Sipas Eurostatit, Indeksi i Çmimeve të Ushqimeve dhe Pijeve jo Alkoolike për Shqipërinë është 101%. Që do të thotë se çmimet e ushqimeve në Shqipëri janë 1% më të shtrenjta se mesatarja e Bashkimit Europian.
Një shpjegim teorik që mund të japin ekonomistët në këtë rast është që kërkesa për produkte ushqimore është më e madhe në Shqipëri se sa mesatraja e BE-së.
Sipas teorisë ekonomke, kërkesa për produkte varet drejtpërdrejt nga niveli i të ardhurave që ka popullsia e një vendi. Por në rastin e Shqipërisë, (sipas Eurostatit) niveli i të ardhurave është plot 59% më i ulët se mesatarja e nivelit të të ardhurave të BE-së (llogaritur sipas fuqisë blerëse të çdo vendi). Pra, kërkesa për produkte ushqimore nuk mund të jetë shkaku i çmimeve të tyre të larta në Shqipëri.
Atëherë, sytë duhen hedhur nga oferta e produkteve ushqimore, që kontrollohet nga pak importues të mëdhej dhe nga pak rrjete të mëdha supermarketesh (dyqanet e vogla të lagjeve thjesht ndjekin çmimet e përcaktuara nga “të mëdhenjtë”). Duket se “të mëdhenjtë” kanë krijuar një kartel të heshtur mes tyre, ku përcaktojnë çmime të larta, që ndiqen nga të gjithë “të vegjlit” poshtë tyre.
Për ilustrim, para disa javësh, në mes të Athinës, bleva një kile qershi cilësore me 4 euro kilogrami. Një ditë më pas, pashë në mes të Tiranës që 1 kilogram qershi cilësore kushtonte plot 10 euro. Dhe krahasime të ngjashme mund të bëj cilido shqiptar që shkon në Europë…
Ne këtu kemi Autoritetin e Konkurrencës, që presupozohet të mos lejojë kartele të heshtura mes grosistëve, përmes të cilave ata imponojnë çmime të larta për gjithë segmentin e tregut që mbulojnë. Por në rastin e segmentit të tregut ushqimor, duket se ky autoritet ka dështuar.
Për ta zgjidhur këtë situatë, ose duhet ndryshuar legjislacioni, ose duhet ndryshuar Autoriteti i Konkurrencës. Që mos t’i kemi ushqimet 1% më të shtrenjta se në BE, teksa të ardhurat mesatare i kemi 59% më të ulta…
Komente

Ushqimet nuk jane 1 % me shtrenjt se BE nga BE vijm dhe diferencat jane stratosferike.
Përgjigju