Berisha ka lëshuar një ultimatum: Deri më 13 shkurt (kur do të votohen në Kuvend ndryshimet e Kodit Zgjedhor për lehtësimin e votimit tw emigrantëve), PS-ja duhet të pranojë edhe regjistrimin e zgjedhësve me dokumente identifikimi biometrike të huaja – përndryshe, nuk i votojmë ndryshimet! Basha dhe Alibeaj (që kanë pas tyre disa deputetë në Kuvend) kanë lëshuar një tjetër ultimatum: Nuk votojmë për ndryshimet e Kodit Zgjedhor që lehtësojnë votimin e emigrantëve, në qoftë se nuk lejohet edhe regjistrimi i zgjedhësve me dokumente identifikimi biometrike të huaja, dhe në qoftë se nuk bëhet një ndryshim rrënjësor i Kodit Zgjedhor.
Në qoftë se PS-ja pranon kërkesën e Berishës, bëhen mbi 84 vota në Kuvend më 13 shkurt për ndryshimet e Kodit Zgjedhor që lehtësojnë votimin e emigrantëve. Ndërsa kërkesat e Bashës dhe Alibeajt hapin një histori të gjatë debatesh, vetëm 3 muaj para zgjedhjeve (ndërkohë që votat e pasuesve të tyre në Kuvend mund të mos mjaftojnë për shifrën magjike 84 të miratimit të amendameteve të Kodit Zgjedhor).
Po sa të rëndësishme mund të jenë elektoralisht votat e emigrantëve me dokumente identifikimi biometrike të huaja?
Sipas Barometrit të fundit të MRB Hellas & DataCentrum (realizuar me 1600 të anketuar në gjithë territorin e Shqipërisë), rreth 80% e zgjedhësve të këtushëm janë të prirur të votojnë. Përkthyer në banorë të rritur, i bie që rreth 1.56 milionë zgjedhës të këtushëm të votojnë (80% e 1.93 milionë banorëve të rritur).
Deri më sot, vetëm 104 mijë zgjedhës nga emigracioni janë miratuar në KQZ për votim, nga 1.8 milionë që janë gjithsej në emigracion. Me ritmin e derisotëm, rreth 190 mijë gjithsej pritet të miratohen deri më 4 mars. Pra, në qoftë se nuk lejohet regjistrimi i zgjedhësve me dokumente identifikimi biometrike të huaja, do të kemi gjithsej rreth 1.75 milionë pjesëmarrës në zgjedhjet e 11 majit (1milion e 560 mijë zgjedhës të këtushëm dhe 190 mijë nga emigracioni).
Po nëse lejohet regjistrimi i zgjedhësve me dokumente identifikimi biometrike të huaja, sa prej tyre mund të votojnë?
Sipas të dhënave të Gjendjes Civile, rreth 155 mijë shtetas nuk kanë aplikuar ndonjëherë për dokumente biometrike shqiptare. Le të supozojmë se të gjithë ata kanë dokumente biometrike të huaja. Duke u nisur nga përqindja fare e vogël e atyre emigrantëve me dokumentë biometrike shqiptare që janë miratuar deri më sot dhe nga koha e shkurtër që mbetet deri më 4 mars, maksimumi i regjistrimit të zgjedhësve me dokumente të huaja biometrike mund shkojë deri në 10 mijë (shpërndarë në 12 qarqe të vendit).
Dhe a vlen të bëhet një furtunë në gotë për 10 mijë vota, ndërkohë që totali i votave mund të jetë rreth 1.75 milionë më 11 maj?
Kushtetuta ia jep të drejtën për të votuar çdo shtetasi shqiptar që figuron në Gjendjen Civile i moshës 18 vjeç e sipër në datën e zgjedhjeve (pothuaj 3.73 milionë aktualisht). Një vendim i Gjykatës Kushtetuese detyron institucionet shtetërore që t’ia mundësojnë ushtrimin e kësaj të drejte çdo shtetasi 18 vjeç e sipër, pavarësisht se ku banon (brenda apo jashtw vendit). KQZ-ja ka detyrimin që të verifikojë identitetin e secilit zgjedhës që don të votjë (si brenda e jashtë vendit). Aktualisht sistemi PER i KQZ-së verifikon vetëm identitetin e zgjedhësve me dokumente biometrike shqiptare. Por sipas ekspertëve të huaj kompjuterikë (me të cilët jam konsultuar), ky sistem mund të modifiklohet, për të verifikuar edhe identitetin e zgjedhësve me dokumente biometrike të huaja (njësoj siç identifikon sistemi TIMS në aeroportin e Rinasit të gjithë dokumentet biometrike të huaja).
Si përfundim, siç thonë tiranasit, diskutohet për një kokërr ulliri (10 mijë vota) që mund të shtrydhet në një fuçi vaji (1.75 milionë vota) …
Komente
![](https://report-tv.al/template/img/antipiracynote.jpg)