Me ekstrapolim të përafërt statistikor, rezulton se rreth 700 mijë banorë të rritur të vendit (nga rreth 1.9 milionë gjithsej) nuk simpatizojnë asnjërën nga dy partitë kryesore. Këtë na tregon sondazhi i përjavshëm i të hënës “Zëri i Shqiptarëve”, që bëj për televizionin ABC (shihni grafikun e mëposhtëm).
Në vendet ku mbizotërojnë elektoralisht dy parti politike kryesore, elektorati që nuk simpatizon asnjërën prej tyre quhet zakonisht ‘elektorat gri’. Në vendin tonë, dy partitë kryesore zotërojnë aktualisht plot 133 mandate parlamentare (nga 140 gjithsej). Dmth, ‘elektorati gri’ është praktikisht i papërfaqësuar në parlamentin shqiptar.
Po si është aktualisht përbërja politike-demografike-arsimore-gjeografike e ‘elektoratit gri’?
Nga sondazhi i sipërcituar, rezulton se pothuaj 7/10 e ‘elektorëve gri’ nuk votuan fare më 11 maj, ndërsa 3/10 votuan kryesisht për partitë e vogla. Të cilat mund të jenë bërë tani edhe më të vogla elektoralisht, pas sherreve të brendshme paszgjedhore…
‘Elektorati gri’ ka një moshë mesatare më të vogël se elektorati i përgjithshëm i këtushëm. Gjithashtu, ‘elektorati gri’ ka një nivel arsimor më të lartë.
Nga pikëpamja gjeografike, ‘elektorati gri’ është i përqendruar në qarqet Tiranë, Durrës, Shkodër dhe Elbasan. Kurse nga pikëpamja e vendbanimit, ‘elektorati gri’ është i përqendruar në zonat e mëdha urbane.
Këto karakteristika demografike-arsimore-gjeografike të ‘elektoratit gri’ mund t’u vlejnë atyre që kanë ndërmend të sfidojnë eventualisht dy partitë e mëdha. Të cilat dominojnë aktualisht Kuvendin me 133 deputetë të tyre…
Komente
