Bujtina në Peshtan

Edison Ypi: Zonja e Bujtinës

20 Tetor 2023, 11:43| Përditesimi: 20 Tetor 2023, 11:49

  • Share

Je qefli i ajrit të pastër. I raftë pika kujt nuk është, thuaj.

Je dhe i marrosur pas vendeve panoramike që t'i ka bajatosur televizori duke i shoqëruar me rrena trashanike nga reporterë të papërgjegjshëm pa fantazi dhe me fjalor të varfër.

Mezi pret ndonjë rast për t'i parë dhe ndjerë ato panorama atje ku ndodhen, në vende sa më të largëta. Dhe atje ku duhet, duke i nuhatur, prekur, shikuar, dëgjuar, shijuar, kafshuar, në mish.

Veç këtyre je edhe merakli i madh i vendeve historike. Ku janë bërë luftra. Janë vrarë e varrosur mijëra në beteja të përgjakta që kanë skuqur truallin dhe lumin me kilometra. U janë gjetur armët. U janë gjetur dhe kufomat. Por nuk ka qënë e mundur të identifikohen. Kanë mbetur Ushtarë të Panjohur. Për shembull, të luftës Italo-Greke. Për të ditur më tepër se rrenat komuniste dhe fashiste të kësaj lufte ke pyetur njërin e tjetrin. Edhe historianë. Por më tepër të kanë ngatërruar. Një Historian goxha i njohur që të është dukur i ditur, të la pa ment kur pasi të tha ca broçkulla që nuk të bindën, të tha; Kaq di. Edhe këto me të dëgjuar i kam. S'kam qënë ndonjëherë andej nga Vjosa. Është larg. S'ja kam ngenë.

Këto dhe të tjera kërkesa e dëshira duket sikur nuk i plotëson dot në një vend të vetëm.

Gabohesh. Mos u dorzo. Ka menduar tjetërkush për ty për t'i gjetur e shijuar të gjitha pretendimet klimatike që ta përmirësojnë shëndetin dhe t'i kënaqin kuriozitetet historike me ta qetsu mendjen e hallakatur, në një vend të vetëm, dhe pa u lodhur.

Ik te Zonja e Bujtinës.

Ik në Peshtan.

Nuk është larg.

Po edhe prapa derës a matanë gardhit, nuk është.

Ke kaluar Tepelenën e Pashait me nargjilè.

Kalo mbi Urën e Leklit të kaurrëve të fshtit omonim pak më lart në faqe të malit.

Lër pas nja dy a tre restoranta anës udhës ku hahen male mishi të pjekur dhie apo keci si ta duash.

Hidh Urën e Dragotit që tundet si ato të dashit, por kurrë nuk bie.

Ke hyrë në luginën e magjishme të Vjosës.

Ec edhe ca.

Pak kilometra më tutje, më të djathtë, e quajtura Ura e Meros për nderin dhe lavdinë e gazetarit të famshëm që nuk guxon trim me pallë e pa pallë ta kundërshtojë.

Ndalu. Hidh sytë rrotull për ta fiksuar në kujtesë vendin ku do nisësh udhëtimin drejt qiellit jo më tepër se nja 3 milometra larg e lart nga Ura pa harqe triumfi. Nuk thonë kot se shqiptari e kap qiellin me dorë.

Merr frymë thellë.

Nisu në aventurën më të magjishme të Jetës.

Pas një serpentine malore me gjithato kthesa të pabesa si fjalime parlamentare dhe premtime të rrejshme zgjedhore, ka dalë e po të pret ndanë udhës Mira Peshtan, Zonja e Bujtinës.

Mos e vra mendjen e dinte apo nuk e dinte Zonja që zotrote do vije.

Mos e pyet për asgjë. Zonja i di pyetjet që do i bësh. Zonja të lumturon me rrebesh përgjigjesh.

Zonja ka mbi dhjetë vjet që e ka hapur Bujtinën e famshme.

S'lodhet kur flet Zonja e lindur, rritur, kalitur këtyre anëve, mes kësaj klime të egër dhe këtyre shkrepave të pamëshirshëm. Lodhesh ti ngordhalaqi i Tiranës me mushkri të nxira nga smogu.

Zonja e Bujtinës ësht tmerrësisht energjike.

Duket sikur ushqehet me Uranium dhe Plutonium mëngjez, drekë, darkë.

Gjysmën e ditës a më tepër Zonjën e ke krye të rreshtit duke shoqëruar nëpër male e gërxhe turistat e Bujtinës.

Zonja e Bujtinës, kjo Perpetum Mobile e Peshtanit, është çdo ditë, 24 orë në ditë, 12 muaj në vit, majave të maleve mes Përmetit dhe Tepelenës. Ku uji, jo me llafe por me analiza, është më i miri në botë. Toka përmban fosfor që i ndez trutë e banorve. Prandaj llafosen shumë. Shkruajnë libra. Bëjnë karrierë. Vinë në Tiranë. Bëhen shefa. Thurin dallavere. Pasurohen. E të tjera e të tjera, derisa vjen një ditë, dhe të gjitha i merr era.

Mes përgjigjeve pa pyetje të Zonjës së Bujtinës, mezi gjen një moment për të hedhur sytë rrotull.

Menu perandorake për sytë.

