Imagjino: I relaksuar në breg të detit, me sytë mbyllur, dallgët që të nanurisin lehtë teksa të lagin këmbët herë pas here, Dielli që të ngroh gjithë trupin në atë ndjenjën e pafund të mirëqënies e kënaqësisë…papritur disa pika shi; fillimisht i merr me të qeshur, pastaj kur nis rrebesh, ngrihesh duke sharë, duke mallkuar, duke thërritur të afërmit, duke mbyllur çadrën, pastaj e hap të pengosh shiun, përpiqesh të mbledhësh rraqet shpërndarë pakujdesisht andej-këtej, pastaj i lë prapë me mendimin se do thahen kur të ridalë Dielli dhe nxiton të fshihesh dikund deri në fund të rrebeshit me sytë nga qielli, i pafuqi të pengosh a të ndikosh…
Ja kështu më duken evropianët përballë Trampit dhe politikave të tij, sipas mendjes së tij, që nuk përputhen aspak me SHBA-të e asnjë prej 45 presidentëve të mëparshëm. Dikush mund të ketë qenë paksa shoëman, dikush paksa izolacionist, dikush anti-Evropë, dikush tregtar, dikush imperialist, dikush arrogant, dikush gjenial…Tramp i ka të gjitha dhe nuk po pret muaj e vite për t’i treguar. Madje nuk po heziton të shfaqet edhe si mbret, që në historinë e presidentëve të SHBA nuk duket se ka pasur vend ndonjëherë.
A është djall?
Nuk do i besojmë ithtarët dhe shpjeguesit e Baba Vangës dhe Nostradamusit që parashohin kohë të këqia për Evropën në 2025. Nëse do flasim në pozicionin shqiptar, mos qoftë e thënë, Trampi dhe idetë e deritanishme të tij, nuk parathonë asgjë të mirë. Edhe nëse flasim për vende të vogla, si ne (Shqipëria+Kosova) sidomos pranë superfuqive, është e njëjta ndjenjë.
Edhe nëse flasim për vende në botë, me njëfarë madhësie por pa ushtri, pa ekonomi, të grira me korrupsion, është e njëjta gjë. Tramp nuk i takon ndjesive, por marrëveshjeve: Ç’më jep- ç’të jap-ç’do fitoj. Tramp është i rrëshkitshëm, pa ndonjë ndërgjegje politike; mund të mohojë sy më sy brenda pak orësh çfarë ka thënë, pas asnjë lloj ndjese, apo keqardhjeje. Kujtohuni: Tha “diktator” për Zelenskin, pas pak orësh u çudit “unë e kam thënë këtë”, u mendua pak dhe shtoi “nuk mendoj se e kam thënë”, duke budallepsur gjithë botën.
Tramp nuk do të luftojë për vlera, e bëri mëse të qartë me Gazën dhe 1.5 milionë njerëzit që kanë mbetur gjallë aty pas masakrave të ushtarëve izraelitë armatosur me armët amerikane, por është i gatshëm të dërgojë ushtrinë nëse ka mundësi investimi. Tramp e bëri të qartë, nuk i interesojnë të vdekurit, të vrarët, të shpërngulurit, vuajtjet, e drejta e jetës minimalisht si ukrainasit, por është i gatshëm të dërgojë armë e ushtri nëse ka mundësi të përfitojë mineralet e çmuara.
Trampi s’do t’ia dijë për historinë, miqësinë, dashurinë, tregtinë në fund të fundit si mes SHBA dhe Kanadasë, e trajton këtë shtet dhe të zgjedhurin e saj si guvernatoren e Maine, madje më keq. Tramp nuk pret sqarime, reagime, ballafaqime, zgjidhje, si me mijëra të shkarkuar federalë, ai thjesht i nis në shtëpi sipas idesë së tij se ata janë pjesë e grupeve armiqësore të shpallura tashmë. Tramp nuk e pranon mendimin alternativ, vetëm bindjen dhe përuljen, mundësisht edhe perkëdheljen e sedrës së tij; gjithsesi SHBA nuk është se ishin zvogëluar ndopak deri në riardhjen e Tramp.
Gjithë çfarë i mungon Djallit në mësimet e librave të shenjtë, apo në besimet popullore është dashuria, empatia, solidariteti, altruizmi.
