Opinion

Eduard Zaloshnja: LSI, pikëpyetja për PD-në pas shkarkimit të Metës

10 Qershor 2021, 20:25| Përditesimi: 10 Qershor 2021, 20:32

  • Share

Në qoftë se shkarkimi i Presidentit Meta nga Kuvendi konfirmohet në Gjykatën Kushtetuese, PD-ja do të vihet para një dileme të madhe politiko-elektorale. Dhe ja përse.

Qysh kur u fut në zgjedhjet shqiptare sistemi rajonal proporcional, PD-ja dhe partitë satelite të saj nuk kanë marrë dot më shumë se 70 mandate parlamentare. Më parë, më 2005, kishin arritur të merrnin 74 mandate, me vetëm 44% të votës popullore (falë sistemit mazhoritaro-proporcinal me një raund dhe përçarjes së kampit të majtë politik).

Në zgjedhjet e para me sistemin rajonal-proporcional, më 2009, kur PD-ja ishte në kulmin e pushtetit, ajo dhe partitë satelite të saj morën vetëm 46.9% të votës popullore, duke siguruar vetem 70 mandate parlamentare. Për të krijuar qeverinë, atyre ju desh ndihma e LSI-së, e cila kishte marrë 4 mandate parlamentare. Qysh atëherë, PD-ja dhe partitë satelite të saj nuk i janë afruar më 70 mandateve parlamentare…

Në fakt, nëse i mbledhim mekanikanikisht votat, PD-ja dhe satelitet e saj vetëm në një “koalicion matematik” me LSI-në e kanë kaluar ose i janë afruar 50-përqindëshit të votës popullore në katër zgjedhjet e fundit parlamentare. Pa LSI-në, PD-ja dhe satelitet e saj janë stabilizuar afër nivelit 40% të votës popullore (shihni grafikun shoqërues).

Një rikthim i Metës në krye të LSI-së (në qoftë se i konfirmohet shkarkimi nga Presidenca në Gjykatën Kushtetuese) do të ndikonte që partia të jetë më eficente në fushatat e ardhshme elektorale. Gjë që do t’i bënte punë një PD-je 40-përqindëshe… Por nga ana tjetër, shkarkimi i Metës mund ta përkeqësojë opinionin rreth vazhdimit të bashkëpunimit PD-LSI, si në planin brendshëm, ashtu edhe të jashtëm. Gjë që mund ta ulë PD-në poshtë 40-përqindëshit…

Kështu, PD-së do t’i duhet të zgjedhë mes vazhdimit të bashkëpunimit me një LSI të kryesuar nga Meta dhe garimt vetëm në koalicion me partitë satelite të saj. Në skenarin e parë, PD-ja do ta ketë të vështirë të mbetet tek 40-përqindshi dhe do të mbahet tek shpresa se LSI-ja mund ta plotësojë deficitin deri tek 50-përqindëshi. Në skenarin e dytë, PD-sëdo t’i duhet të distancohet pa ekuivok nga LSI-ja, dhe të shpresojë pastaj se ndoshta do të arrijë të ngjitet vetë deri tek 50-qindëshi, duke u munduar të afrojë mosvotuesit e zgjedhjeve të fundit…

SI.E./ReportTv.al
Komento
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?