Eduard Zaloshnja: Kur vagonat shtyjnë lokomotivën

21 Tetor, 15:17| Përditesimi: 21 Tetor, 15:19

  • Share

Në të gjitha sondazhet që kam publikuar pas zgjedhjeve të vjetshme të 14 majit, kam konstatuar një rregullësi statistikore tejet të qendrueshme: Votuesit për PD-në kanë qenë vazhdimisht më të shumtë se ata që simpatizojnë Berishën ndër politikanët kryesorë këtu. Nga ana tjetër, votuesit për PS-në kanë qenë vazhdimisht më të paktë se ata që simpatizojnë Ramën ndër politikanët kryesorë këtu.

Fenomeni statistikor Rama-PS (Rama si lokomotivë dhe PS-ja si vargu i vagonave pas tij) ka të bëjë njëfarësoj me kultin e individit që vazhdon të mbijetojë në trojet arbnore. Ndërsa deficiti i Berishës ndaj partisë së tij ka rrënjë 34-vjeçare (plot me ulje-ngritje), dhe përbën një problem të madh elektoral për të.

Historia e zgjedhjeve në vendet demokratike na tregon se kanë qenë fare, fare të rralla rastet kur zgjedhjet i fiton partia e një udhëheqësi me përkrahje më të vogël se sa për partinë e tij. Kurse në situatën aktuale në Shqipëri, nuk bëhet fjalë për fitore të Berishës – bëhet fjalë vetëm nëse PD-ja do t’i afrohet humbjes dinjitoze të Bashës më 2021.

Mesatarja e sondazheve që kam publikuar pas zgjedhjeve të vjetshme të 14 majit e vendos Berishën rreth kuotës 26.5%. Nga ana tjetër, kuotat e votave për PD-në janë rrotulluar rreth 30%. Pra, vagonat shtyjnë lokomotivën demokrate…

Me një kuotë 30% në votën popullore, PD-ja mund të jetë sot rrotull 33% të mandateve parlamentare (sepse formula e llogaritjes së mandateve përfshin vetëm partitë që nuk janë tejet të vogla). Për krahasim, në zgjedhjet e fundit parlamentare (më 2021), PD-ja dhe aleatët e saj (LSI, PR, PDK etj. etj.) morën 45% të mandateve parlamentare (63 nga 140 gjithsej).

Sesi do të konfigurohet tamam parlamenti i ri mund të varet nga partitë e reja që do të futen në mes të PS-së dhe PD-së. Sidoqoftë, sondazhet deri më sot tregojnë se treni i Ramës është i pakapshëm nga ai i Berishës!

S.B/ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?