Në kuadër të Barometrit të Sigurisë, që publikohet periodikisht nga Qendra për Studimin e Demokracisë dhe Qeverisjes (https://csdgalbania.org/al/barometri-i-sigurise-shqiperi-2024/), drejtova një vrojtim statistikor rigoroz në terren, ku të anketuarit u pyetën edhe për sigurinë ushqimore – si atë fizike, edhe atë financiare.
Në pyetjen 66 të pyetësorit, të anketuarit u pyetën nëse në 12 muajt e fundit, pjesëtarë të familjes e kishin zvogëluar ndonjëherë sasinë e ushqimit apo kishin lënë vakt pa ngrënë, ngaqë nuk kishin mjaftueshëm lekë për ushqim. Vetëm 63.5% u përgjigjën “Jo”, ndërsa 13.8% u përgjigjën “Po, çdo muaj” (shihni tabelat e mëposhtme).
Vetëm 55.5% e të anketuarve nuk ishin të preokupuar se do t’u mbaronin lekët për të blerë ushqim deri në rrogën e rradhës. Ndërkohë plot 18.7% ishin të preokupuar çdo muaj.
Vetëm 27.7% e familjeve e kishin mundësinë për të blerë llojet e ushqimit që dëshironin të konsumonin. Ndërkohë plot 11.2% nuk e kishin asnjëherë këtë mundësi. Gjithashtu, plot 23.9% e të anketuarve ishin të shqetësuar për plotësimin e nevojave ushqimore në të ardhmen.
Përmbledhtas mund të thuhet se rreth 1/5 e banorëve të vendit përballeshin me pasiguri ushqimore nga këndvështrimi financiar.
Për sa i përket sigurisë fizike të ushqimit, pothuaj 80% e të anketuarve anonin nga opinioni se kontrolli i sigurisë së ushqimit nga institucionet shtetërore nuk është në nivelin e duhur. Ndërkohë, vetëm 23% e të anketuarve anonin nga opinioni se produktet ushqimore të shitura në Shqipëri janë të sigurta dhe të padëmshme për shëndetin.
Përmbledhtas mund të thuhet se rreth 4/5 e banorëve të vendit kishin pasiguri ushqimore nga këndvështrimi fizik.
SHËNIM STATISTIKOR: Kampioni prej 1124 të anketuarish nga Vermoshi në Konispol u ripeshua statistikisht, për ta përfaqësuar sa më mirë popullsinë e rritur të vendit nga pikëpamja gjeografike, demografike, dhe politike.
Komente
