Pavarësisht argumenteve e xhonglimeve të lodhshme juridiko-politike rreth zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, ngërçi i stërzgjatur për zgjedhjen e tij ka në thelb një problem përfaqësimi elektoral.
Vetëvendosja e Kurtit nuk arriti në zgjedhjet e fundit të marrë as shumicën e votave të shtetasve të Kosovës dhe as shumicën e votave të shtetasve shqiptarë të saj. Si rrjedhojë, ajo siguroi vetëm 48 ndejtëse parlamentare, nga 120 gjithsej, ose nga 100 që ishin në dispozicion të partive shqiptare. Në këto kushte, Vetëvendosja e Kurtit është e detyruar të krijojë koalicion, si për të zgjedhur Kryetarin e Kuvendit të Kosovës, edhe për të krijuar qeverinë e re.
Pse? Sepse kusht sine qua non për çdo demokraci parlamentare është që institucionet politike duhet të pasqyrojnë realitetin elektoral!
Kurti mund të paraqesë sa të dojë kandidatë vetëvendosës për Kryetar të Kuvendit të Kosovës, por për sa kohë ai nuk bën koalicion me ndonjë nga partitë shqiptare, nuk do të arrijë dot të sigurojë 61 votat e domosdoshme në Kuvend (votat e deputetëve të pakicave joserbe që e përkrahin Kurtin mund ta çojnë totalin deri në 57).
Ndër partitë shqiptare që mund të sigurojnë numrin magjik 61, “Nisma” e Limajt, me 4 ndejtëset e saja parlamentare, është më e mundshmja.
Si komandant i Brigadës 121 të UÇK-së gjatë luftës dhe politikan i rangjeve të larta pas luftës, Fatmir Limaj ka krijuar një staturë të respektueshme në skenën politike të Kosovës. Dhe ndër udhëheqësit e opozitës aktuale, ai ka demonstruar vazhdimisht një qëndrim joagresiv politik.
Kurti duhet të takohet me Limajn, e në bashkëpunim me të, t’i japë një zgjidhje ngërçit absurd të zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, si edhe të krijimit të qeverisë së re më pas. Limaj mund të jetë një kryetar dinjitoz i Kuvendit të Kosovës dhe ‘Nisma’ mund të jetë pjesëmarrëse në qeverinë e re.
SHËNIM: Kurti mund të synojë zvarritjen e zgjedhjes së Kryetarit të Kuvendit të Kosovës deri në zgjedhjet lokale të tetorit, me shpresën se Vetëvendosja do të arrijë një rezultat më të mirë elektoral atëherë. Por historia elektorale tregon kudo në botë se partitë që zvarrisin vendin dështojnë në zgjedhjet pasardhëse…
Komente

nuk e di sa do ishte dakort me komandajt Limajn vetem Donika Gevalla jo me dikush tjeter por le te presim deri ne tetor se nuk eshte edhe aq larg dhe te zgjidhin marreveshjen per Dimalin qe eshte me afer zgjidhjes se ngerqit politik te sterzgjatur me pak vullnet te VV
Përgjigju