Byroja e Kuvendit të Shqipërisë (Parlamenti) ka botuar në 02 Qershor 2021 një rregullore të re për Akreditimin, Akomodimin dhe Orientimin e gazetarëve në Parlament. Kjo rregullore e re prek mediat audiovizive, mediat e shkruara dhe ato online. Në krahasim me rregulloren e vitit 2014 kjo rregullore e re, sanksionon se gazetarët nuk do të mund të lëvizin më në mjediset e Kryesisë së Kuvendit, ku zhvillohen kryesisht seancat e komisioneve parlamentare, por do të detyrohen të qëndrojnë në një dhomë të veçantë në bodrum, nga ku do të mund të ndjekin përmes rrjetit të transmetimit të kontrolluar nga kuvendi, punimet e parlamentit. Neni 29 përcakton se organizimi i intervistave me deputetë do ë zhvillohet në bazë të kërkesës së paraqitur pranë Zyrës së Shtypit në Kuvend, nga personat e akredituar.
Byroja që ka ndërmarrë këtë vendim "alla turk" është e kontrolluar plotësisht nga Partia Socialiste, edhe pse kjo rregullore kaq jo liberale duket se është votuar nga opozita për të goditur qeverinë. Duket një kurth i bërë apostafat për të treguar që Edi Rama urren gazetarët, urren mediat e lira, urren lirinë e shtypit dhe bën të pamundurën për të penguar punën e gazetarëve deri në pikën sa të pengojë lëvizjet e tyre në parlament, që është zemra e demokracisë. Ç'vlerë ka të akreditosh gazetarët, nëse ata nuk mund të lëvizin nëpër komisione në të njëjtën mënyrë si gazetarët apo qytetarët që nuk janë të akredituar? Ky urdhër jo vetëm që kufizon lirinë e gazetarëve, por kufizon edhe lirinë e deputetëve, që është akoma më e rëndë.
Dhe në fund, politikisht dëmton vetëm Edi Ramën, që duhet të jetë i pari të zbrëse në shesh në krah të gazetarëve dhe në të gjithëve për të kërkuar anulimin e menjëhershëm të këtij vendimi të turpshëm.