Keshilli Kombëtar (Foto iluestruese)

Eduard Zaloshnja: Këshillimi Kombëtar, anketim pa vlerë statistikore

8 Prill 2022, 11:03| Përditesimi: 8 Prill 2022, 11:08

  • Share

Mbi gjysmë milion banorë të rritur të Shqipërisë (ndër rreth 2.1 milionë banorë të rritur gjithsej) u bënë pjesë e anketës “Këshillimi Kombëtar”, të organizuar, promovuar e financuar nga qeveria Rama. Një kampion i tillë gjigant anketimi do të ishte ëndërr për çdo sondazhist në botë.

Në SHBA, për shembull, madhësia e kampionëve të anketimeve që publikohen në media (sondazheve, siç njihen gjerësisht) variojnë nga 1000 deri 1500 të anketuar (ndër 210 milionë banorë të rritur amerikanë). Dhe ato rezultojnë me një marzh të gabimit statistikor që luhatet rreth plus/minus 3%. Por kampionët e atyre sondazheve ndërtohen me kritere strikte statistikore, për të përfaqësuar statistikisht popullsinë e rritur.

Në qoftë se kampioni gjysmëmilionësh shqiptar i Këshillimit Kombëtar do të ishte ndërtuar me të njëjtat kritere rigoroze si të sondazheve të sipëpërmendura, marzhi gabimit statistikor do të kishte qenë mikroskopik – vetëm plus minus 0.1%. Por anketimi i organizuar, promovuar e financuar nga qeveria Rama nuk i përmbahej asnjë kriteri statistikor…

Kampioni gjysmëmilionësh shqiptar i Këshillimit Kombëtar nuk dihet nëse ka shpërndarje gjinore e moshore të ngjashme me të popullsisë së rritur të vendit. Ai kampion nuk dihet nëse ka shpërndarje gjeografike të ngjashme me të popullsisë së rritur të vendit. E për më tepër, ai kampion nuk dihet nëse e përfaqëson politikisht popullsinë e rritur të vendit. Që të ndodhte kjo e fundit, do të duhej që të anketuarit të kishin votuar pak a shumë kështu vjet më 25 prill: 41% për dy partitë në pushtet (PS e PSD), 33% për PD-AN, 6% për LSI dhe 20% të mos kishin votuar fare.

Në pyetësorin e Këshillimit Kombëtar nuk kishte pyetje në lidhje me profilin demografiko-gjeografiko-politik të të anketuarve, për të siguruar anonimitetin e plotë të tyre. Për rrjedhojë, kampioni gjysmëmilionësh shqiptar i atij anketimi nuk dihet se çfarë përfaqëson statistikisht. Është një thes gjigant, por që s’dihet çfarë ka brenda – e si rezultat, asnjë përqindje e llogaritur prej tij nuk ka vlerë statistikore.

Me një fraksion të atyre parave të taksapagueve të thjeshtë shqiptarë që u shpenzuan për të mbledhur opinionet e tyre në Këshillimin Kombëtar, mund të ishte zhvilluar në terren një anketim tejet rigoroz, me kritere strikte statistikore…

K.T./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?