Prefekti

Eduard Zaloshnja: Karikaturizimi absurd i Mulletit dhe i Protopapës nga socrealizmi

10 Dhjetor 2021, 10:54| Përditesimi: 10 Dhjetor 2021, 10:57

  • Share

Ridalja në skenë e komedisë socrealiste “Prefekti” ngacmoi një plagë të vjetër te pasardhësit e Qazim Mulletit. Siç ngacmon filmi socrealist “I teti në bronz” te pasardhësit e Sali (Sejfi) Protopapës, sa herë që rishfaqet…

Qazim Mulleti ishte një intelektual antizogist i betuar, antikomunist, e fashist i bindur. Sali (Sejfi) Protopapa ishte një intelektual antizogist, antikomunist, e antifashist i betuar. Të dy të shkolluar në perëndim. Të dy jashtëzakonisht ndryshe nga personazhet e karikaturizuara në dy nga veprat më jetgjata të socrealizmit enverian…

Qazim Mulleti

Arsimin e mesëm e kreu në gjimnazin “Zosimea” të Janinës, e më pas kreu studimet e larta në liceun francez “Gallatasaraj” të Stambollit.

Në 1914-ën ishte një ndër katër adjutantët e Princ Vidit. U larguan së bashku në Vjenë, ku jetoi deri në vitin 1920. Gjatë ndejtjes në Vjenë, me ndërhyrjen direkte të mareshalit austriak Trolman, i cili mbulonte rajonin e Ballkanit, Qazim Mulleti vijoi studime specializimi shtesë në fushën e diplomacisë ushtarake të luftës. Ishte poliglot, dinte Turqisht, Arabisht, Gjermanisht, Frëngjisht, Italisht, Latinisht, Greqisht dhe Serbo-Kroatisht.

Në vitin 1920, mori pjesë në Kongresin e Lushnjës. Qeveria e dalë nga Kongresi i Lushnjës u pengua të shkonte në Durrës, ku duhej të ushtronte funksionet e saj. Me ndërhyrjen e dajës së Qazimit, si dhe të Abdi Toptanit e vetë Qazim Mulletit, qeveria u vendos provizorisht në Tiranë. Shumë patriotë të Tiranës hapën shtëpitë e tyre në dispozicion të qeverisë së re. (Një shtëpi e Mulletëve u bë Ministria e parë e Bujqësisë).

Në shtator të vitit 1920, Qazimi ishte Komandant i Forcave Vullnetare kundër Serbisë. Më 25 prill – 3 maj 1921, ai mori pjesë në Kongresin për Bashkimin Kombëtar në Vlorë, si përfaqësues i Tiranës, në të cilën funksiononte shoqëria patriotike “Vllaznia–Zgjimi”, së bashku me Hafiz Ibrahim Dalliun dhe Musa Maçin, si përfaqësues të shoqërisë “Lidhja Kombëtare”, si dhe me Avni Rustemin e shoqërisë “Bashkimi”.

Në majin e 1924-ës, qe pjesë e një komisioni të demonstrantëve që takuan kryeministrin Vërlaci, të cilit i kërkonin masa serioze për zbardhjen dhe dënimin e komplotistëve në vrasjen e Avni Rustemit. Në qeverinë e Fan Nolit, shërbeu si prefekt në Dibër. Mbas dështimit të qeverisë së Nolit, u largua nga Shqipëria.

Mori pjesë në organizimin e atentatit ndaj Mbretit Zog më 1931, në kryeqytetin austriak, duke u qëndruar mbrapa Ndokë Gjeloshit e Aziz Çamit, për t'i mbrojtur eventualisht. Pasi shkrehën plumbat, duke ngatërruar majorin Llesh Topallaj me mbretin dhe duke plagosur Eqrem Libohovën, Mulleti flaku armën dhe u fsheh në turmën e posakrijuar. Më vonë, në një gjyq në Tiranë, Mulleti u dënua me vdekje në mungesë. Paskëtaj, u largua drejt Parisit.

Në qershor 1939, u kthye në Shqipëri dhe u zgjodh kryetar i bashkisë së Tiranës deri në fund të vitit 1940. Shumë projekte të nisura në kohën e Zogut, si godina e korpusit universitar, kolonadat (sot Muzeu i Arkeologjisë), Akademia e Arteve, ku në atë kohë u vendos edhe opera, Kryeministria, dhe hotel “Dajti” morën drejtim në kohën e kryebashkiakut Mulleti. U ndërtuan çezma e banjo publike, si dhe u larguan varrezat nga qendra e qytetit.

Më 1944, me përparimin e komunistëve drejt Tiranës, u largua nga Shqipëria.

Sali (Sejfi) Protopapa

Lindur e rritur në një familje fanoliste e tejet antizogiste, shkoi eventualisht për studime në Universitetitn e Peruxhias. Në fillim të vitit 1943, i la përgjysëm studimet universitare, për të luftuar në atdhe kundër fashizmit (duke bashkëpunuar me shokë të qytetit të tij, si Kristaq e Margarita Tutulani). Me shpalljen e luftës vëllavrasëse nga Enver Hoxha, kaloi në rradhët e Ballit Kombëtar, ku punoi fillimisht si Zv. Kryeredaktor i gazetës balliste Flamuri. Më pas u bë komandant i një çete balliste, që luftoi njëkohësisht ndaj komunistëve dhe nazistëve. (Në atë kohë bëri bujë fakti që ekzekutoi një ballist, sepse u kishte vjedhur fshatarëve të thjeshtë një qingj).

Në fund të vitit 1944, shkoi në Itali, e pas dy vjetësh emigroi në SHBA. Atje studioi për fizikë bërthamore në Universitetin Rutgers, e më pas mbrojti gradën Master në Universitetin e Kalifornisë. Punoi për 10 vjet në Laboratorin Bërthamor të Los Alamos, ku ishte pjesë e grupit që shpiku bombën me hidrogjen. Më pas punoi deri sa doli në pension në Departamentin e Transportit, në drejtorinë e studimeve mbi komunikimet satelitore të transportit ajror.

Epilog

A kanë ndonjë farë ngjasimi këta dy personzhe historikë me karikaturat absurde që janë shfaqur në “veprat” e sipërpërmenduara të socrealizmit enverian?

Ata ishin qartazi intelektualë antikomunistë të përbetuar, por jo njerëz të pagëdhëndur e qesharakë, siç i ka portretizuar socrealizmi…

J.GJ./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?