Foto ilustrim

Opinion

Eduard Zaloshnja: Është rritur efikasiteti i karburantit apo… evazioni në dogana?

13 Gusht, 08:51| Përditesimi: 13 Gusht, 08:53

  • Share

Nga të dhënat zyrtare rezulton se numri i automjeteve të regjistruara me targa shqiptare është trefishuar në dy dekadat e fundit. Ndërkohë, sasia e karburantit të zhdoganuar është rritur vetëm 30%...

Mesatarisht një automjet aktiv më 2005 konsumoi rreth 1450 litra karburant në vit. Ndërsa sot sasia e karburantit të konsumuar mesatarisht nga një automjet aktiv është përtej përgjysmuar – ka zbritur në rreth 630 litra karburant në vit (630 milionë litra të zhdoganuara janë konsumuar nga 1 milion automjete aktive).

Në qoftë se të dhënat zyrtare janë të sakta dhe nuk ka patur evazion fiskal në dogana, i bie që ose është dyfishuar efikasiteti i përdorimit të karburantit, ose janë përgjysmuar kilometrat e përshkuara mesatarisht nga çdo automjet.

Në fakt, të dyja këto hipoteza nuk qëndrojnë.

Së pari, është e vërtetë që përmirësimet në cilësinë e karburantit dhe në cilësinë e automjeteve sjellin rritje të efikasitetit në konsumin e karburantit. Por edhe vendet më të përparuara nuk kanë arritur të kenë rritje të efikasitetit më shumë se 10% përgjatë dy dekadave. Ndërsa ne e paskemi dyfishuar efikasitetin e përdorimit të karburantit brenda dy dekadave!!!

Së dyti, kilometrat e përshkuara mesatarisht nga një automjet aktiv nuk kanë si të jenë përgjysmuar, krahasuar me vitin 2005. Gjatë kësaj kohe janë shtuar dhe përmirësur ndjeshëm rrugët në mbarë Shqipërinë, e si rrjedhim janë shtuar ndjeshëm udhëtimet turistike brenda vendit si në verë edhe në dimër (numri i dhomave të hoteleve është trefishuar në gjithë vendin).

Krahasuar me 2005-ën, automjetet mund të kenë përshkuar mesatarisht më shumë kilometra, e jo t’i kenë përgjysmuar ato…

Analiza e mësipërme na çon tek shtegu më i mundshëm: evazioni fiskal në dogana.

Për të furnizuar 1 milion automjetet aktive nevojitet shumë më tepër karburant se sa zhdoganohet. Se sa më tepër nuk mund të matet me saktësi, sepse duhen të dhëna të hollësishme mbi markat dhe vjetërsinë e automjeteve, si dhe mbi kilometrat e përshkuara nga to.

V.GJ /ReportTv.al
Komento

Komente

  • lori: 13/08/2025 14:51

    Shkak është dhe futja e madhe e mjeteve me bateri në vend,që janë taksitë,autobusë dhe mjete personale...

    Përgjigju
  • Goni: 13/08/2025 09:45

    Po mer Esi po ashtu eshte. Shko se ta shpjegon dogana analizen se thone qe ka arrit majat

    Përgjigju
  • Qytetari i Thjeshte: 13/08/2025 09:17

    Qe ka evazion ne dogana kjo nuk diskutohet por ne analizen Tuaj jane shume pak vetem dy parametrat qe merrni ne konsiderate. Per mendimin tim duhet shtuar edhe furnizimi me karburant ne shtete fqinje, mos harro tani eshte shume e lehte te shkosh ne Kosove, Malin e Zi apo Maqedonine Veriut qe do te thote banoret e zonave kufitare furnizohen andej dhe kjo nuk diskutohet. Nga ana tjeter rritja e cmimit te karburantit eshte nje faktor shume frenues ne konsum.

    Përgjigju
  • Esi: 13/08/2025 09:14

    numri i makina qe jan regjistruar me shume jan makinat me bateri, makinat elektrike qe nuk konsumojne karburant. 90% e makinave taxi ne tirane jane elektrike.Shumica e bezneseve kane blere makina elektrike, policia, bashkia, instituzione etj... duhej bere analiza sa makina elektrike kan hyre dhe sa me karburant me pare.

    Përgjigju
    • Joti: 13/08/2025 12:36

      Transporti publik nuk ka permission nga 2005. Trena ka me pak bile ne mos fare per udhetaret. Makina elektrike ka rreth3 % te totalit. Pra evazioni eshte shume I larte. Goli behet ke magazines doganore. Aty fle lepuri. Shikoni pasurite e doganiereve e drejtoreve e flasim. Mbase duhet veting per ta.

  • Sondazhi i ditës:

    A e zgjidh emergjencën e zjarreve në Shqipëri blerja e avionëve zjarrfikës?