Deri në fund të vitit 1990, e gjithë toka e Republikës së Shqipërisë ishte pronë e shtetit - fakt juridik i konsakruar në kushtetutën komuniste të 1976-ës. Por kur lindi Pratia Demokratike (më dhjetor 1990), një nga pikat kryesore të programit të saj ishte pikërisht privatizimi i tokës.
Dhe kur Partia Demokratike u përball me Partinë e Punës (komuniste) në zgjedhjet e para pluraliste (31 mars 1991), çështja e pronësisë së tokës ishte nga më të debatuarat. Dhe atë debat e “fitoi” Partia e Punës (komuniste), që kishte si kandidatë për deputetë kryetarë komunistë kooperativash bujqësore (të cilët ishin të interesuar personalisht të ruhej pronësia shtetërore e tokave dhe kryetarllëku i tyre).
Përballë kandidatëve të tillë, ne kandidatët demokratë nuk kishin asnjë shans të fitonim. Si rrjedhojë, në zgjedhjet e1991-shit, Partia e Punës (Komuniste) mori 170 mandate (pothuaj të gjitha rurale), ndërsa ne të opozitës morëm vetëm 80 mandate (pothuaj të gjitha urbane).
Dhe kur analizuam humbjen e zgjedhjeve, arritëm në përfundimin se pa shpërndarë tokat e koperativave bujqësore tek antëtarët e tyre, ne nuk kishim shans të vinim ndonjëherë në pushtet (2/3 e popullsisë banonte në fshatra atëherë). Dhe u përbetuam unanimisht se kur të vinim në pushtet, ligji i parë që do të kalonim në Kuvend do të ishte ai i kompensimit të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist.
Qeveria e Partisë së Punës (komuniste) dha shpejt dorëheqjen dhe u krijua Qeveria e Stabilitetit, me përfaqësues të të gjitha partive. Një nga pikat kryesore të programit të saj (të imponuar nga PD-ja) ishte shpërbërja e kooperativave bujqësore. Dhe kjo pikë e programit u realizua më 19 korrik 1991, me miratimin në Kuvend të Ligjit 7501, sipas të cilit toka e kooperativave bujqësore iu dha anëtarëve të tyre.
Pas shpërbërjes së kooperativave bujqësore, ne i fituam në mënyrë plebishitare zgjedhjet e parakohëshme të 1992-shit (si në qytete, edhe në fshatra). Koalicioni i PD-së siguroi 2/3 e votave në parlament, mëse të mjaftueshme për të kaluar ligjin e shumëpritur për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist!
Rasti e solli që profesori im në Virginia Tech (ku kisha shkuar për studime pasuniversitare) dhe një koleg i tij të ishin ekspertë të ligjeve për kompensimin e pronarëve të shpronësuar nga shtete të ndryshme në botë. Dhe kur u tregova për zhvillimet e mësipërme, ata shprehën interes dhe erdhën me mua në Tiranë për të takuar Berishën, që sapo ishte zgjedhur President i Republikës.
Në atë takim ata i prezantuan Berishës një skicë-projekt që konsistonte në këto pika kryesore:
Nga 700 mijë hektarë tokë bujqësore, vetëm 350 mijë hektarë kishin patur pronarë privatë në vitin 1944. Kështu, 350 mijë hektarët e tjerë (në pronësi të shtetit) mund të përdoreshin për kompensim fizik të pronarëve të shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.
Pronarëve të truajve urbanë duhej t’u ktheheshin ato, ku nuk ishin të zëna nga ndërtime të kryera pas vitit 1944. Ndërsa për truajt e zëna, duheshin kompensuar fizikisht pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist në bazë të disa koeficientëve konvertimi.
I gjithë procesi i kompensimit fizik duhej të mbyllej brenda dy vjetësh me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i, dhe në përfundim të tij, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë duhet të kishte një titull pronësie (privat apo shtetëror).
Deri sa të përfundohej procesi i kompensimit, duhej vendosur një moratorium për mosdhënien e lejeve të ndërtimit, të cilat duhej të jepeshin më pas vetëm në bazë të planeve të zhvillimit në secilën bashki e komunë të vendit.
Pasi dëgjoi prezantimin e mysafirëve amerikanë, Berisha tha me një ton solemn: “Tokat shtetërore janë të përqendruara në bregdet, por malsorët shqiptarë e kanë patur ëndërr shekullore të zbresin në bregdet. Këtë ëndërr ua pengoi regjimi i Enver Hoxhës, dhe ne tani nuk mund t’u bëhemi pengesë”. Dhe pas disa fjalive të përgjithshme kortezie, ai na përcolli…
Kur dolëm nga zyra, profesori im më pyeti për origjinën e Berishës dhe unë iu përgjigja se është nga malësia. “Kot na solle deri në Tiranë, sepse ai do që përkrahësit e tij të vijnë në bregdet,” më tha profesori i zhgënjyer nga takimi…
Se si janë zhvilluar ngjarjet rreth pronësisë së tokës dhe ndërtimet mbi të i di i madh e i vogël në Shqipëri. Vlen të theksohet se vetëm dy vjet pas atij takimi me Berishën, pronarët e shpronësuar nga regjimi komunist u futën në grevë urie, nga e cila ai i nxorri me forcat speciale të policisë. Dhe e gjithë Ultësira Perëndimore u mbush me ndërtime kaotike sipas parimit “tokë e xanun”.
Rama ka deklaruar se (më së fundi) më 2028, çdo metër tokë në territorin e Shqipërisë do të ketë një titull pronësie (privat apo shtetëror). Por duhej të ishte bërë qysh në vitin 1994 kjo gjë kaq e rëndësishme për zhvillimin normal të territorit (me konsulencë dhe financim të fuqishëm nga USAID-i). Siç i propozuam atëherë Berishës…
Komente

Zoti Zaloshnja, ne vitin 1946 u krye Reforma Agrare Demokratike, kurse ti si nje Don Kishot i vitit 2025 kerkon qe 14 mijë e 554 hektarë tokë t'u kthehen 7 latifondisteve qe ketej e tutje te rikthehet sistemi feudal i qeverisjes.
Përgjigju