Instrumenti më i përafërt për të llogaritur sa banorë ka një vend, është Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë. Që tani kemi filluar ta quajmë Census, meqë Roma e Lashtë e zhvillonte një herë në 10 vjet regjistrimin e popullsisë…
Regjistrimi i Përgjithshëm i Popullsisë në Shqipëri para rënies së regjimit komunist u realizua më 1989, nga i cili rezultuan 3,182,417 banorë këtu. Atëherë, vetëm 31,824 shtetas shqiptarë figuronin me banim jashtë vendit.
Pas një dekade, në vitin 2001, rezultuan 3,069,275 banorë në Shqipëri. Por do të kishin qenë 3,767,424, nëse shtetasit shqiptarë nuk do të kishin emigruar. Një deficit prej pothuaj 700 mijë banorësh në një dekadë!
Pas dy dekadash, në vitin 2011, rezultuan 2,821,977 banorë në Shqipëri. Por do të kishin qenë 3,937,181, nëse shtetasit shqiptarë nuk do të kishin emigruar. Një deficit prej 1.11 milionë banorësh në dy dekada!
Pas tre dekadash, në vitin 2023, rezultuan 2,402,113 banorë në Shqipëri. Por do të kishin qenë 4,025,424, nëse shtetasit shqiptarë nuk do të kishin emigruar. Një deficit prej 1.62 milionë banorësh në tre dekada!
Duke përmbledhur, Shqipëria humbi rreth 700 mijë banorë potencialë të saj në dekadën e parë pas rënies së regjimit komunist, rreth 420 mijë në dekadën e dytë, dhe rreth 510 mijë në dekadën e tretë.
*Nuk llogariten këtu fëmijët që mund të kenë lindur jashtë Shqipërisë nga prindër shqiptarë në emigracion. Në total figurojnë 4.63 milionë shtetas shqiptarë në Gjendjen Civile (pavarësisht ku kanë lindur)
Komente