Ngushtica e Këlcyrës. Lugina e Vjosës. Gryka e Mezhgoranit. Goliku me një re' të bardhë në majë duket si bombë atomike. E me rradhë çuditë panoramike më të bukura të botës, të gjitha për Wallpaper në kompjuter.

Pasi i bie faqes me shpullë për tu bindur se s'je në ëndërr, nis e dyshon. A jam në vete ? Çfarë po më ndodh ? Jam un ai që isha kur erdha apo një tjetër ? Do kthehem, apo do i kaloj këtu vitet që më kanë mbetur ?

Tek i bën vetes pyetjet e frikshme, sheh në oborr diçka të çuditshme. Një si dollap druri me tre kate nja katër metra i gjërë, rreth dy metra i lartë, pothuaj një metër i thellë.

S'u beson syve. Të duket sikur po çmendesh. Nis i lutesh Shenjtorit të këlcyriotëve; O Hasan Dedè, kij mëshirë, më ruaj ment e kokës, thuam të lutem, çfarë janë ato hekurishta në atë dollap ?

Nis is e flet Shenjtori nga Tyrbja.

Ato "hekurishta", thotë Hasan Dedea, i ka mbledhur këtej rrotull Mira Peshtan, Zonja e Bujtinës. Janë vegla, armë, municione, bomba, granata, vezme, fishekë, helmeta, pushkë, kobure, tyta, lloza, gjipëra lugë, pironj, konserva, tasa alumini, tela me gjëmba, të gjitha të ndryshkura, të gjitha të shtremra, të gjitha të vjetra, të gjitha të bukura, e të tjera e të tjera. Ke atje deri edhe diçka që s'ta kishte marrë mendja se ekzistonte: samar metalik mushke lufte.

Tek i sheh ato hekurishta të merren mentë, provon të dridhura në shtyllën kurrizore. Ndjen brenda barkut një ridimensionim dhe një rivendosje korrektuese të organeve, zemrës, mushkrisë, stomakut, zorrëve, rrushit.

Më i sinqertë se librat e Historisë plot me rrena burokratësh. Më i vërtetë se çdo inventar i bërë me rigorozitet ushtarak. Më i përpiktë se çdo studim shkencor prej historiani lufte. Më i plotë se çdo koleksion armësh. Brenda atij dollapi ke dëshminë më autentike të Luftës Italo-Greke.

Markat e armëve lexohen mbi tyta.

A do të dish sa herë ka shtënë X armë, pra sa e rreptë ka qënë beteja ?

Merre tytën çoje në laboratorin përkatës. Nga përkulja e tytës për shkak të nxehtësisë dhe konsumimit të vjaskave nga fërkimi me plumbat, eksperti do të japi të dhëna të sakta për shumë çështje.

Cilën rracë mushkash përdori Duçja në atë luftë ? Gjindet kollaj. Nisur nga dimensionet, bëj hesap peshën e samarit metalik. Pyet cila nga mushkat ka mujt me mbajt samar me atë peshë, dhe u kry.

A të ha meraku çfarë hanin dhe sa hanin ushtarët italianë dhe ata grekë ? Është e thjeshtë. Merr një gavetë greke që e ka çpuar tejpërtej plumbi i italianit një çast para se të hyjë në mishin e grekut dhe greku të ketë fluturuar në majën e Olimpit për tu kërkuar Perëndive t'ja falin mëkatet, dhe një gavetë të shtrembët italiane të çpuar nga plumbi i grekut një çast para se italiani të ketë vajtur në Ferrin e Dantes. Çoi të dyja gavetat në një laborator ku do të thonë me saktësi jo vetëm volumin e secilës gavetë, pra volumin e ushqimit për çdo vakt të secilës ushtri, por me metoda të sofistikuara radioaktive, duke studiuar micrombetjet ushqimore, do gjejnë me saktësi edhe çfarë kanë ngrënë ushtritë që u vranë e u prenë sa Trebeshinën e rrënqethën, Dhëmbelin e bënë ti rrjedhin lotë, Vjosën e skuqën. Për çfarë ? Për mustaqet e një peshtanaku ose pacomitlliu të quajtur Çelo.

S'ka rëndësi nëse ishe në Bujtinë ku hëngre sa u zhdëpe, apo në Muze ku kënaqe kuriozitete.

Rëndësi ka që konstatove se Zonja e Bujtinës, duke pajtuar në mënyrë perfekte biznesin me kuriozitetin historik, kulturor, intelektual, atdhedashës të klientit, ka arritur të jetë një kapitaliste shembullore prej së cilës mund të vijnë të mësojnë për të qënë më të përmbajtur hajdutët e pangopur të Tiranës.

Kur të kthehesh, dikush do të thotë: Paske ardhur në vete. Ke ndërruar çehre. Dukesh më i lirë e më i mirë. Ku ishe ?!

Thuaji dikushit pa tu dridhur syri; Isha te Bujtina e Zonjës. Ik edhe ti.

S.G/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Vaso: 04/11/2023 22:16

    Edhe pse nuk do gjeje fjale me te goditura se ato qe me aq mjeshteri i ka thurur pena e magjishme e Edisonit, per Miren, te Zonjen e Bujtines, gjithmone do te gjendet dicka me shume qe "duhet te jete lene pa permendur". Njerez bujare dhe mikprites !

    Përgjigju
  • Mir: 20/10/2023 18:13

    SHUMë bUKUR... Shumë Bukur... Shumë Bukur...

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?