Sipas projektit paraprak të ndarjes territoriale më 2014, territori i Shqipërisë parashikohej të ndahej në 12 qarqe dhe 36 bashki. Por pasi në procesin e miratimit të projektit u futën llogaritë elektorale të partive që e votuan atë në paralment (PS, LSI, PDIU), territori i vendit u nda në 12 qarqe dhe 61 bashki…
Në atë kohë, qarkulluan edhe propozime për ndarje të territorit të vendit në 4-5 rajone, me nëndarje brenda rajoneve në bashki, ngjashëm me ndarjen territoriale të Italisë. Tani që ka zëra se mund të rishikohet ndarja territoriale e vendit, vlen të diskutohet për një ndarje të tillë funksionale (jo thjesht elektorale).
Parë nga një këndvështrim gjeografik, historik dhe ekonomik, Shqipëria mund të ndahet në 5 rajone: Rajoni Veriperëndimor (qarqet aktuale Shkodër e Lezhë), Rajoni Verilindor (qarqet aktuale Dibër e Kukës), Rajoni Qendror (qarqet aktuale Tiranë e Durrës), Rajoni Juglindor (qarqet aktuale Elbasan e Korçë), dhe rajoni Jugperëndimor (qarqet aktuale Fier, Berat, Vlorë e Gjirokastër).
Ndërkohë, përfaqësimi në Kuvendin e Shqipërisë duhet të bazohet në rajonet, sepse qarqet aktuale nuk kanë pse të ekzistojnë më në një ndarje rajonale. Nga pikpamja elektorale, kalimi nga 12 qarqe në 5 rajone nuk do sillte ndonjë ndryshim (shihni në tabelën e mëposhtme sesi do të ishin shpërndarë mandatet më 11 maj me një ndarje rajonale).
Kuptohet që edhe harta aktuale e bashkive (e tipit salamandër) mund të thjeshtohet shumë.
Konkretisht, bashkia Shkodër mund të përthithë bashkitë Malësi e Madhe dhe Vau i Dejës; bashkia Pukë mund të përthithë bashkinë Fushë-Arrëz; bashkia Kukës mund të përthithë bashkinë Has; bashkia Dibër mund të përthithë bashkinë Bulqizë; bashkia Mat mund të përthithë bashkinë Klos; bashkia Durrës mund përthithë bashkinë Shijak; bashkia Kavajë mund të përthithë bashkinë Rrogozhinë; Bashkia Kamëz mund të përthithë bashkinë Vorë; Bashkia Elbasan mund të përthithë bashkitë Belsh, Peqin, Cërrik e Gramsh; Bashkia Librazhd mund të përthithë bashkinë Prrenjas; bashkia Korçë mund që përthithë bashkitë Maliq, Devoll e Pustec; Bashkia Lushnje mund të pëthithë bashkinë Divjakë; bashkia Fier mund të përthithë bashkitë Roskovec e Patos; bashkia Kuçovë mund të përthithë bashkinë Dimal; Bashkia Skrapar mund të përthithë bashkinë Poliçan; bashkia Tepelenë mund të pëthithë bashkinë Memaliaj; bashkia Përmet mund të përthithë bashkinë Këlcyrë; bashkia Gjirokastër mund të përthithë bashkitë Libohovë e Dropull; bashkia Vlorë mund të përthithë bashkinë Selenicë; dhe bashkia Sarandë mund të përthithë bashkitë Delvinë, Finiq e Konispol.
Për njësitë administrative në secilën bashki, duhet bërë një studim i thellë, që t’u përcaktohen atyre kufijtë dhe përgjegjësitë në bazë të nevojave të popullsisë lokale.
Të gjitha ndryshimet e mësipërme kërkojnë një ndryshim në Kushtetutë, që duhet të realizohet me një konsensus të gjerë politik. Reforma territoriale që bazohen vetëm në llogari elektorale nuk mund të jenë funksionale në afate të gjata!

Tabela e ndarjes së mandateve në rajone
Komente
