so ketë të ndalur me lëvdata për ty domethënë mua, dhe njerëzit e tu, pra njerëzit e mi.
Edhe Buzi si i bombarduar nga brenda. Prej krejt lokaleve të pak veteve më parë, vetëm njëri shërben. Edhe ai me kamarier që s'dihet ku ka vajtur. Në një tavolinë kanë mbërritur para teje dhe janë ulur e po presin banakierin e ikur në drejtim të paditur, inxhinieri dhe një ndihmës i tij.
Përpara ke Qafën e Kiçokut, Sukën, Ballabanin, dhe në fund të lavdishmen Këlcyrën.
Një mik nga Berati të tha se Buz - Këlcyrë është e asfaltuar.
Drejt Këlcyrës po bëhen punime shumta në rrugë, nëpër kthesa, ura të vogla, dhe të tjera.
Asfalt asnjë metër.
Pse të gënjeu miku, për ç'qëllim ogurzi, për llogari të cilit mafioz ?! Mos u lodh ta gjesh. Është nga misteret më të thella të rrenacakërisë oqeanike shqiptareske.
Pak para Këlcyrës, ndale makinën te ndonjë hije anës rrugës. Mos zbrit. Ha diçka që more me vete. Shtyje drejt stomakut me ujin që të dha pronari i hotelit që të njihte me dhëmbë e dhëmballë, ai indiferenti para bombës atomike, cisternës së kuqe që nga çasti në çast do hidhte në erë hotelin.
Këlcyra xhan-xhin.
Ik deri te "Tyrbja e Hasan Dede-së", Tyrbja e Këlcyrës ka emër, ajo e Zhitomit s'ka emër. "Për Hasan Dedè" betohej dajua im. Është betimi më i fortë e më i sigurtë i këtyre anëve, fjala e fundit, pas së cilës rradhën e ka heshtja.
Po vete ora 1 e pasdites.
Berat - Këlcyrë 5 orë.
Që kjo rrugë të nbarojë me asfalt tejetej, zor se duhen më pak se nja dy vjet, Për Hasan Dedè.
Duhet larë makina. Është bërë helaq nga mijra pellgje, kthesa, tymra, pluhura.
Makinën po ta lan një përmetar i shkathët me 10 duar, 20 këmbë, pesë palë sy,.
Se nga vjen si hizër një moshatari i tij, një monstër 20 vjeçare, një kuintesencë e të riut tranzicional, një llapaqen që nis e të dërdëllit për: Sala, Edi, Meta, Fevziu, Zheji etj. etj. Mos ju përgjigj se të fëlliq. Mos ja zgjat se të ndot. Ik sa më shpejt nga këlliri tranzicional.
Poçëm e përpjetë, Cakran, Frakull, Levan, është llokëm e shijshme, por lere për herë tjetër.
Këtë herë kthehu te një shpatull Mallakastre që s'ka të paguar. Kthehu nga rruga e vjetër, Fratar-Ballsh-Patos dhe do më kujtosh. Ka qënë gjithmonë po kaq, edhe më mahnitëse se sot. Por e bënim me autobuz dhe s'kishim ngè të shihnim bukuritë majtas e djathtas nga frika se na villte tjetri në prehër nga nausea.
Pa zbritur nga kodrat, pra nga lart e nga larg, Fieri i kullave duket si Hong Kongu i grataçielave.
Patos-Fier si Tiranë-Laprakë plot me biznese.
Merr një ujë e ca djathë e pak bukë te një minimarket se le nam, ke që në 6 të mëngjezit mbi timon.
Kur ke hyrë në autostradën Fier-lushnje do bindesh plotësisht për gabimin fatal që do kishe bërë po të kishe marrë me vete të sëmurin imagjinar, frikacakun nga gruaja, të dashuruarin me kafenenë, deprimentin e neveritshëm, kapadaiun që ska lexuar asnjë libër në jetën e vet, të paaftin për të këmbyer dy llafe me kalimtarin, hajvanin rrenacak që mbahet për superior.
Rrugës për Tiranë do të vijnë nga para e nga prapa turlilloj udhëtarësh dhe udhëqirësh: Autoambulanca që të shurdhojnë me sirena, kortezhe mortorë, krushq mbi makina të shtrenjta ardhur nga kurbeti gjetur nuse në vend të vet, autobuza me turista, motoçikleta të mëdhaja shqiptare dhe të huaja që janë nisur t'i bien botës rrotull, udhëtarë vetmitarë ose dy ose tre në rresht nisur më këmbë për në fund të botës, dhe plot e plot si këto të tjera. Mos u çudit nga. Kështu është bota, jeta. Plot me udhëtime dhe udhëqime. Nëse edhe pas mbi 12 orë mbi timon dhe gjithato përvoja nuk kupton se ça po them, keq puna. S'të ndihmoj dot. Je i pashpresë. S'je as udhëtar as udhëqir, je bqir.
Komente
