Në mënyrë periodike, SPAK-u raporton statistika të çështjeve hetimore që ka filluar ose të çështjeve penale që ka paraqitur në gjykatë, ndërkohë që herë pas here ka bërë arrestime të bujshme kriminelësh apo zyrtarësh/politikanësh të lartë. Por diçka që nuk kapet dot nga statistikat/arrestimet publike të SPAK-ut është frika që u ka futur zyrtarëve/politikanëve dhe kriminelëve të të gjitha niveleve.
Me ndihmën e organeve ligjzbatuese perëndimore dhe të BKH-së, nën drejtimin strikt të Altin Dumanit, SPAK-u është bërë roja proverbiale e vreshtit, që me çiften plot monitoron syçelët se kush mund ta cënojë ‘vreshtin’ tonë. Ndonjëherë ‘çiftja’ e SPAK-ut ka qëlluar në mish persona që i ka lënë gjatë në qeli, pa provuar bindshëm paraprakisht se duheshin mbyllur atje (Ilir Beqja, Ilir Meta, dhe Erion Veliaj janë personat më të spikatur). Sidoqoftë, e përgjithshmja është që të gjithë zyrtarëve/politikanëve dhe kriminelëve (të të gjitha niveleve) u është futur frika se SPAK-u i monitoron si skfter!
Falë këtyre zhvillimeve, shumica dërrmuese e banorëve të rritur të vendit e vlerësojnë lart punën e deritashme të SPAK-ut.
Nga një sondazh rigoroz që drejtova para dy muajsh në terren për një fondacion gjerman (nga Vermoshi në Konispol), rezultoi se plot 80% e të anketuarve anonin nga opinioni se SPAK-u është serioz në luftën ndaj krimit të organizuar. Ndërsa nga një sondazh rigoroz që drejtova para një viti në terren për të njëjtin fondacion gjerman (nga Vermoshi në Konispol), rezultoi se plot 65% e të anketuarve anonin nga opinioni se SPAK-u është serioz në luftën ndaj korrupsionit.
Mbetet të shihet nëse SPAK-u do t’i rrisë në vijim këto kuota vlerësimi në publikun shqiptar…
Komente