A është ëngjëll?
Tramp tronditi Evropën jo vetëm për 80 vitet e pasluftës, por edhe më tej. Evropës që nanurisej, dhjamej, gërhiste, rëndohej nga demenca, e shkundi, ndoshta pa dashje, duke e ribërë syçelët, aktive, mendimtare. Tramp i dha një stop të fortë shndërrimit të familjes dhe shpërbërjes së seksualitetit normal, një pothuaj realitet i ri absurd i pandalshëm prej dekadash.
Tramp nxori zbuluar të vërtetat që fshiheshin pas buzëqeshjeve, samiteve, darkave, që popujt i mësonin pas 50 vjetësh kur shkruheshin kujtimet. Tramp tha hapur atë që të gjithë e pëshpërisnin prej vitesh, politikat e emigracionit pa kontroll ishin për demokracitë e mëdha pothuaj shkatërrimtare.
Tramp deklarohet hapur kundër luftërave, kush e mendon se është gjë e keqe kjo?! Tramp kërkon të bëjë më të pasur SHBA dhe amerikanët, kush mendon se është e keqe kjo?! Tramp kërkon mbrapsht paratë e investuara nga SHBA, dakort këtu mund të ketë një përgjigje që të jesh sherifi i qytetit nuk ka vetëm përfitime, por edhe përgjegjësi dhe shpenzime, por gjithsesi nuk e ka gabim.
Tramp kërkon të gjejë abuzimet me paratë e amerikanëve, kush nuk e do, a nuk e duam edhe ne shqiptarët këtë?! Tramp kërkon të vendosë tarifa për t’i dhënë përparësi prodhimit amerikan, bën sens apo jo? U mbetet ekspertëve ta këshillojnë nëse kjo e dëmton më shumë se sa e ndihmon SHBA, por kjo është punë ekspertësh.
Ne, njerëzit e thjeshtë, dimë vetëm se edhe tre ujq kur bëhen bashkë mundin një ari, por sa vlerë ka në përplasjet ekonomike globale ky postulat nuk e dimë. Nuk po numërojmë premtimet se do nxjerrë sekretet e UFO-ve, apo vrasjen e Kenedit, sepse edhe një mendjemëvete si Tramp nuk mund të bëjë gjithçka, qoftë edhe presidenti i SHBA.
Mes shumë vetive, sipas librave të shenjtë, dhe besimeve popullore, ëngjëjt janë të fuqishëm (sa shkatërruan Sodomën dhe Gomorrën), mbrojnë dhe ndihmojnë njerëzit, dërgojnë shenja, paralajmerime dhe udhëzime, ndodhen mes qiellit dhe Tokës.
Pra,
Për mirë a për keq, ne nuk e dimë. Nuk e dimë si do t’i dalë fundi këtij fillimi, kur janë edhe plot 3 vjet e 10 muaj në lojë dhe vetëm dy muajt e parë ishin si parainfarkt për shumë shtete. Një flutur rreh krahët në Teksas dhe në Evropë shkaktohet një tufan; imagjino kur përplas krahët një shqiponjë si mund të ndryshojë efekti i teorisë së kaosit.
Megjithatë, pavarësisht lëshimeve karshi Rusisë, pavarësisht sjelljes si sherif i Botës, pavarësisht bullizimeve, pavarësisht të pazakontave pothuaj të përditshme në politikë të brendshme, apo të jashtme, pavarësisht frikës për të ardhmen për shumë shtete e miliona njerëz, Bota dhe rendi do të rikonceptohen.
Nëse do të jetë një Botë më ëngjëllore, apo më djallëzore, sot nuk dihet, por dimë që Tramp po përpiqet t’i japë pamjen që ai ka ndërmend. Pak njerëz kanë diçka në dorë ta ndryshojnë menjëherë, pak milionë kanë në dorë të përpiqen të rregullojnë diçka (nëse e vlerësojnë se po prishet) pas dy vjetësh, miliona të tjerëve u mbeten lutjet.
Nëse i referohemi urtësisë afrikane: Kur zihen elefantët shkelet bari, kur bëjnë dashuri shkatërrohet pylli. E nëse i referohemi historisë, liderët e Europës nuk duhet të bëjnë asnjë lëshim si dikur paraardhësit e tyre.
Komente
