Donald Trump dhe Kamala Harris

Eduard Zaloshnja: Me përkufizim, sondazhet s’janë instrumente precize

23 Tetor, 10:52| Përditesimi: 23 Tetor, 10:55

  • Share

Deri më 5 nëntor, priten të publikohen dhjetra sondazhe rreth zgjedhjeve presidenciale në SHBA. Si zakonisht, pritet të bëhen shumë komente e citime të rezultateve të këtyre sondazheve.

Dhe si zakonisht, në komentet e citimet, me gjasa, mund të mos përmendet një detaj shumë i rëndësishëm i sondazheve - marzhi i gabimit statistikor të tyre. Duke harruar kështu faktin që, me përkufizim, sondazhet s’janë instrumente precize - çdo sondazh ka një marzh gabimi statistikor.

Kur thuhet se, bazuar në filan sondazh, kandidati fistek ka sot kaq përqind të votave, rrallë përmendet se marzhi i gabimt statistikor të kësaj përqindjeje është plus/minus aq përqind. Dhe jo në pak raste, diferenca mes kandidatit fistek dhe konkurentit të tij mund të jetë brenda intervalit të gabimit statistikor - pra, nuk mund të thuhet me siguri statistikore se cili është realisht në epërsi ndaj tjetrit…

Po përse sondazhet kanë marzh gabimi statistikor?

Përgjigjia mund të gjehet tek Ligji i Numrave të Mëdhenj – nga më të rëndësishmit e teorisë së probabilitetit. Kështu, kur dikush hedh 100 monedha mund t’i bien 41% kokë, ose (në ekstremin tjetër) 59% kokë. Po ta përsërisë ky dikush këtë eksperiment me 1100 monedha, intervali i rënies kokë do të jetë nga 47% deri në 53%; goxha më afër probabilitetit real 50%. Ndërsa po të hedhë 100 mijë monedha, intervali i rënies kokë do të jetë shumë, shumë më i ngushtë: 49.7% deri në 50.3%.

Duke u kthyer tek sondazhet, sa më shumë të anketuar të rastësishëm të përfshihen në kampionin statistikor të një sondazhi, aq më shumë i afrohemi përqindjes reale të përkrahjes ndaj një kandidati. Por kostoja e anketimit të 100 mijë qytetarëve të rastësishm është tejet e lartë. Prandaj sondazhistët mjaftohen me kampione relativisht të vogla, që zakonisht prodhojnë marzhe gabimi statistikore plus/minus 3%.

Dhe kur përqindjet e dy kandidtëve kanë një diferencë që përfshihet brenda intervalit të gabimit statistikor të sondazhit, thjesht mund të thuhet se ata janë statistikisht rrotë-më-rrotë. Sepse mund të qëllojë që në një garë dyshe, një sondazhisti t’i rezultojë kandidati filan me 47% të votave (me marzh gabimi +/- 3%), ndërsa një sondazhisti tjetër (në të njëtën kohë e me të njëjtën metodologji) po ky kandidat mund t’i rezultojë me 53% të votave (me marzh gabimi +/- 3%). Në një rast të tillë, as njëri e as tjetri sondazhist nuk është gabim.  Njësoj si në rastin e hedhjes së 1100 monedhave, gara mund të jetë thjesht barabartë 50-50…

Po përse atëherë vlen të bëhen sondazhe parazgjedhore?

Në qoftë se në një garë dyshe, kandidati filan rezulton me 53.5% (me marzh gabimi +/- 3%) dhe kandidati fistek rezulton me 46.5% (me marzh gabimi +/- 3%), mund të thuhet me siguri statistikore se filani ka epërsi ndaj fistekut. Në rastin më të keq për filanin, ai nuk zbret poshtë 50.5% (53.5% minus 3%), ndërsa konkurenti i tij shkon maksimumi deri në 49.5% (46.5% plus 3%).

SHËNIM: Aktualisht, 7 shtete nga 50 të federatës amerikane janë shtete kyç për përcaktimin e fituesit në garën presidenciale. Në asnjërin prej këtyre 7 shteteve, asnjë nga dy kandidatët nuk e ka arritur ende kuotën 50% (bazuar në mesataren e sondazheve të ndryshme të zhvilluara në secilin shtet).

Xh.K/ReportTv.al
Komento

Komente

  • Tushi: 23/10/2024 21:14

    O zaloshnjë çmind të thuash për arrestimin e Kryebashkiakut të New Yorkut për korrupsion, qe e kishte idhull Lal Fiku

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:

    Vrasja e 14 vjeçarit, çfarë duhet të bëjë Shqipëria me TikTok e Snap Chat?