Edlir Tetova, trajneri i Egnatias

Sport

Edlir Tetova: Egnatia e qetë dhe gati për Tiranën, s'kam presion për të shkuarën

20 Shtator, 14:36| Përditesimi: 20 Shtator, 14:39

  • Share

Trajneri i Egnatias, Edlir Tetova, ka folur para mediave në prag të përballjes së javës së katërt të kampionatit ndaj Tiranës. Rrogozhinasit, që vijnë pas fitores në Ballsh kundër Bylisit, synojnë të vazhdojnë ecurinë pozitive edhe këtë fundjavë.

“Ka qenë një javë e qetë, grupi është stërvitur normalisht. Selmani pati dje disa probleme, por mendoj se do të jetë i gatshëm. Gruda gjithashtu është rikthyer nga dëmtimi dhe ka stërvitur me pjesën tjetër të skuadrës”, u shpreh Tetova.

Në krahun tjetër, Tirana ndodhet në fund të klasifikimit me vetëm dy pikë pas tre ndeshjeve. Megjithatë, tekniku i Egnatias nuk i nënvlerëson bardheblutë.

“Tirana është një nga skuadrat me më shumë traditë. Pavarësisht ribërjes së grupit dhe pozicionit në renditje, nuk ka pika të dobëta. Flasim për ekipin më të titulluar në Shqipëri”, theksoi ai.

Kampionët në fuqi të Shqipërisë kanë fituar dy tituj radhazi dhe synojnë suksesin e tretë. Pyetur për presionin që mund të ketë, Tetova ishte i qartë.

“E kaluara është e kaluar. Qëllimi është të bëjmë edhe këtë vit atë që kemi arritur më parë. Presion ndiej vetëm për mënyrën si duhet të luajmë në fushë dhe për të shfrytëzuar më së miri potencialin tonë”, tha ai.

Ndeshja mes Egnatias dhe Tiranës do të luhet sot në mbrëmje në Rrogozhinë.

S.Dh/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Sondazhi i ditës:

    Qeveria e re nis punën, besoni se do përmbushë pritshmëritë e qytetarëve?