Presidenti Trump shpalli një pauzë 90-ditore për pothuaj të gjithë ndihmat financiare të huaja të SHBA-së, duke synuar një rishikim të rreth 70 miliardë dollarëve të ndihmës ndërkombëtare (ku nuk përfshihet ndihma financiare ushtarake për Ukrainën, Izraelin dhe Egjiptin).
Nën urdhërat e bosit të tij, Sekretari i Shtetit Rubio, kërkoi menjëherë “ndalimin e punës”, duke pezulluar projektet aktive të ndihmës ndërkombëtare amerikane. Duke krijuar kështu pasiguri për shumë shtete, përfshirë edhe Shqipërinë.
Po sa e rëndësishme është financiarisht ndihma amerikane për Shqipërinë?
Nga totali 70 miliardë dollarë i ndihmave ndërkombëtare amerikane, vetëm 0.018 miliard janë parashikuar këtë vit për Shqipërinë. Dhe kjo thërrime për Shqipërinë është e shpërndarë në një listë prej pothuaj 30 institiconesh shtetërore dhe OJQ-sh, që marrin thërmijëza nga ndihma financiare amerikane. Ndërkohë, buxheti i shtetit shqiptar, i financuar nga vetë shqiptarët, është këtë vit rreth 8 miliardë dollarë!
E sidoqoftë, deri sa të përfundojë periudha 90-ditore e rishikimit të ndihmave amerikane nëpër botë, në portalet dhe rrjetet sociale shqiptare do të gëlojnë spekulime dhe parashikime nga më të ndryshmet. Sidomos rreth SPAK-ut!
Buxheti total i SPAK-ut (përfshirë BKH-në) është rreth 14 milionë dollarë këtë vit. Ndërsa ndihma amerikane vjetore e parashikuar është më pak se 1/14 e buxhetit vjetor shqiptar të SPAK-ut (përfshirë BKH-në). Pezullimi 90-ditor i ndihmës amerikane nuk do ta pengojë atë praktikisht në punën e përditshme, por tymnaja mediatike ndoshta do të ndikojë psikologjikisht te punonjësit e SPAK-ut dhe BKH-së.
Sidoqoftë, në përfundim të periudhës 90-ditore të rishikimit global të ndihmës ndërkombëtare amerikane, ndihma modeste financiare e SHBA-së për SPAK-un dhe BKH-në me shumë gjasa do të vazhdojë. Sepse ajo ndihmë nuk shkon për blerje prezervativësh (si në Gaza), apo për leksione klimatike (si në Gana), apo për abortin e vajzave të reja dhe të drejtat transgjinore (si në shumë vende të botës) – shembuj të përdorur këta nga Sekretari i Shtetit Rubio, kur shpalli pezullimin 90-ditor të ndihmave ndërkombëtare amerikane…